Në kuadër të planit investiv të Departamentit të Investimeve në KEDS, mbi 100 konsumatorë të lagjes Taslixhe të Prishtinës bëhen me rrjet nëntokësor.
Ky projekt, i cili ka filluar para afro dy vitesh, është në përfundim e sipër dhe kap një shumë prej mbi 100 mijë euro. Tashmë është vendosur një transformator, bashkë me ormanët tokësorë dhe kabllot nëntokësore, si dhe elementet e tjera përcjellëse.
Inxhinieri Fatos Hasolli, udhëheqës për mbikëqyrjen e projekteve të Tensionit të Mesëm në Departamentin e Investimeve, shprehet i kënaqur për realizimin e projekteve moderne që ndikojnë në përmirësimin e furnizimit të qëndrueshëm për konsumatorët tanë.
“Jemi të kënaqur kur puna jonë ndikon në përmirësimin e qëndrueshëm e kualitativ me energji elektrike, në veçanti në ato zona ku gjendja me furnizim ka qenë e rëndë, duke realizuar projekte moderne me shtrirjen e kabllove dhe infrastrukturës së nevojshme nëntokësore”, thotë ai.
Me realizimin e këtij investimi, edhe konsumatorët tanë në këtë lagje shprehen të lumtur, meqë përfitojnë një rrjet elektrik tërësisht të ri, që u mundëson furnizim me energji elektrike sigurt dhe shumë cilësor.
“Që njëzet vjet jetoj në këtë lagje! Ka ndodh që tensionin e kemi pasë jo më të lartë se 105V. Unë jam elektricist dhe e kam matë vetë”, thotë Ridvan Osmani, banor i kësaj lagjeje, duke falënderuar KEDS-in për punën e mirë.
Edhe Milazim Hajrizi, punëtor teknik i shkollës “Iliria” shprehet i kënaqur për rrjetin e ri nëntokësor, dhe falënderon KEDS-in për këtë projekt.
“Falënderojmë KEDS-in që na hoqi shtyllat e telat e na bëri me rrjet të ri nëntokësor”, u shpreh ai.
Në kuadër të planeve investive të KEDS-it, në qendrat kryesore të vendit tashmë janë eliminuar rrjetet ajrore, duke u zëvendësuar me ato nëntokësore.
Aktualisht, në mbarë Kosovën KEDS po realizon mbi 250 projekte të ndryshme kapitale.