Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka paralajmëruar se Kosova po përballet me rrezik real të humbjes së 90.6 milionë eurove nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të parashikuara në Agjendën e Reformave.
Në një konferencë për media, GLPS tha se përmbyllja e semestrit të katërt të Planit të Rritjes shënon një moment kritik, pasi vonesat në zbatimin e reformave nuk përfaqësojnë më vetëm shtyrje në ekzekutimin e fondeve, por rrezik konkret për humbje financiare.
“Që nga sot nuk ka më thjesht vonesa në ekzekutim të fondeve, por rrezikohen humbje të parikuperueshme financiare”, thuhet në deklaratën e GLPS-së.
Sipas organizatës, bëhet fjalë për 90.6 milionë euro, të dedikuara për semestrin e dytë të Planit të Rritjes.
Afati fillestar për përmbushjen e reformave kishte përfunduar më 30 qershor 2025, ndërsa më pas ishte aktivizuar një periudhë shtesë njëvjeçare (grace period), gjatë së cilës institucionet e Kosovës kishin mundësi të realizonin 13 hapat reformues pa pasoja financiare.
GLPS thekson se me përfundimin e kësaj periudhe, pasojat financiare mund të jenë të konsiderueshme.
“Pas kësaj date u aktivizua grejs periudha njëvjeçare, kohë gjatë së cilës Qeveria dhe Kuvendi kishin mundësi të zbatonin 13 hapat reformues të planifikuar për këtë semestër, pa humbje financiare. Megjithatë, me përmbylljen e kësaj periudhe, pasojat financiare janë të konsiderueshme dhe të pakthyeshme”, thuhet në reagimin e organizatës.
Humbja e fondeve prek zhvillimin ekonomik
GLPS vlerëson se Plani i Rritjes nuk është vetëm një proces teknik, por një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e reformave në Kosovë.
Sipas organizatës, çdo fond i humbur nënkupton më pak investime në ekonomi, më pak mbështetje për reformat, kufizim të mundësive zhvillimore dhe dëmtim të besueshmërisë së Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Organizata rikujtoi se kishte paralajmëruar për këtë rrezik që më 2 maj 2025, duke kërkuar nga institucionet veprime të shpejta për ratifikimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave.
Të ngjashme:
GLPS: Dështimi i krijimit të institucioneve të reja do të cenojë miliona euro për Kosovën
GLPS: Krizat politike kanë ndikuar në zbatimin e reformave
Sipas GLPS-së, mungesa e koordinimit institucional dhe krizat politike kanë ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e një pjese të konsiderueshme të reformave të kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes.
Organizata njoftoi se një pasqyrë më e qartë mbi fondet e zhbllokuara, fondet e rrezikuara për humbje dhe reformat e papërmbushura do të bëhet e ditur pas publikimit të raporteve zyrtare nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian.
Në fund, GLPS i bëri thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa urgjente për të përshpejtuar zbatimin e reformave. Organizata rekomandon:
-
themelimin e një task-force për koordinimin e reformave;
-
prioritizimin e masave të Planit të Rritjes;
-
përgatitjen e listës së ligjeve prioritare për miratim.









