Rama akuzon MF-në se po bllokon të hyrat vetanake: Veprim i qëllimshëm për të ndalur zhvillimin e kryeqytetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar lidhur me bllokimin e të hyrave vetanake nga Ministria e Financave, duke thënë se është një veprim i qëllimshëm nga Qeveria e Kosovës.

Rama me anë të një reagimi në Facebook tregon se qytetarëve të kryeqytetit janë bllokuar 28.8 milionë euro, të parapara për 172 projekte kapitale.

“Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake. Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave”, thuhet në reagimin e Ramës.

Reklama e sponzorizuar

“Si kryetar i kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë. Janë 28.8 milionë euro të parapara për 172 projekte kapitale të kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”, vijon ai.

I pari i kryeqytetit kërkon që MF-ja që urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake siç është e paraparë në Kushtetutë dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale.

“Kërkoj nga ministri i Financave që të mos bllokojë dhe urgjentisht të bëjë bartjen e të hyrave vetanake të Prishtinës dhe të komunave, në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin përkatës për vetëqeverisje lokale”, kërkon Rama.

Në fund, ai shprehet se nëse këto mjete nuk autorizohen atëherë do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”, përfundon ai. /Telegrafi/