Të enjten, banka Norges u bë banka e parë qendrore perëndimore që rriti normat e interesit, pas fillimit të pandemisë së koronavirusit.
Pas uljes së normave tri herë në vitin 2020, për shkak të pasojave ekonomike nga kriza, banka qendrore e Norvegjisë vendosi të rrisë normat e interesit nga zero në 0.25%.
“Me normalizimin e ekonomisë, tani është e përshtatshme të normalizohet gradualisht edhe politika e normave të interesit”, tha guvernatori Oystein Olsen, në një deklaratë të enjten.
Banka tha se një rritje tjetër ka të ngjarë në dhjetor.
Monedha e Norvegjisë u rrit në nivelet më të larta kundrejt euros që nga qershori dhe fitoi 0.7% kundrejt dollarit amerikan.
Rritja e normës së interesit vjen pasi shumë banka qendrore po konsiderojnë lëvizje të ngjashme në sajë të rritjes ekonomike dhe rritjes së inflacionit. Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët e Rezervës Federale theksuan se së shpejti mund të ngadalësohet blerja e bonove. Banka Qendrore Europiane kohët e fundit e ngadalësoi blerjen e bonove, por lëvizja e normës aktuale nuk pritet të ndodhë ende.
“Rihapja e shoqërisë ka çuar në një rritje të dukshme të ekonomisë norvegjeze, dhe aktiviteti tani është më i lartë se niveli para-pandemik. Papunësia ka rënë dhe përdorimi i kapaciteteve duket se është pranë nivelit normal”, shtoi banka në deklaratë.