Mashtrimi me grante në KIESA, bizneseve iu dolën paratë në llogari pa i plotësuar kriteret

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) gjatë viteve të fundit kanë dhënë subvencione në vlerë  qindra mijëra euro për biznese të ndryshme në Kosovë. Mirëpo, këto subvencione ka pasur raste që edhe nuk e kanë arritur cakun për të cilin ishin destinuar.

Që nga viti 2018 e deri në vitin 2020, KIESA, që është agjenci shtetërore në kuadër të Ministrisë së Industrisë, ka shpërndarë tek bizneset kosovare subvencione pa u siguruar që mjetet po përdoren për qëllimet e përfitimit të marrëveshjes, ka vlerësuar Auditori i Përgjithshëm në raportin auditues për KIESA-në.

MINT-i/KIESA pas shpalljes së përfituesve përgjatë këtyre viteve, kishin nënshkruar marrëveshje me kompanitë përfituese, në të cilën cekeshin disa obligime të cilat kompania përfituese duhej t’i përmbushte gjatë zbatimit të programit për një periudhë dyvjeçare pas nënshkrimit të marrëveshjes. Në marrëveshjet të cilat ka nënshkruar MINT-i/KIESA me kompanitë përfituese, përveç obligimeve tjera të përfituesit, ata ishin të obliguar të mbanin edhe numrin e të punësuarve siç e kanë paraparë në plan të biznesit dhe kontratë.

Reklama e sponzorizuar

Obligimet e kompanisë përfituese me këto kontrata ishin si në vijim:

Pika 1. Duhet të punësoj numrin e punëtoreve të cilët ka deklaruar në aplikacion deri me datë të caktuar;

Pika 1.4: Të dëshmojë me raport të ATK-së që ka punësuar numrin e punëtorëve të deklaruar në aplikacion deri me afat të përcaktuar më kontratë;

Pika 1.6: Punësimin sipas deklarimit dhe vlerësimit të komisionit duhet ta realizojë më së largu deri me datë të caktuar dhe të raportojë në MINT me raport të ATK-së.

Nga 28 përfitues në vitin 2019, vetëm 8 prej tyre kishin kryer të gjitha obligimet sipas kontratës, ndërsa 20 të tjerë nuk kishin realizuar punësimin sipas marrëveshjes, derisa, në vitin 2020 nga gjithsej 24 përfitues, 13 kishin kryer të gjitha obligimet, ndërsa 11 të tjerë nuk i kanë përmbushur kriteret e punësimit sipas marrëveshjes së nënshkruar me KIESA-n.

Kompanitë përfituese në momentin e shpalljes si përfitues nënshkruajnë marrëveshjen me MINT-in/KIESA-në se do ta realizojnë projektin ashtu siç e kishin paraparë gjatë aplikimit dhe i transferohen mjetet për blerjen e makinerisë. Megjithatë, edhe pse komisioni vlerësues kishte deklaruar se operatorë të caktuar nuk kanë plotësuar kriteret, MINT-i/KIESA në mungesë të ndonjë procesi për ndëshkim, nuk kishin ndërmarrë hapa fare për detyrimin e tyre për zbatimin e këtij kriteri.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), mos-përmbushja e këtij kriteri nga ana e kompanive paraqet problem sepse për çdo person që kompania kishte deklaruar në aplikacion se do ta punësonte, kishte përfituar nga 3 pikë gjatë aplikimit (ku maksimumi ishte 30 pikë për 10 të punësuar). Kjo më pas ka ndikuar që këta të shpallen edhe përfitues kundrejt aplikuesve të tjerë, të cilët kishin paraqitur punësim më të vogël në krahasim me këto kompani të cilat kanë përfituar dhe nuk e kanë realizuar ketë kriter.

MINT-i/KIESA që nga viti 2018 deri në vitin 2020, në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes me përfituesit kishte transferuar mjetet financiare në llogari të përfitueseve në mënyrë që t’i mundësonte ta blinin makinerinë.

Mirëpo, kjo kishte ndryshuar në thirrjen e vitit 2021 pasi që MINT/KIESA kanë vendosur që në momentin e nënshkrimit me përfituesit të kompanive, të transferohet vetëm gjysma e pagesës së përfituar, ndërsa gjysma tjetër të transferohej në momentin kur kompanitë të dëshmojnë në MINT-/KIESA se kanë blerë pajisjet dhe i kanë vendosur në prodhim. Pas kësaj, monitorimi i përfituesve për vitin 2021 ishte zhvilluar në vitin 2022 dhe vetëm për blerjen e makinerive nga ana e kompanive, në mënyrë që të transferohen mjetet tek përfituesit për shkak se i vetmi kriter për transferimin e mjeteve ka qenë blerja e makinerisë sipas kontratës ndërmjet MINT/KIESA dhe përfituesit.

Ndërsa, sa i përket vlerësimit të kriterit të punësimit, komisioni kishte paraparë edhe një monitorim tjetër gjatë vitit 2023.

Nga mostrat e përzgjedhura për kompanitë përfituese të viteve 2019-2021 shihet se vetëm 6 mikro-ndërmarrje, 2 të vogla, dhe 2 të mesme kanë respektuar marrëveshjet e tyre të punësimit, ndërsa 6 mikro-nderrmarrje, 3 të vogla dhe 4 të mesme nuk e kanë respektuar këtë kriter. /Buletini Ekonomik/