Në kuadër të investimeve të planifikuara për ripërtërirjen e qenësishme të dy blloqeve të Kosovës B, sivjet, respektivisht që nga prilli 2023, njëri bllok i Kosovës B, për muaj të tërë do të jetë jashtë prodhimit (sipas zhvillimit të punëve riparuese, herë B1 herë B2). Kjo do të thotë se me rikthimin në funksion të A5-shit të Kosovës A, sistemi ynë elektroenergjetik ka përfituar diku rreth 130 megavatë-orë plus energji elektrike, por me ndërprerjen disa mujore në njërin bllok të Kosovës B, do të ketë minus 260 megavatë-orë. Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, “gjatë kësaj jave kanë siguruar nga Shqipëria një pjesë të energjisë që pritet të mungojë”.
Mehmet GJATA
Megjithë faktin e rikthimit të njësisë A5 në operim, pas remontit rreth 4 mujor dhe qëndrimit mbi 10 mujor jashtë procesit të prodhimit dhe me gjithë faktin se tashmë janë shtuar diku edhe rreth 130 megavatë të reja në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, gjatë muajve të ardhshëm të sivjetshëm, vetëm me prodhimin nga stabilimentet prodhuese të vendit, nuk do të mund të plotësohen nevojat tona energjetike.
Për të shpjeguar më saktë: mungesën e rrymës për nevojat e konsumit të vendit, megjithë të dhënat se në muajt e ardhshëm, deri në vjeshtën e vonë do të jetë ndjeshëm i zvogëluar, do të shkaktojë renovimi i planifikuar dhe goxha i detajuar i njësive të termocentraleve Kosova B, njëra pas tjetrës. Në të vërtetë, në kuadër të investimeve të planifikuara për ripërtërirjen e qenësishme të dy blloqeve të Kosovës B (për modernizimin e turbinave tashmë është nënshkruar kontrata në vlerë 47,9 milionë euro me General Electric-un e mirënjohur), sivjet, respektivisht që nga prilli 2023, njëri bllok i Kosovës B, për muaj të tërë do të jetë jashtë prodhimit (sipas zhvillimit të punëve riparuese, herë B1 herë B2). Kjo do të thotë se me rikthimin e A5-shit të Kosovës A, sistemi ynë elektroenergjetik ka përfituar diku rreth 130 megavatë-orë plus energji elektrike, por me ndërprerjen disa mujore në njërin bllok të Kosovës B, do të ketë minus 260 megavatë-orë.
Në këtë mënyrë, Kosova gjatë muajve në vijim (së paku gjatë gjashtë muajve), sipas planifikimit të KEK-ut do të ketë në vazhdimësi 3 blloqe të Kosovës A (nëse nuk ndodhë ndonjë defekt teknik i papritur dhe i paparshikuar në ndonjërën nga njësitë prodhuese) në prodhim, të cilët, secili veç e veç ka kapacitet diku rreth 130 megavatë-orë, ose bashkarisht rreth 390 megavatë dhe njëri bllok i Kosovës B që prodhon 260 megavatë-orë. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar në rrethanat më të mira, ose optimale, kur ka erë të mjaftueshme dhe sasi të bollshme të ujërave, plus rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).
Mirëpo, megjithë rënien e pritshme të konsumit të energjisë elektrike në muajt veror dhe që parashikohet të jetë diku ndërmjet 600 dhe 800 megavatëve, sasia e prodhuar në impiantet e vendit, diku rreth 650 megavatë, dhe plus energjia e rinovueshme, druhet se nuk do të mjaftojnë. Prandaj, shtrohet pyetja që tani, se si do ta kompenzojë mungesën eventuale të rrymës Kosova, së paku gjatë gjashtë muajve në vijim, pasi që është planifikuar që punët riparuese të zgjasin së paku 6 muaj, pasi që edhe një numër punimesh rinovuese janë planifikuar të bëhen në termocentraet Kosova B?
A do të importohet sasia e munguar, apo edhe sivjet do të mbështetemi te këmbimi i rrymës me Shqipërinë, gjegjësisht huazimi nga KESH-i i sasisë ditore që do të mungojë?
Rreth situatës së pritshme elektroenergjetike, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha këto ditë se “ është e rëndësishme që në këtë periudhë të jenë në funksione tri blloqet e “Kosovës A” për shkak të investimeve që po ndodhin në blloqet e termocentralit “Kosova B””.
