Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, ka deklaruar se tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të jenë më të shtrenjta për 14 për qind nga muaji prill.
“Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024. Sipas raportit konsultativ që ende nuk është final, propozimi nga stafi i ZRRE-së është që rritja e nevojshme për reflektimin e kostos së sistemit të jetë rreth 14 për qind”, është shprehur ai.
Për ekonomistin, Jakup Bellaqa, kjo ngritje çmimesh do ta rëndojë shportën e qytetarit, duke qenë se rryma ndikon direkt në çmimet e artikujve bazë.
“Mbi propozimin e ZRrE-së, për ngritjen e çmimeve prej 14 për qind nga muaji prill, duhet theksuar se produkti i rrymës është apo hyn në listën e produkteve strategjike dhe sa herë kur është ngritur çmimi i rrymës ka ndikuar në mënyrë direkte dhe indirekte edhe në rritjen e çmimeve të artikujve bazikë jetësorë dhe kjo rritje e rëndon shportën e konsumit të qytetarit dhe e bën të përballueshme për qytetarin, si dhe e rritë koston vartëse apo variabile në të bërit biznes”, vlerëson ai.
Sipas Bellaqës situata e pas 1 prillit do t’i godasë sidomos shtresat e varura nga skemat sociale.
“Andaj, do të reflektonte në ekonominë e konsumit dhe do t’i godiste sidomos shtresat me të ardhura më të vogla, pikërisht shtresa që janë në kategorinë që janë të varura nga skemat sociale”, shton ai për Syri net Kosova. /Syri net Kosova/