Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të enjten ka miratuar tarifat e reja për rrymën. Ndërsa, kryeministri aktual, Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar ulje çmimit të rrymës, pasi sipas tij, Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit.
ZRRE ka njoftuar sot se duke filluar nga 1 prilli, energjia elektrike do të shtrenjtohet për 15.4 për qind bazuar në këto tarifa.
Tarifat e reja të rrymës do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.
Sipas tarifave të reja, zyrtarët e ZRRE-së thanë se për konsumatorët që kanë konsum shtëpiak deri në 300 kilovat në orë, nëse proporcioni i konsumit është 60 [tarifa e lartë] me 40 [tarifa e ulët], fatura mujore do të ketë rritje prej 2 euro e 80 centë.
Për ata që kanë konsum deri në 450 kilovat në orë, fatura mujore do të ketë rritje prej 4 euro e 18 centë.
Për konsumatorët që kanë konsum deri në 600 kilovat në orë, rritja e faturës mujore do të jetë 5 euro. Dhe për konsumatorët deri në 800 kilovat, ku 80 për qind e konsumatorëve janë pjesë e kësaj kategorie, rritja mujore do të jetë rreth 7 euro e 23 centë.
Ndërkaq, për ata që konsumojnë 1.000 kilovat në orë, rritja mujore pritet të jetë 10 euro.
Kujtojmë se ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.
Premtimi bosh i kryeministrit Albin Kurti
Ulja e çmimit të energjisë elektrike ishte në top 20 prioritet e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës para zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Madje Kurti edhe në intervista i pyetur se do ta realizonte këtë premtim thoshte se “do ta synojmë këtë sepse është tepër shtrenjtë kur rrijmë mbi gjithë këtë energji.
“Unë nuk mund ta them sot se sa do të ulet energjia elektrike por e di që Contour Global-i nuk vjen në shprehje ma. Ai do të na shtrenjtonte energjinë elektrike dhe ne nuk paguajmë me buxhetin e Kosovës për ata që se paguajnë energjinë elektrike qofshin në veri apo gjetiu.. unë nuk mund ta kuantifikoj sot por ne do ta synojmë uljen e çmimit të energjisë sepse tepër shtrenjtë kur rijmë mbi gjithë këtë energji që kemi”, kishte thënë Kurti.
Në Kosovë, qytetarët, po përballen me nivel të lartë të inflacionit.
Viti i kaluar është përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në shkurt ka qenë 10.5 për qind. /Telegrafi/