Qeveria deklarohet: Kur do të paguhen shtesat?

Të gjithë punëtorët e sektorit publik, dje i kanë marrë pagat me koeficient të ri. Me publikimin e vlerës së koeficientit, disa mundën t’i llogarisin pagat e për disa paga e “re” ka qenë sekret deri dje. Se shumica janë të pakënaqur e tregon edhe numri i ankesave që i ka pranuar Avokati i Popullit dhe sipas të gjitha gjasave Ligji për Pagat mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Shumica e ankesave janë për mospërfshirjen e shtesave.

Mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik dje i kanë marrë pagat e para me Ligjin e ri për Paga, që ka hyrë në fuqi më 5 shkurt. Por në pagën e muajit shkurt, atyre nuk iu kanë llogaritur shtesat.

Lidhur me këtë çështje, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku thuhet se shtesat e muajit shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars .

Reklama e sponzorizuar

“Përkundër punës intensive të komisioneve për përcaktim të shtesave, procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave është duke vazhduar, andaj njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars. Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt”, thuhet në njoftimin e dy ministrive.

Në fund të kësaj komunikate, ministritë ftuan të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë

Policët pa shtesë të rrezikshmërisë

Dje, pjesëtarët e Policisë së Kosovës i kanë marrë pagat sipas Ligjit të ri për Pagat. Mirëpo, nuk i kanë marrë edhe shtesat për rrezikshmërinë.

Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te ta.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha për Express se pasi janë hequr shtesat, te shumë pjesëtarë të PK-së nuk ka pasur ngritje të pagave.

“Shumica e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë të pakënaqur me atë që kanë pranuar për shkak se pagat kanë dalë pa shtesën e rrezikshmërisë. Pasi janë hequr shtesat, te shumë pjesëtarë nuk ka ngritje. Sipas Ligjit të Pagave, shtesat janë 1 për qind e buxhetit të pagave, që ne kur e kemi llogarit, ka dalë shumë e ulët. Ne kemi dërguar një ankesë te Avokati i Popullit. Deri në janar, rrezikshmëria kanë qenë 7 nivele- niveli më i ulët ka qenë 105 euro dhe niveli më i lartë 210 euro”, tha ai.

Mësuesit e “palumtur”

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për Express se nuk janë të lumtur me pagat që u kanë dalë dje.

Ai tha se “janë gëzuar” se në çerdhe me puëntorëve teknikë u është rritur paga.

“Deri në orët e pasdites nuk filloi procedimi i pagave dhe kishim pikëpyetje a do të jenë me Ligjin e Ri apo si në të kaluarën. T’iu them të vërtetën edhe stafi qendror edhe punëtorët e arsimit s’mund të themi që jemi të lumtur me atë që është arritur. Kemi pritur më shumë, insistimi ka qenë që vlera e koeficientit me qenë 120 euro. Nëse duhet ta përdorim fjalën ‘gëzim’ atëherë mund të themi që jemi gëzuar pak më shumë se të çerdhet dhe te puëntorët teknikë ka një lëvizje, por te punëtorët tjerë arsimorë mesatarja është 100. Nuk jemi të lumtur, nuk jemi të gëzuar me këtë, por konsiderojmë që më mirë është që të kemi një ligj për pagat me shpresën që vlera do të ndryshojë, sesa të kthehemi në pikën 0.”, tha Jasharaj për Express.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe Sindikatën e Shërbyesve Civilë dhe Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Si llogaritet paga për ata që kanë përvojë pune?

Në fillim të shkurtit, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar punën e shtesave, në Komisionin për Buxhet. Ai e ka marrë shembull shtesën e përvojës së punës.

Murati ka thënë se 105 euro është koeficienti i pastër, derisa ka treguar se kjo vlerë shkon më lartë për ata që kanë përvojë pune.

