Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) gjatë vitit 2022, ka realizuar gjithsej 237 pagesa të jashtëligjshme për pensione pas vdekjes së përfituesve. Këto pagesa, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), kanë arritur vlerën totale prej 46 mijë e 203 euro.
Sipas Ligjeve perkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme në Kosovë, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve, përcjell Buletini Ekonomik.
“Nga krahasimi i të dhënave/ MFPT dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil kemi gjetur se gjatë vitit 2022 janë realizuar gjithsej 237 papagesa, në vlerë totale 46,203€ për pensione pas vdekjes së përfituesve”, thuhet në raportin e auditimit nga ZKA-ja për Ministrinë e Financave.
Sipas ZKA-së, edhe pse gjatë vitit 2022 ka pasur një rënie të gabimit financiar për pagesat e pensioneve për personat e punësuar si dhe pensionet e paguara pas vdekjes, ende mbetet sfidë menaxhimi i tyre.
“Duhet theksuar se te kjo kategori e skemave pensionale krahasuar me vitin paraprak ka një progres të theksuar pasi vlera e pagesave të parregullta në raport me vitin 2021 ishte zvogëluar për 418,918€ (Vlera e gabimit në 2021 ishte 465,121€, kurse në 2022 ishte 46,203€). Veprimet ishin ndërmarrë kryesisht nga largimi i përfituesve pas vdekjes në listat e pensioneve bazë dhe ato të kontributeve”, thuhet në raport.
Nga ZKA-ja shpjegojnë se pagesat pas vdekjes së përfituesve, ndodhin kryesisht si rezultat i lajmërimit me vonesë, apo edhe kur vdekjet e përfituesve nuk ishin regjistruar me kohë në ARC, dhe ministria nuk kishte informata për rastet.
Megjithatë, përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dhe mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave shkaktojnë pagesa të parregullta, duke dëmtuar kështu buxhetin e Ministrisë.
ZKA i rekomandon ministrit të Financave që të analizojë në hollësi çështjen e këtyre pagesave dhe të shqyrtojë mundësitë për kthimin e tyre nga shfrytëzuesit në llogarinë e buxhetit.
“Gjithashtu duhet të siguroj forcimin e kontrolleve të brendshme në mënyrë që të krijoj një komunikim më efektiv ndërmjet databazave të skemave pensionale”, vijon rekomandimi i ZKA-së.
Përveç këtyre pagesave pensionale që kanë dëmtuar buxhetin e vet ministrisë, Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë vitit 2022 ka identifikuar një shumë prej 1,696,939 eurove që janë paguar jashtë kritereve të përcaktuara ligjore, apo pa një bazë të qartë ligjore nga kjo ministri.
Gjithashtu, ZKA-ja potencon se për shkak të mos harmonizimit të legjislacionit për skemat pensionale, në Kosovë vazhdojnë edhe pagesat ndaj përfituesve që gëzojnë më shumë se një pension.
Nga krahasimi i të dhënave të MFPT-së për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK-së, ZKA-ja ka vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale. Vlera e gabimit financiar për këtë kategori për vitin 2022, ishte 275,302 euro, ku krahasuar me vitin e kaluar vlera e gabimit ka rënie për 130,011 euro. /Buletini Ekonomik/