Kursi i këmbimit të euros po vazhdon të shkojë në rënie të lirë, duke zbritur në 110.7 lekë. Krahasuar me majin 2022, zhvlerësimi llogaritet në 8%.
Monedha europiane po bie në rënie të lirë, duke u këmbyer këtë mesjavë 110.73 lekë, me kursin e Bankës së Shqipërisë.
Ky është një rekord i ri në zhvlerësimin e euros, i cili ka ecur në një trajektore zbritëse që nga fillimi i vitit 2022. Madje në raport, me të majin e vitit të kaluar, rënia rezulton 8%.
Agjentët e këmbimit valutor thonë se prurjet e monedhës europiane ngelen relativisht të larta nga individët. Bilanci tregtar i vendit, po ashtu ka dhënë ndikim në rrugën drejt pikiatës, ku deficiti tregtar është ulur me 70%.
Edhe turizmi po bëhet një faktor me ndikim gjithnjë e më të rëndësishëm në bilancin e pagesave, ku vetëm në një ditë vijnë mesatarisht 25 mijë vizitorë, 90% e të cilëve nga një vend europian që përdor euron si mjet pagese.
Zhvlerësimi i Euros godet bizneset eksportuese dhe ato subjekte që marrin të ardhura në valutë dhe kryejnë shpenzime në lekë. Këta të fundit kanë kërkuar ndihmë nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria, por për momentin duket se do të përballen me vështirësitë që prodhon kursi i këmbimit.