“Na shtohen në kapacitete prodhuese 130 megavatë të ri. Kjo sigurisht që është një ndihmesë për t’i tejkaluar muajt e ardhshëm. Duhet ta kemi parasysh që në muajt e ardhshëm janë duke u bërë investime në bojlerët e termocentralit “Kosova B” në bllokun B1, pastaj në bllokun B2 që do të thotë që do t’i kemi nga një njësi të termocentralit “Kosova B” jashtë operimit andaj është tejet e rëndësishme që t’i kemi tri njësitë e Kosovës A në operim dhe mbrëmë ishte duke operuar kur isha aty”, shtoi Rizvanolli.
Ajo tha se me investimet që po bëhen në sektorin energjetik janë për 20 vitet e ardhshme dhe se gjatë kësaj jave kanë siguruar një pjesë të energjisë nga Shqipëria.
“Investimet që po bëhen janë për 20 vitet e ardhshme, investimet që po i bëjmë sivjet në ‘Kosova B’, por edhe në dy vitet e ardhshme ne po sigurohemi që sigurinë e furnizimit do ta kemi më të mire. Jetëgjatësinë e ‘Kosova B’ po e rrisim edhe do të kemi furnizim më të mirë për 20 vjetët e ardhshëm. Në afat të shkurtër sigurisht që kjo do të thotë se do të kemi pak sfida për shkak se nga një njësi ( e Kosova B) do të jetë jashtë operimit, por nga ana tjetër, mungesat janë duke u kompensuar nga njëra me operimin e 3 blloqeve të Kosovës A sa të jetë e mundur dhe nga ana tjetër, edhe me këmbimin me Shqipërinë, i cili po vazhdon edhe gjatë kësaj jave. Ne kemi siguruar një pjesë të munguar nga Shqipëria dhe kjo do të na ndihmojë që këtë periudhë ta kalojmë më lehtë“, u shpreh ministrja e Ekonomisë.
Sipas fjalëve të ministres, sërish, energjia elektrike nga Shqipëria, del të jetë edhe sivjet shpëtimtare për Kosovën. Këmbimi i energjisë, gjegjësisht huazimi nga KESH-i do t’i kursente shumë para Kosovës dhe do ta ndihmonte që t’u ikë pagesave enorme për rrymën e importuar nga tregjet e shtrenjta ndërkombëtare.
Siç dihet, edhe gjatë vitit të kaluar dhe deri në shkurtin e sivjetshëm përditë, javë dhe muaj të tërë një sasi e konsiderueshme e energjisë elektrike erdhi nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës.
KESH, sidomos pas të reshurave të mëdha të vjeshtës së vonë të 2022-tës dhe muajve të parë të këtij viti, ia ktheu borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar. Në saje të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthejë borxhet në rrymë dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjaftueshëm.
Siç ka njoftuar zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli për Buletinin Ekonomik, Korporata Energjetike e Kosovës gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 2022, ka deponuar në Shqipëri diku rreth 220 mijë megavatë-orë energji elektrike. Shqipëria në këtë periudhë ka pasur nevojë shumë për rrymë, për shkak të thatësisë dhe zbrazjes së liqeneve akumuluese në Kaskadën e Drinit. Ndërkohë, me ndodhjen e reshjeve të mëdha dhe me mbushjen e liqeneve akumuluese të hidrocentraleve shqiptare, sidomos gjatë sezonit dimëror, KESH-i nisi të kthejë borxhin e rrymës ndaj KEK-ut. Në këtë mënyrë, jo vetëm që ktheu borxhin, por tani del të ketë deponuar në KEK si hua diku rreth 34 mijë megavatë-orë.
Aktualisht, liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare janë thuaja të mbushura përplotë me ujëra, prandaj KESH hë për hë ka mundësi për të vazhduar të huazojë një sasi të energjisë elektrike KEK-ut. Sasinë e huazuar, Kosova do t’ia kthej si borxh në rrethanat e prodhimit optimal nga kapacitetet ekzistuese (termocentralet Kosova A dhe Kosova B), kur në to do të përfundojnë punët e filluara remontuese. Ndërkohë, përveç remonteve kapitale në njësitë e Kosovës B sidomos, në vitin e ardhshëm janë të parapara që të zbatohen një sërë projektesh, të cilat kanë për qëllim rritjen e kapacitetit të prodhimit dhe sigurisë së operimit të njësive. Në të dy blloqet gjatë 2024-tës për kohë të gjatë do të ketë edhe riparime të kalldajës, të cilat janë parakusht për fillimin e projektit për vendosjen e elektrofiltrave dhe DeNox, projekt ky që do të financohet nga Bashkimi Evropian. /Buletini Ekonomik/