Mjetet e pashpenzuara buxhetore të komunave gjatë vitit 2021 nuk do të mund të barten në buxhetin e komunave për vitin 2023, e që janë 37.5 milionë euro. Ato mjete janë pezulluar nga Qeveria e Kosovës, thotë për Radio Kosovën kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Sipas tij, ato nuk mund të shfrytëzohen as nga niveli lokal e as nga ai qendror.
37.5 milionë euro komunat e vendit pretendojnë se u janë bllokuar nga qeveria. Mjetet vetanake të komunave të grumbulluara para vitit 2021, nuk u janë bartur komunave për vitin 2023. Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për Radio Kosovën se shuma e mjeteve nuk mund të shfrytëzohet as nga niveli lokal e as nga ai qendror.
“Mjetet financiare nga të hyrat vetanake para viti 2021 nuk mund të barten dhe kjo e lë këtë situatë pezull. Mendojmë se kjo mund të jetë një lëshim teknikë, sepse i gjithë vullneti i deputetëve kur është miratuar buxheti për vitin 2023, ka qenë që të hyrat vetanake t’u barten komunave sepse ato janë të komunave, por se çka ka ndodhur pas miratimit të këtij ligji, 37.5 milionë euro janë pezull, ato as nuk mund të shfrytëzohen nga komuna e as nga niveli qendror”, deklaroi ai.
Ibrahimi ka theksuar se tashmë kanë bërë kërkesë në institucionet përgjegjëse të vendit, për të rishikuar këtë situatë. Shumë projekte kapitale, sipas tij, kanë mbetur pezull.
“Komunat kanë kërkuar nga niveli qendror që disa projekte të zbatohen nga këto mjete financiare dhe tash ato mjete nuk mund të zbatohen për shkak të nivelit qendror. Pra, komunat nuk kanë faj dhe niveli qendror duhet t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje. Mjetet financiare nga të hyrat vetanake në bazë të legjislacionit në fuqi përkthen në projekte kapitale, dhe ka shumë projekte që komunat i kanë paraparë por për shkak të situatës së re, ato projekte nuk mund të zbatohen”, deklaroi Ibrahimi.
Pezullimi i këtyre mjeteve, dëmton zhvillimin komunal, në të mirë të qytetarëve, thotë për Radio Kosovën, Valmir Ilazi, nga organizata INPO, organizatë kjo që monitorojnë punën e komunave.
“Ky pezullim i 37.5 milionë eurove nga qeveria, lë për të nënkuptuar se edhe shumë projekte do të mund të ndalen, shumë projekte për të cilat këto para kanë qenë të destinuara, mund të ndërpriten apo edhe të pezullohen. Kuvendi i Kosovës ka shprehur qartë vullnetin e vet se këto mjete nuk u janë bartur komunave si të hyra vetanake, duke penguar shumë projekte zhvillimore komunale”, deklaroi Ilazi.
Sipas kryetarit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, zgjidhja e vetme e këtij problemi është amendamentimi i Ligjit për ndarje buxhetore ku pika 6 e nenit 9 do të ndryshohet dhe t’u mundësohet komunave bartja e të hyrave vetanake edhe nga viti 2021.