Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar propozimin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmetit për caktimin e masës së sigurisë, duke kërkuar që t’i ndalohet Qeverisë së Kosovës të lëshoj mendim lidhur me konkursin për pozitën e guvernator.
Fehmi Mehmeti ushtron funksionin e guvernatorit të BQK-së nga viti 2018, ndërsa ky mandat skadon më 29 mars 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mehmeti i cili ka konkurruar edhe për një mandat për këtë pozitë në konkursin e shpallur nga BQK-ja, po pretendon se është diskriminuar ngase nuk është futur në listën e kandidatëve të përzgjedhur.
Me propozimin e 27 shkurtit 2023 guvernatori Mehmeti ka kërkuar që të ndalohen kundërshtarët e sigurimit të BQK-së dhe të Qeverisë së Kosovës që të marrin veprime që të ndryshojnë gjendjen ekzistuese si dhe të ndalohet Qeveria që të lëshojë mendim lidhur me listën e dërguar të kandidatëve për guvernator.
Në aktvendimin e 28 shkurtit 2023 thuhet se, gjykata pas analizimit të shkresave të lëndës si dhe duke u bazuar në dispozitat ligjore të nenit 297 të Ligjit për Procedurën Kontestimore ka ardhur në përfundim se propozuesi nuk e ka bërë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të drejtës së tij subjektive.
Sipas nenit 297 të LPK-së thuhet se “ Masa e sigurimit mund të caktohet: a) në qoftë se propozuesi i sigurimit e bënë të besueshme ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës subjektive të tij , dhe b) në qoftë se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së këtillë pala kundërshtare do të mund ta pamundësonte apo vështirësonte dukshëm realizimin e kërkesës, sidomos me tjetërsimin e pasurisë së vet, me fshehjen e saj, me ngarkimin apo me ndonjë mënyrë tjetër, me të cilën do ta ndryshonte gjendjen ekzistuese të gjërave, ose në ndonjë mënyrë tjetër do të ndikonte negativisht në të drejtat e propozuesit të sigurimit.”
Sipas aktvendimit thuhet se gjykata ka vlerësuar se besueshmëria për ekzistimin e të drejtës subjektive dhe kërkesës nuk mund të bazohet vetëm në faktin se propozuesi ka qenë guvernator dhe se i njëjti nuk është përfshirë në listën e kandidatëve të përzgjedhur.
Lidhur me këtë, në aktvendim theksohet se, gjykata për të bërë vlerësimin nëse mos përfshirjes së propozuesit në listën e kandidatëve të përzgjedhur ka qenë i kundërligjshëm duhet bërë vlerësimi i gjithëmbarshëm i provave, çka nuk mund të bëhet në këtë fazë të procedurës.
Gjithmonë sipas aktvendimit, gjykata duke mos e paragjykuar vlerësimin meritor të kësaj çështje, ka vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së sigurimit nga neni 297 i LPK-së.
Ndryshe, sipas propozimit për masën e përkohshme të sigurimit thuhet se Fehmi Mehmeti momentalisht ushtron funksionin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës që nga 29 marsi 2018 i cili mandat skadon më 29 mars 2023.
Ndërkaq, Mehmeti ka aplikuar edhe për një mandat, duke i kaluar fazat e vlerësimit ashtu që fazën e intervistës është renditur i pesti me 26 pike (pikë të njëjta me kandidaten e katërt znj.Shkëndije Himaj), megjithatë propozuesi nuk është përfshirë në listën e kandidatëve të përzgjedhur të cilët sipas nenit 38 të Ligjit për Bankën Qendrore referohen tek Qeveria e Republikës së Kosovës për mendim dhe në Kuvend për përzgjedhje.
Duke qenë se propozuesi Mehmeti nuk është përfshirë në listën përzgjedhëse, sipas propozimit, kundërshtarët e sigurimit BQK dhe Qeveria e Kosovës kanë shprehur diskriminim të hapur ndaj tij, dhe atë mbi bazën e gjinisë në raport me znj.Himaj.