Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë muaj janë bërë gjashtë vjet prej kur për herë të parë dhamë propozimin e bashkë me të edhe zotimin për Fondin Sovran.
Kurti ka thënë se prej atëherë, Fondin Sovran ka qenë pjesë e secilës platformë tonë zgjedhore, përfshirë edhe programin qeverisës të Qeverisë Kurti 1.
“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka thënë se “170 shtete të botës, nga gjithsej rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Dy dekada pas, Kosova do të jetë pjesë e shumicës së botës dhe e trendit global”.
Ai tha se të dielën e 7 majit, në bashkorganizim me FES mbajtëm konferencën për themelimin e Fondit Sovran. “Projektligji që tashmë ka kaluar edhe konsultimet publike, shpejt do të miratohet në Qeveri”.
Kurti ka thënë se “sot para deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistë e ekspertë të pavarur, së bashku me anëtarë të kabinetit të qeverisë, e përkrah anëtarëve të grupit punues për hartimin e koncept-dokumentin, në krye me profesorin Besnik Pula dhe grupin punues juridik të drejtuar nga koordinatorja Rrezarta Pllana, prezantuam e diskutuam për atë që do të jetë bërthama e sovranitetit tonë ekonomik”.