Kur do të përfundojë zgjerimi i magjistrales Podujevë – Prishtinë

Punimet në shumë rrugë të Kosovës, të nisura kaherë, po vazhdojnë të vonohen pashpjegueshëm dhe pakuptueshëm nga zyrtarët e Qeverisë aktuale. Tashmë janë bërë histori vonesat e punëve në autostradën Prishtinë – Gjilan, të diskutueshme që në fillimet e ndërtimit të saj, dhe vonesat e mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë dhe në autostradën Prishtinë-Pejë.

Mehmet GJATA

Projektet më të rëndësishme rrugore në Kosovë, ato që ndërlidhin qendra të mëdha komunale me kryeqytetin, që ka vite e vite janë nisur të zgjerohen, të modernizohen dhe të rindërtohen, po del, që janë goxha të komplikueshme, dhe vështirë të realizueshme edhe nga qeveria Kurti 2. Punimet në shumë rrugë të Kosovës, të nisura kaherë, po vazhdojnë të vonohen pashpjegueshëm bindshëm dhe pakuptueshëm nga zyrtarët e Qeverisë aktuale, të cilët, ç’është e vërteta i trashëguan nga qeveritë e kaluara.

Reklama e sponzorizuar

Për këto projekte të lëna në “gjysmë të rrugës”, për të cilat dihej që kanë mbetur me vite të pa përmbyllura, dihej paraprakisht, por nga autoritetet aktuale, gjatë fushatës elektorale dhe me të ardhur në pushtet, u premtua shumë për përshpejtim të finalizimit të tyre. Tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në autostradën Prishtinë – Gjilan, të diskutueshme që në fillimet e ndërtimit të saj, por vonesa të mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh ka edhe në magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, Prishtinë – Podujevë dhe në autostradën Prishtinë-Pejë. Në të gjitha këto rrugë, pos asaj Prishtinë – Gjilan, tashmë ose është përafruar një dhjetëvjetësh, një dekadë pra, qëkur kanë filluar, të ndërtohen, ose tashmë është tejkaluar edhe dhjetëvjetshi i nisjes së punëve rreth zgjerimit të tyre.

Dhe, për këto prolongime afatesh dhe zvarritje punësh, në institucionet zyrtare kompetente brenda këtyre dy vjetëve qëkur qeverisë vendin kjo Qeveri, nuk pati dhe nuk dhanë ndonjë shpjegim thuaja asnjëherë të qëndrueshëm dhe të arsyeshëm. Nuk ka ndonjë përgjigje të pranueshme dhe të përshkruar me ndonjë të dhënë të besueshme as në Ministrinë e Infrastrukturës, as nga ministri aktual i kësaj ministrie, Liburn Aliu, i cili, së paku deri tash, as që e ka parë të nevojshme që të komunikojë me publikun, nëpërmjet medieve pra, rreth këtyre vonesave dhe prolongimeve absurde të afateve të rindërtimit të këtyre magjistraleve kaq të rëndësishme për ecuritë zhvillimore dhe shoqërore në Kosovë.

Edhe në ndonjë përgjigje të kushtëzuar, si ato për pyetjet e deputeteve në Kuvendin e Kosovës, ministri Aliu, asnjëherë nuk tha ndonjë afat të prerë për përfundimin e këtyre punëve, por gjithnjë diskutimin dhe përgjigjet e tija i ka drejtuar në fajësimin e qeverive të deritashme për dështimet dhe për finalizimin dhe përmbylljen e punimeve në këto rrugë, ose në problemet që janë paraqitur rreth shpronësimit të tokave ku kalojnë rrugët e nisura.

Ndërsa, zëvendësi i ministrit Aliu, Hysen Durmishi, siç flitet nga burime brenda kësaj ministrie, i autorizuar nga ministri për t’u marrë me infrastrukturën rrugore, në paraqitjet e tija publike, thënë më së buti, ka qenë totalisht i paprëgjegjshëm duke bërë publike nëpërmjet deklarimeve të tija të dhëna të paqëndrueshme, afate të parealizueshme dhe fakte, në shumë raste, të pavërteta.

