Kosova, shteti i parë në Evropë që përfiton nga një program i FMN-së

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar konsolidimin fiskal të Kosovës duke miratuar programin e ri SBA dhe RSF.
Ai përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se në mbledhjen e javës së kaluar, Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka miratuar Programin e Aranzhimit për Gatishmëri (precautionary SBA) për Kosovë, në shumë prej 100 milionë Euro.
Bordi Ekzekutiv po ashtu ka miratuar edhe aranzhmanin e njohur si Resilience and Sustainability Facility në shumë prej 78 milionë Euro (61.95 milion SDR), gjë që bën Republikën e Kosovës shtetin e parë në Evropë që përfiton nga ky instrument.
Këto mjete, sipas Muratit, do të përdoren për investime në rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë së ripërtërishme.
“Gjatë diskutimit, Drejtorët vlerësuan lart punën e Qeverisë përgjatë viteve të fundit sa i përket adresimit të sfidave me të cilat vendi është përballur dhe arritjen e konsolidimit fiskal. Drejtorët në veçanti vlerësuan rezultatet në fushën fiskale, duke përfshi rritjen e të hyrave, zvogëlimin e informalitetit, dhe menaxhimin adekuat të buxhetit”, shkroi tutje Murati. /Buletini Ekonomik/