Euro e ka nisur edhe këtë javë me një rënie të lehtë në kursin e këmbimit me lekun.
Monedha europiane u këmbye sot me 112.82 lekë, në rënie me 0.01 pikë krahasuar me fundin e javës së kaluar. Megjithëse rënia e ditës së martë ishte në vetvete pothuajse e papërfillshme, ajo ka një domethënie për sa i takon rekordeve statistikore, sepse e çoi kursin e euros në një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.
Rekordi i mëparshëm kishte qenë vlera e 112.83 lekë, e regjistruar në datat 28 dhjetor 2022 dhe 7 prill 2023.
Me hyrjen e tremujorit të dytë të vitit, euro po e thellon më tej rënien në kursin e këmbimit me lekun. Agjentët shprehen se tregu në vijimësi karakterizohet nga prurje të mëdha të euros dhe një kërkesë e ulët për monedhën europiane.
Deficiti i bilancit të llogarisë korrente vitin e kaluar u përmirësua, ndërkohë që të ardhurat nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja direkte shënuan vlerën më të lartë në të paktën 15 vitet e fundit. Duke shtuar edhe prurjet nga kanalet informale, kjo situatë ka rritur ndjeshëm ofertën e euros në tregun e brendshëm valutor. Kjo provohet në mënyrë të tërthortë edhe nga rritja e vazhdueshme e depozitave bankare në euro, që po vazhdon edhe në muajt e parë të vitit 2023.
Nga ana tjetër, natyra shtrënguese e politikës monetare dhe fiskale për vitin 2022 dhe muajt e parë të vitit 2023 teorikisht e mbështesin një mbiçmim të lekut në kursin e këmbimit me euron.
Rënia e fortë e euros në kursin e këmbimit valutor ka ndikime të rëndësishme në ekonominë shqiptare. Kjo rënie i bën më të lira importet e mallrave dhe të shërbimeve. Leku i fortë ka luajtur një rol të konsiderueshëm në zbutjen e presioneve inflacioniste nga jashtë dhe ka ndikuar, pjesërisht, në një nivel më të ulët të inflacionit krahasuar me shumicën e ekonomive rajonale dhe europiane.
Rënia e euros e bën më të lirë edhe turizmin e shqiptarëve jashtë vendit, që gjatë vitit 2022 dhe pjesës së parë të vitit 2023 ka vijuar rritjen me ritme të shpejta. Përfitime të konsiderueshme nga rënia e euros kanë kredimarrësit me të ardhura në lekë dhe kredi në monedhën europiane. Dobësimi i euros ka zbutur pjesërisht efektin e shtrenjtimit të kredive afatgjata, për shkak të rritjes së euriborit.
Por, nga ana tjetër, forcimi i monedhës vendase ka një ndikim negativ për sektorët eksportues të mallrave dhe shërbimeve. Në teori, një forcim i monedhës vendase e ul konkurrueshmërinë e bizneseve që i shesin mallrat dhe shërbimet në valutë të huaj, sidomos në sektorin e fasonerisë. Forcimit të lekut po i shtohet një presion në rritje nga tregu i punës dhe vendimet i qeverisë për rritjen e pagës minimale.
Rënia e euros ndikon negativisht edhe sektorin e turizmit, që i realizon shitjet kryesisht në monedhën euro. Zhvlerësimi i euros mund të ndikojë në një rritje të çmimeve në aktivitetet e sektorit turistik, sidomos ato të hotelerisë dhe restoranteve. Në këtë mënyrë, forcimi i lekut teorikisht e ulë konkurrueshmërinë e sektorit turistik në Shqipëri, që sidoqoftë pas pandemisë ka arritur nivele rekord në numër vizitorësh dhe të ardhura të gjeneruara.
Forcimi i lekut ndikon negativisht edhe atë shumicë të depozitave bankare që mbahet në monedhën euro. Megjithatë, ky zhvlerësim nuk duket t’i ketë shqetësuar shumë depozituesit në euro dhe pesha e kursimeve në monedhën europiane ka vijuar të rritet. Kjo mund të shpjegohet edhe me euroizimin e lartë të ekonomisë dhe me faktin që shumica e aseteve me vlerë të lartë tregtohen në euro. /Monitor.al/