Në këtë qytet suedez, tuneli për biçikleta më i gjatë në Europë synon të reduktojë trafikun
Qyteti norvegjez Bergen po përgatitet të hapë tunelin për këmbësorë dhe biçikleta më të gjatë në botë.
Më 15 prill 2023, tuneli 2.9 kilometra i gjatë do të hapet për publikun me aktivitete garash dhe çiklizmi.
Për ta përshkuar atë duhen rreth 10 minuta me biçikletë dhe rreth 30 – 45 minuta më këmbë.
I njohur si Fyllingsdalstunnelen, tuneli përshkon malin Løvstakken në qytetin jugperëndimor norvegjez, duke lidhur zonat e banuara të Fyllingsdalen dhe Mindemyren. Çiklistët mund të vazhdojnë në qendër të Bergenit, duke përdorur itineraret ekzistuese.
Si tuneli Fyllingsdal, edhe pjesa tjetër e pistës për biçikleta drejt qendrës Bergen janë financuar nëpërmjet Miljøløftet (premtim mjedisor) i mbështetur nga shteti.
Synimi i tij është ta bëjë më të lehtë për më shumë njerëz që të zgjedhin biçikletën apo të ecin, në vend të makinës. Kjo jo vetëm që mund të ndihmojë në reduktimin e trafikut në qytet, por edhe në zvogëlimin e emetimeve të ngrohjes së planetit dhe ndotjes së pashëndetshme.
Distanca totale e rrugës – nga Fyllingsdalen a Festplassen në qendrën e qytetit – është 7.8 kilometra, e cila zgjat rreth 25 minuta me biçikletë. Aktualisht, çiklizmi në këto zona zgjat rreth 40 minuta.
A do të jetë me të vërtetë tuneli më i gjatë në botë?
Tuneli për biçikleta i Bergenit është shpallur si më i gjati në botë, por gjithsesi ka disa paralajmërime. Tuneli i Snoqualmie pranë Siatëll në SHBA është 3.6 km.
Megjithatë ai shfrytëzon një tunel hekurudhor të braktisur, ndaj nuk është ndërtuar për këtë qëllim.
Tuneli për biçikleta i Fyllingsdal është tuneli i dytë më i gjatë në botë dhe më i gjati që është ndërtuar për këtë qëllim.
Paralelisht me linjën e re hekurudhore të lehtë të përuruar në nëntor, tuneli shërben edhe si rrugë shpëtimi për pasagjerët e trenave.
“Në thelb është një tunel shpëtimi për tramin. Por mendje të mençura patën thënë që është e mundur ta përshkosh edhe këtë tunel me biçikletë” – shpjegon përgjegjësi i projektit, Arild Tveit.
“Duke krijuar një vendkalim këtu, është gjithashtu e mundur të ushtroheni… Me pak fjalë, shëndeti publik është në çdo metër të këtij tuneli”.
Me mbështetjen e investimeve të qeverisë, në projektimin e tij janë përfshirë pista për këmbësorë dhe biçikleta, të gjera përkatësisht 2.5 dhe 3.5 metra.
Në çfarë ore do të hapet tuneli i Fyllingsdal?
Tuneli do të jetë i hapur çdo ditë, nga ora 5:30 deri më 23:30. Në të ka zona pushimi të ndriçuara mirë dhe kamera sigurie. Telefonat e urgjencës janë në dispozicion çdo 250 metra.
Ndriçimi dinamik me ngjyra do të krijojë një valë drite kur një çiklist ose këmbësor hyn në tunel në të dy skajet, duke paralajmëruar çiklistët për trafikun që vjen përballë. Në të ka gjithashtu vepra arti dhe instalacione për ta bërë udhëtimin më interesant.
Ceremonia e hapjes më 15 prill do të shënohet nga një garë në tunel të shtunën, e ndjekur nga një paradë çiklizmi të dielën. Euronews
Monitor.al