Mbështetja për javën e punës me katër ditë, po vazhdon të përhapet në shumë vende të botës. Dhe tani, drejtuesit e bizneseve kanë filluar ta përkrahin këtë mënyrë të re të organizimit të javës së punës.
Pandemia e Covid-19, krijoi më shumë mundësi për punonjësit, që të punojnë në distancë dhe të rivlerësojnë se çfarë do të thotë për ta ekuilibri punë-jetë.
Një studim nga Eagle Hill Consulting, zbuloi se 83% e të anketuarve thanë se, java e punës me katër ditë do të lehtësonte burnout.
Ndërsa, sipas sondazhit të Joblist, java e punës me katër ditë është ajo që kërkojnë 94% e punëkërkuesve, në fuqinë punëtore amerikane.
Pse drejtuesit e bizneseve mbështesin javën e punës 4-ditore
Tani, që mundësia e javës 4-ditore të punës, po përkrahet nga politikëbërësit, B2Breviews.com anketoi mbi 1000 drejtues biznesesh dhe punonjës, për të fituar njohuri mbi perspektivat e tyre, për kalimin e mundshëm në një javë më të shkurtër pune.
Ata zbuluan se, mbi 60% e drejtuesve të bizneseve, mbështesin zbatimin e një jave pune 4-ditore dhe 80% të punonjësve, mbështesin gjithashtu javën e punës 4-ditore.
Ndërsa, 45% e drejtuesve të bizneseve, besojnë se java e punës me katër ditë do të bëhet normë brenda pesë viteve të ardhshme ose më shpejt.
Studimi përmendi pesë arsye pse drejtuesit po përkrahin një javë pune më të shkurtër:
Kulturë më e mirë në vendin e punës – 62%
Rritje e fleksibilitetit për punonjësit – 61%
Rritje e krijimitarisë dhe inovacionit – 54%
Ulje e kostove operative – 39%
Ulje e mungesave në punë – 31%
Ndërsa java 4-ditore e punës po bëhet realitet për amerikanët, shumë drejtues biznesesh dhe punonjës, mbështesin një javë më të shkurtër pune, por kanë shqetësime për ndryshimin e mundshëm.
Sipas Steven Rydin, drejtues ekzekutiv në B2Breviews.com, “Mbështetja në rritje për javën 4-ditore të punës midis drejtuesve të bizneseve dhe punonjësve, ka ndikime të rëndësishme për punëdhënësit. Studimi zbuloi se, ndërsa vetëm 27% e drejtuesve të bizneseve zbatojnë javën 4- ditore të punës, 57% janë të gatshëm të pilotojnë idenë dhe 62% mbështesin zbatimin e saj nga qeveria federale.”
Pavarësisht nga tre përfitimet kryesore të një jave 4-ditore pune, Rydin përmend disa shqetësime të tilla si, ndikimi negativ në shërbimin dhe kënaqësinë e klientit dhe vështirësitë në planifikim dhe koordinim.
Përfitimet kryesore për punonjësit, janë rritja e kohës së lirë dhe ekuilibri më i mirë i punë-jetë, reduktimi i stresit dhe përmirësimi i shëndetit.
Por, Rydin thekson se punonjësit gjithashtu kanë shqetësime, si reduktimi i gatishmërisë në punë, kohët më të zgjatura të përgjigjes, që mund të shkaktojnë pakënaqësi të klientët, si dhe vështirësi për t’u përshtatur me ndryshimet.
Shumë punonjës besojnë se një javë pune katërditore – e zbatuar tashmë nga Kickstarter dhe Microsoft – krijon një strukturë më të madhe rreth punës dhe shton një ditë të lirë gjatë javës.
Bashkëthemeluesi dhe CEO i Monograph, Robert Yuen thotë se punonjësit e thjeshtë, kanë nevojë për më shumë kohë, kjo është arsyeja pse kompania e tij operon në një orar javor katërditor.
“Një javë pune katërditore u jep punonjësve hapësirën, për t’u kujdesur për veten e tyre, duke u ofruar gjithashtu hapësirë për zhvillim personal,” tha ai.
“Që kur startup-i teknologjik, nisi zbatimin e javës katërditore në 2019, kënaqësia e punonjësve ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.”
Rydin arrin në përfundimin, se zbatimi i javës 4-ditore, mund të jetë një situatë fitimi i dyfishtë, si si për punëdhënësit ashtu edhe për punonjësit.
Punëdhënësit duhet të marrin parasysh përfitimet dhe shqetësimet e mundshme të një jave pune 4-ditore, kur mendojnë ta zbatojnë atë në vendin të punës.
Përfitimet e mundshme në rritjen e produktivitetit, angazhimit dhe të ardhurave, mund të tejkalojnë kostot. Për më tepër, mund të jetë një mënyrë për të tërhequr dhe mbajtur talentet, në një treg konkurrues pune. / Forbes/ monitor.al/