Shumë fjalë dhe pak vepra për “rrugën e re energjetike të Kosovës”

Mehmet Gjata

Në nivel të vizioneve, praktikisht teorike, dhe të fjalëve të mira vazhdojnë të mbetën akoma, edhe premtimet e zotimet e autoriteteve të Kosovës (presidentës, kryeministrit, ministrës së Ekonomisë dhe të zyrtarëve të tjerë), të bëra bukur si shpesh, qoftë para mysafirëve të rastit, qoftë në foltorët e institucioneve të rëndësishme të vendit për të ndërtuar kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Shkurt, ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e parë të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbërt.  

Mehmet GJATA

Situata aktuale sa i përket ndonjë nisme të kapaciteteve prodhuese të reja për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme, ose për të përmbushur objektivat e Strategjisë energjetike 2022-2031, tani për tani, ende ndodhet vetëm në nivel të ca vizioneve të vlerësuara si të mira dhe të retorikave të parreshtura të zyrtarëve aktual për të pasur Kosova më shumë energji të ripërtëritshme. Në nivel të vizioneve, praktikisht teorike dhe të fjalëve të mira vazhdojnë të mbetën akoma, edhe premtimet e zotimet e autoriteteve të Kosovës (presidentës, kryeministrit, ministrës së Ekonomisë dhe të zyrtarëve të tjerë), të bëra bukur si shpesh, qoftë para mysafirëve të rastit, qoftë në foltorët e institucioneve të rëndësishme të vendit për të ndërtuar kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme.

Reklama e sponzorizuar

Shkurt, ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e parë të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbërt. Në këtë mënyrë, duket madje goxha e zymtë përspektiva e premtuar për impiante të reja, dhe, patjetër, e vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga ministrja Rizvanolli dhe strategjisë energjetike të Kosovës 2022 – 2023, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.

Dhe, Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë në Kosovë.

Por, ka fare pak vepra dhe vazhdon të mungojë prezantimi i tyre. Praktikisht, pos ndërtimit të dy kapaciteteve që ia vlen të përmenden – ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatësh, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar.

Ndërkohë, që fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për “rrugën me lule” të Kosovës për dekarbonizimin e Kosovësë vazhdojnë nga zyrtarët. Së fundi, ditë më parë, sërish Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me një delegacion të lartë të zyrtarëve e bizneseve të ndryshme amerikane (Partnership Opportunity Delegation-POD) të organizuar nga Zyra e Partneriteteve Globale e Departamentit amerikan të shtetit, foli për faktin që Kosova është në një moment të rëndësishëm të përcaktimit të së ardhmes energjetike dhe foli për fokusin e veçantë drejt dekarbonizimit. Ajo potencoi rëndësinë e diversifikimit, si dhe integrimit masiv të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Ndërkohë, ministrja Rizvanolli, para delegacionit amerikan në mesin e të cilëve ishin edhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë, “mburrej” duke theksuar se “Kosova është e gatshme të luajë rol udhëheqës në rajon drejt sigurisë dhe tranzicionit energjetik”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, jo vetëm me këttë rast shfaqi optimizmin e saj për Kosovën e dekarbonizuar dhe me përplotë kapacitete të energjisë së rinovueshme. Ajo, jo njëherë, gjatë këtyre dy viteve apostrofoi numra dhe shifra të synimeve dhe vizioneve për të shtuar megavatët e energjisë së ripërtëritshme, por edhe përcakoi afate, duke përmendur vite konkrete që janë goxha të afërta për ngritjen e kapaciteteve prodhuese për energjinë e gjelbërt.

Sipas saj, Kosova deri më 2025-tën, do të arrijë të ketë kapacitete deri në 500 megavatë të energjisë së ripërtëritshme, duke i shtuar kapacitetet e energjisë diellore. “Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze për sa i përket shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Gjatë dy-tre vjetëve të ardhshëm do të arrihet që Kosova të ketë kapacitete prodhuese prej 500 megavat të energjisë së ripërtëritshme. Kjo do të bëhet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore, që do të thotë se në vitin 2025 do të kemi dy herë më shumë të kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, krahasuar me ato që i kemi pasur gjatë vitit 2021”, ka theksuar në shumë raste ajo. Dhe, ka saktësuar se deri në vitin 2031 do të arrijnë 1.400 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, duke ndërtuar kapacitetet e reja të erës dhe diellore.

Ministrja në këtë periudhë, sidomos gjatë vitit 2022, shpalosi shumë herë edhe vizione të tjera për të pasur sa më shumë dhe sa më shpejtë energji të ripërtëritshme Kosova, të elaboruara nga institucionet kompetente vendimmarrëse kosovare dhe nga analiza teknike nga një grup i ekspertëve të pavarur. Ndër të tjera, ajo ka sqaruar se integrimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet do të mundësohet falë baterive në kapacitet prej së paku 170 megavatë, ose duke krjuar 340 megavatë orë rezervë të energji elektrike. Mjaft ambicioz ishte edhe synimi i bërë publik nga ministrja se “deri në vitin 2031 synojmë që së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotja nga termocentralet të ulet për së paku 32 për qind”.