Çështje shqetësuese është bërë tashmë sidomos ndërtimi i magjistrales Prishtinë-Podujevë, e shquar si histori e veçantë për vonesa dhe afate të paraqitura në publik nga zëvendësminsitri Durmishi, por edhe për shumë të panjohura rreth vazhdimit të punimeve në këtë arterie, që për shkak të dendësisë së qarkullimit dhe numrit të aksidenteve, quhet në opinion edhe “magjistralja e vdekjes”. Siç dihet, punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë-Prishtinë, kanë nisur para më shumë se 6-7 vjetëve dhe jo vetëm që nuk kanë përfunduar ende, por ka ende paqartësi rreth afateve të reja të finalizimit të sajë.

Deri tash, brenda këtyre 6-7 vjetësh janë ndërtuar, por jo edhe finalizuar, vetëm diku rreth 10 kilometra të kësaj magjistraleje. Ose, më konkretisht, brenda këtyre vitesh, kjo magjistrale është zgjeruar nga Podujeva vetëm deri afërsisht në hyrje të fshatit Lluzhan. Për pjesën tjetër, që është traseja dominuese prej 18 kilometrash, deri në Prishtinë, ende nuk ka ndonjë saktësim afatesh se kur do të fillojë së ndërtuari, sikundër që ka deklarata kontradiktore të zyrtarëve rreth shpronësimeve të nevojshme të pronave për nevojat e zgjerimit të kësaj magjistrale.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një konference për media bashkë me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin dhe kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, në fund të janarit të 2022-tës duke konfirmuar se kishin pranuar deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga minsitri i Financave, Hekuran Murati lidhur me projektin e rrugës Podujevë-Prishtinë (sipas ministrit Aliu, në total në Ligjin e buxhetit për këtë rrugë, janë ndarë gjithsej 22.3 milionë euro), pati thënë se problemet që janë hasur deri më tani në këtë rrugë, siç janë çështjet e shpronësimit dhe çështja e projektit, tashmë janë zgjidhur.

Ndërkohë, nga qeveritarë aktual raportohet se për kryerjen e punimeve në këtë rrugë nacionale, i cili është një zotim i Qeverisë së Kosovës, janë vënë në dispozicion 38 milionë euro. Ndërsa ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu në seancën dëgjimore lidhur me Projektligjin për buxhetin 2023, kishte thënë se buxheti i kësaj ministrie nuk është ndarë më shumë për projektet në komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosje, por është koncentruar në projekte madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës. Aliu para raportimit para Komisionit për Mjedis tha se për dikasterin që udhëheq për vitin 2023 janë ndarë 251 milionë e 684 mijë e 833 euro. “Koncentrimin e projektit 2023 e kemi bërë kryesisht në projekte madhore, të cilat duhet të përfundojnë në ato segmente të koncentruara gjatë vitit 2023… Për autostradën Prishtinë-Gjilan-Konçul për vitin 2023 janë të planifikuara 27 milionë euro, në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 5 milionë euro, për zgjëerimin e rrugës Dollc-Gjakovë në planifikimin e vitit 2023 janë paraparë 11 milionë euro, ndërsa në buxhetin e vitit 2022 kanë qenë 2.25 milionë euro, për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë janë paraparë 6 milionë euro, ndërsa me 2022 kanë qenë 1. 1 milionë euro. Për riparimin e rrugës rajonale Prizren-Prevallë janë paraparë 6 milionë euro për vitin 2023, kanë qenë 2 milionë euro në vitin 2022. Zgjerimi i rrugës Prishtinë-Pejë kanë qenë 400 mijë euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 i kemi ndarë 4 milionë euro”, tha ai.

Lidhur me ngecjen e projekteve infrastrukturore, ai tha se në këtë ka ndikuar edhe rritja e madhe e çmimeve, por edhe aspekti i shpronësimeve dhe vetë projektet. Aliu madje tha se për këto projekte kanë ndarë më së shumti buxhet me qëllim që në vitin e ardhshëm të përfundohen.

“Është një dukuri e përgjithshme e ngecjeve në realizim të punimeve gjë që faktori kryesor është rritja e çmimeve prej karburanteve e ndërtimeve e me radhë ka ndikuar që të ketë ngecje që është situatë e përgjithshme mbase në të gjithë. Ka edhe faktorë të tjerë, kemi të bëjmë me projekte që janë, ta zëmë 4 projekte të rëndësishme që janë në ministri e që janë shndërruar në prioritetin kryesor për të zgjidhur çështjet e tyre e që është projekti i autostradës së Gjilanit, projekti i rrugës së Mitrovicës, projekti i rrugës Prishtinë-Podujevë dhe projekti i rrugës Dollc-Gjakovë dhe te këto katër projekte kemi një natyrë të ngjashme të problemeve që kanë të bëjnë ose me shpronësime, projektet, fazat e zbatimit dhe jemi në zgjidhje të këtyre problemeve”, ishte shprehur Aliu.

