ZRRE tregon tre faktorët që ndikuan në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike

Më 30 mars 2023, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e tij të tretë (III) për këtë vit, ku është vendosur edhe përcaktimi i tarifave të reja për energjinë elektrike.

Bordi vendosi që energjia elektrike në Kosovë të shtrenjtohet për 15.4 për qind.

“Qëllimi i përcaktimit të tarifave është reflektimi te kostove të shërbimit për secilin aktivitet të sektorit të energjisë elektrike, ashtu që të garantohet siguria dhe vazhdueshmëria e furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Reklama e sponzorizuar

ZRRE thotë se tarifat e energjisë elektrike të aprovuara reflektojnë koston e shërbimit për secilin aktivitet ashtu që të mos cenohet siguria dhe vazhdueshmëria e furnizimit me energji elektrike.

“Tarifa e aprovuara duhet te mbulojnë kostot investive të nevojshme në Termocentralet, investimet në rrjetin e Transmetimit dhe Shpërndarjes, reflektimin e kostove me shumicë dhe të operimit”.

Tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të aprovuara do të jenë në masën 15.4% më të larta për çdo kategori të konsumatorëve të rregulluar.

Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e kostove të furnizimit sipas ZRRE-së janë:

“Rritja e çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. Edhe pse në vitin 2023 çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane shënuan rënie në krahasim me vitin 2022, ato vazhdojnë të jenë më të larta në krahasim me çmimet që mbulojnë tarifat aktuale”.

“Kapacitetet e kufizuara gjeneruese në vend për të plotësuar kërkesën në rritje detyrojnë Kosovën të blejë sasi më të mëdha të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe ndërkombëtar”.

“Shkalla shumë e lartë e inflacionit, nga 0.25% deri në 1.75% në periudhën 2018 deri 2020, në 8.39% në vitin 2022, ndikoi në rritjen e konsiderueshme të kostove tek furnizuesit e energjisë elektrike”, thuhet tutje në njoftimin e ZRRE-së.

Çmimet e reja të energjisë do të aplikohen nga data 1 prill 2023.