“Shpeshherë kur po bëhen krahasime, po bëhen krahasime të pagës bruto me të gjitha shtesat që është aktuale me vetëm pagën bazë bruto dhe natyrisht ky është krahasim i pasaktë për shkak se nuk është krahasimi i njejtë. Psh nëse e marrim vetëm shtesën e përvojës së punës tani që llogaritet mbi pagën bazë dhe nëse do ta transferoni në koeficient, ta zëmë nëse dikush ka përvojë pune 0 vite, e ka vetëm koeficientin e pastër bazë 105. Por, nëse dikush do të kishte 10 vite përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 2.5 përqind ose nëse shumëzohet me koeficient do të dilte 107.6 koeficienti. Nëse do të kishte 20 vjet përvojë pune, shtesa për përvojën e punës për 20 vite është 6.25 përqind apo koeficienti do të përkthehej në 111.6 ose nëse shkojmë deri në 40 vite përvojë pune, shtesa e përvojës së punës është 16.25 përqind ose nëse do të shumëzohej me koeficientin, do të kishim një koeficient 122, pra dikush me 40 vjet përvojë pune, normalisht paguhet më shumë si rezultat i shtesës së përvojës dhe kjo është vetëm njëra nga shtesat që është shtesë universal. Për 30 vite, është 11.25 përqind që i bjen nëse përkthehet te vlera e koeficientit, shumëzohet është 116.8 apo afërsisht 117”, ka thënë Murati në komision”, tha Murati në Komision.

40 ankesa te Avokati i Popullit

Për pakënaqësitë me Ligjin e ri të Pagave në Sektorin Publik, Institucionit të Avokatit të Popullit janë drejtuar shumë palë. Deri para dy jave, në këtë institucion janë dërguar 40 ankesa.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zyra e Avokatit të Popullit ka treguar se nga kush i kanë pranuar ankesat.

“Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj.”, thuhet në përgjigje.

Ndër të tjerash, IAP ka thënë se janë duke i trajtuar këto ankesa dhe se janë duke e analizuar ligjin në fjalë dhe më pas do të dalin me qëndrim.

“Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje”, ka thënë IAP për Express.

Pagat sipas Qeverisë

Me publikimin e vlerës së koeficientit, Kurti në faqen e tij në Facebook, publikoi edhe pagat e reja për punëtorë të sektorit publik.

Mjeku specialist 659 euro, mjeku i përgjithshëm 565 euro, kryeinfermieri në QKUK dhe në spitale rajonale 471 euro.

Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të Mesme të Ulët do të paguhet 421 euro, e ai në Shkollë të Mesme të Lartë 459 euro. E 434 euro do të paguhet mësimdhënsi në shkollë speciale, ndërkaq edukatori 393 euro.

Me ligjin e ri, polici i lartë do të paguhet 392 euro, rreshteri 440 euro, kapiteni 546 euro e zjarrfikësi 325 euro.

Ushtari i FSK-së do të paguhet 443 euro, ushtari i klasit të parë 465 euro, ndërsa rreshteri 513 euro.

Koeficientët

Sipas Ligjit të Pagave, koeficienti më i lartë është 18 – pozita e presidentes. Pas presidentes është kryetari i Gjykatës Kushtetuese – 17.5.

Kryekuvendari, deputeti dhe ministri e kanë koeficientin 16.4.

15 është koeficienti për komandantin e FSK-së, ndërsa 14.5 është për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe atë të Doganës.

Prokurorët dhe gjyqtarët, varësisht nga niveli, i kanë koeficientët nga 12 deri në 14.5.

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës e ka koeficientin 14.

Me koeficient të njëjtë është edhe drejtori i SHSKUK-së, ndërsa mjeku specialist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshëm, stomatologu dhe farmacist e kanë koeficientin 7.4.

Ndërsa infermierët, varësisht nga niveli, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6.

Mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8, ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro.

Polici e ka koeficientin 5, ndërsa polici i lartë 5.9.

Ky ligj do të zbatohet për të gjithë punonjësit e sektorit publik, përveç atyre të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë.