Raporti i BQK-së konfirmon rritjen e kamatave nga bankat

Rritja e normave të interesit për kreditë bankare në sektorin bankar të Kosovës tashmë është reflektuar edhe në raportet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Mesatarja e normës së interesit në muajin janar 2023 ka arritur në 6.6 për qind, krahasuar me 6.3 për qind sa ka qenë në muajin dhjetor 2022. Kështu thuhet në raportin mujor për muajin janar 2023 të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

Kreditë për ekonomitë familjare kanë pasur rritjen më të madhe të normës së interesit. Prej 5.9 për qind sa ka qenë në dhjetor të vitit të kaluar, ka arritur në 6.3 për qind në janar të këtij viti. Ndërsa, norma e interesit për kreditë konsumuese ka arritur në 6.5 për qind, prej 6.4 për qind sa ka qenë vitin e kaluar.

Reklama e sponzorizuar

Një parashikim për rritjen e normave të interesit në sektorin bankar e kishte bërë BQK-ja duke u mbështetur në vendimet e Bankës Qendrore Europiane. Banka Qendrore ka thënë se kriza pandemike rriti fillimisht pasigurinë e aktorëve në sistemin financiar për presion të mundshëm në menaxhimin e likuiditetit. Mirëpo, sipas BQK-së rritja e preferencave për kursime kundrejt shpenzimeve, por edhe e mundësive të reduktuara dhe pasigurive për të shpenzuar në kohë të krizës, ndikoi që bilanci i financimit të bankave të jetë në favor të pozitës së likuiditetit, pozitë që u trashëgua edhe në vitin 2021.

“…kostot e mbajtjes së likuiditetit do të sfidohen me rritjen e normave të interesit në nivel global të cilat transmetohen direkt përmes financimit nga bankat amë. Politikat monetare të disa bankave qendrore veçse janë kundërpërgjigjur rritjes së inflacionit përmes rritjes së normave bazë të interesit. BQE ka hezituar të ndërhyjë dhe ndryshoj politikën monetare në gjysmën e parë të vitit 2022, kryesisht si pasojë e ndikimit që pritet të ketë rritja e kostos së financimit në disa nga ekonomitë e BE-së (recesionit potencial) dhe dobësimit të mëtejmë të euros”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” të BQK-së.

“Megjithatë, rritja persistente e inflacionit në nivele të papara në dekadën e fundit ka ndikuar që BQE të sinjalizoj për vendimin potencial të rritjes së normave të interesit në mbledhjen e këshillit në korrik 2022. Ndryshimet në normat e interesit në BQE do të afektojnë indirekt kostot e mbajtjes së likuiditetit dhe kostot e financimit në vend. Për më tepër, përkundër normës së lartë të likuiditetit në nivel sektori, shumica e bankave kanë shënuar rënie të raportit të likuiditetit nga viti i kaluar, ndër të cilat disa me rënie më të theksueshme”, vazhdon raporti.

Banka Qendrore Europiane, për herë të parë pas 11 vjetësh, ka vendosur t’i rrisë normat e interesit në përpjekje për të kontrolluar rritjen e inflacionit në Eurozonë. Siç ka bërë të ditur ky institucion më 21 korrik 2022, aktualisht janë rritur normat bazë të interesit për 0.5 për qind në 0.0 për qind, ndërsa planifikohen edhe rritje të tjera gjatë vitit. Sipas Bankës Qendrore Europiane, kur çmimet në ekonomi rriten shpejt, domethënë kur inflacioni është shumë i lartë, rritja e normave të interesit ndihmon në rikthimin e inflacionit në objektivin prej 2 për qind, në një periudhë afatmesme.

Në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit, bazuar në politikat e tyre afariste. /Buletini Ekonomik/