Këto, gjithsesi, janë synime ambicioze, për Kosovën e vogël dhe të brishtë financiarisht. Por, realizimi i këtyre parashikimeve duhet thënë se po ecën fare plogshtë, pa ndonjë dinamikë konkrete, dhe që tani shihet se sa e vështirë do të jetë realizimi i këtyre projekteve të synuara.

Ndërsa njohëit e mirë të kësaj fushe theksojnë se për t’i përmbushur objektivat e Strategjisë, duhet përkushtim, angazhim i madh dhe i sinqertë i përgjegjësve dhe shpenzim maksimalisht racional i parave të dedikuara për projektet e pritshme të energjisë së rinovueshme që do të nisin të ndërtohen. Ekipet, bartëse të ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë së rinovueshme, duhet të kenë njerëz të aftësuar, që njohin trendet më të reja teknologjike të energjisë së ripërtëritshme, të jenë menaxherë të zotët dhe të dëshmuar në investimin dhe qeverisjen e parasë publike.

Natyrisht, paraprakisht duhet siguruar paratë e nevojshme për ndërtimin e këtyre projekteve, për të cilat, së paku deri më tash, bota dhe institucionet monetare ndërkombëtare në shumicën e herave nuk janë treguar dorështrënguar. Përkundrazi, ata deri tani janë treguar dorëlirë për të financuar të gjitha projektet e mira dhe të bindshme të energjisë së rinovueshme.

Këto, patjetër, duhet t’i kenë parasysh institucionet tona që do të angazhohen për ngritjen e kapaciteteve të synuara të energjisë së gjelbërt. Dhe, po qe se realizohen këto që u thanë më lartë, Kosova ka mundësi reale të përmbushë objektivat e Strategjisë energjetike 2022-2031 edhe për faktin se tashmë po del dhe po shihet se ka resurse reale të natyrës për të ndërtuar këto kapacitete të reja, qoftë të bazuara te era, qoftë te dielli, përkundër jo pak paralajmërimeve skeptike për mundësi të reduktueshme të Kosovës si rrjedhojë e mungesës së resurseve natyrore për energji të gjelbërt.

Gjithsesi, tashmë, pas shpalljes së synimeve dhe objektivave të draft-strategjisë energjetike 2022-2031 (pakuptueshëm pse po zvarritet mbi një vjet miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës), për dekarbonizimin e Kosovës dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme, shteti e pushteti i Kosovës, duhet shpejtuar, me urgjencë duhet shkurtuar procedurat e stërgjatura të kërkuara deri më tash për të nisur kapacitetet e reja elektroenergjetike alternative, qoftë solare, apo në bazë të erës.

Dhe, sipas ekspertëve, mendimet e të cilëve shumë herë, tashmë i ka bërë publike Buletini Ekonomik, sado që Kosova, nuk i ka kushtet ndër më të mirat për të pasur kapacitete efektive dhe potente të energjisë së rinovueshme, ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit dhe parqe të energjisë me erë për të prodhuar sasi të çmueshme të rrymës për nevojat e veta. Kjo është gjendja aktuale sa i përket kapaciteteve prodhuese dhe potencialeve për të prodhuar më shumë energji të rinovueshme. Nuk është e shtruar me lule kjo situatë, siç pretendojnë ta paraqesin autoritetet. Duket madje goxha e zymtë, e vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga ministrja Rizvanolli dhe zyrtarë të tjerë.

Por, gjithsesi, nuk është e pamundur. Në radhë të parë duhet të nisë ndërtimi i ndonjë kapaciteti të ri dhe, për një të tillë, Kosova, edhe kështu si është e varfër, ka para edhe të vetat. S’ka zgjidhje tjetër. Tani, nuk ka më kohë për pritje dhe kalkulime. Shpejt Kosova mund të mbetet edhe më shumë pa energji elektrike, nëse nuk ndërmerret hapi i nevojshëm, i mençur dhe i analizuar detajisht edhe për ruajtjen e ambientit, edhe për koston financiare, edhe për plotësimin e nevojave të konsumit kosovar me energji elektrike. Pa këtë hap nuk krijohet “rruga e re energjetike”, e paralajmëruar shumë e shumë herë nga ministrja Rizvanolli, “nëpër të cilën Kosova do të ecte për ta bërë sistemin energjetik më të pastër, më të besueshëm e më të decentralizuar”. “Rruga e re energjetike”, nuk krijohet as me ngritje të vazhdueshme të çmimeve të rrymës, gjithsesi. Gjithsesi nuk mjafton vetëm të thuash së “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të aplikojë një qasje të re për të adresuar sfidat aktuale dhe për të vendosur themelin për një të ardhme të sektorit të energjisë të vendit, e cila gjithnjë e më shumë po përpiqet të ofrojë siguri të furnizimit me energji elektrike, energji të pastër, efiçiencë të energjisë, dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve e përkrahje për grupet e cenueshme”. Përfundimisht, sivjet nuk duhet të mjaftohemi vetëm me retorikë të bukur dhe vetëm më fjalët e këndshme. Shkurt, Kosova duhet ta nisë më në fund ndërtimin e një kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së rinovueshme. /Buletini Ekonomik