Ministri, siç dihet, ka njoftuar opinionin se i tërë segmenti do të ketë pesë llote, 16 kilometra nga Lluzhani deri në Bërnicë, që do të jetë i ndarë në katër llote, pastaj lloti i pestë do të jetë përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Podujevë, që përbën njëherësh edhe segmentin prej 9 kilometrash (më herët është thënë nga zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, se I tërë segmenti nga Lluzhani deri në Bërnicë, do të ketë dy llote).

Ndërkohë, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se “në ndërtimin e kësaj rruge ka pasur vazhdimisht probleme, për shkak të çështjeve të shpronësimit dhe se “në realizimin e punimeve për kontratat ka pasur shumë zvarritje, arsyet kanë qenë problemet me projektin dhe problemi më i madh ka qenë çështja e shpronësimit. Janë nënshkruar kontrata pa procedura të shpronësimit për këtë kemi pasur shumë probleme”.

Po kështu, zëvendësministri Durmishi është deklaruar se ai beson që deri në pranverë do të nënshkruhen kontratat përkatëse dhe do të fillojnë punimet. Dhe në fillim të janarit të 2023-tës Ministria e Infrastrukturës ka hapur afatin e pranimit të tenderëve për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Bazuar në të dhënat e njoftimit për kontratë, të publikuar në platformën online të prokurimit publik, afati për pranimin e tenderëve ishte 15 shkurti i këtij viti.

Mirëpo, deri tash, nuk ka ndonjë njoftim se ç’është bërë dhe ku ka arritur puna pas përmbylljes së afatit për pranimin e tenderëve, edhepse tashmë ka kaluar përafërsisht 1,5 muaj nga përmbyllja e këtij afati. Por, megjithë faktin se nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, në fillim të dhjetorit 2022, u tha jo një herë se “problemet që janë hasur deri më tani në këtë rrugë, siç janë çështjet e shpronësimit dhe çështja e projektit, tashmë janë zgjidhur”, pas një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë së Kosovës, po del që çështja e shpronësimit të pronave që prekën nga ndërtimi i rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë, jo vetëm që nuk është zgjithur, por as që ka nisur deri më tash. Sepse, në këtë mbledhje të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur këto ditë është vendosur për fillimin e procedurës së shpronësimit të pronave që preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë – Podujevë.

Kryeministri Albin Kurti me këtë rast, saktësoi se “nga ky vendim preken 18 zona kadastrale të Prishtinës dhe Podujevës”. “Qeveria fillon procedurën e shpronësimit të pronave që preken nga ndërtimi i kësaj rruge për 18 zona kadastrale të Komunës së Prishtinës dhe Podujevës”, tha Kurti, ndërsa më pastaj ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu prezantoi procedurat e përcaktuara. Dhe, kur hasen gjithë këto kontradikta dhe ndryshime të prezantimit të të dhënave rreth ndërtimit të kësaj rruge jetike nga zyrtarët kompetentë aktual të vendit, jo vetëm për banorët e LLapit do të ketë dilema të reja, skepsë dhe mosbesim edhe në përcaktimin e afateve të reja dhe në përmbushjen e tyre. Shpronësimi i pronave të cilët do t’i prek magjistralja Podujevë – Prishtinë, ose është bërë, osë nuk është bërë. Gënjeshtrat nuk i përmbushin premtimet për kryerjen një herë e mirë të kësaj magjistrale. Ndërsa kjo magjistrale, që është bërë rrugë “e vdekjes” për shkak të dendësisë së qarkullimit enorm të automjeteve dhe viktimave të shumta nga aksidentet e trafikut, duhet të ndërtohet një orë e më parë. Për këtë, çka është më e rëndësishme, ekzistojnë mjetët financiare të dedikuara, prandaj, nuk ka asnjë arsye të komplikohen punët, të ndërlikohen procedurat dhe të zvarritët pafundësisht përmbushja e afateve të përcaktuara disa herë edhe zyrtarisht./Buletini Ekonomik