Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu, ka thënë se kompania suedeze e veturave, “Volvo” së shpejti do të hap degë të re në Kosovë. Këtë konfirmim tha se e ka marrë nga ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, raporton Ekonomia Online.
Kryeziu tha se me ambasadorin Westerlund, kanë folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe se ka marrë premtimin e Suedisë se do ta ketë përkrahjen e saj në këtë drejtim si udhëheqëse e BE-së për gjashtë muaj.
“Biseduam për atë se çfarë po kalon Kosova dhe për ndihmën që Suedia afron për Kosovën. Suedia ka qenë një ndër vendet e para që ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Me marrjen e presidencës, ata janë të gatshëm që të na ndihmojnë edhe me tutje në këto procese”.
“Do ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe do të kemi edhe takim me dy komisionet parlamentare. Qoftë, me një ftesë, që deputetët suedez të vijnë në Kosovë por edhe ne të shkojmë atje. Meqenëse Suedia e ka mbështetur Kosovën në çdo aspekt, ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje”.
Përveç kësaj, Kryeziu tha se ka marrë premtimin e ambasadorit Westerlund se do ketë investime suedeze në Kosovë, teksa kompania e veturave “Volvo” së shpejti do ta hapë një degë në Kosovë.
“Një gjë e rëndësishme që është thënë nga ambasadori është se do të sillen investitorë të huaj. Na u tha se jo shumë larg, kompania e veturave ‘Volvo do të hap degë të re në Kosovë”, u shpreh ajo.