Nisin inspektimet në terren për programin e subvencioneve për pagesa direkte

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka parë nga afër ecurinë e inspektimeve për kulturat bujqësore dhe aplikuesit në Programin për Pagesa Direkte/Subvencione 2023, raporton Ekonomia Online.

Vizita e inspektimit u bë në fshatin Cërnillë të Ferizajt, ku fermeri Jeton Statovci tregoi për të mbjellat që i posedon. Tha se aktualisht i ka afër tetë hektarë me grurë.

I shoqëruar nga inspektoret e AZHB-së në komunën e Ferizajt, Peci tha se duke marr parasysh se këtë vit ka ndryshime në aspektin e kritereve të aplikimit dhe vlerësimit, kanë marrë vendim që inspektimi të bëhet në shtatë komuna të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

“Arsyeja e vizitës sime në Ferizaj është për të parë nga afër inspektimet që po realizohen nga inspektorë të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë. Viti 2023 është viti rekord i të mbjellave në territorin e Kosovës dhe ky rekord i të mbjellave duhet të shoqërohet edhe me rekordin e inspektimeve. Ne e kemi zgjedh inspektimin përveç formës sesi ka qenë herëve të kaluara, ne kemi përzgjedh shtatë komuna në shtatë regjione të Kosovës, në të cilat inspektimi për të gjitha kulturat bujqësore do të jetë 100 për qind”, tha Peci, teksa shtoi se dikasteri që ai e drejton do të kërkojë korrektësi edhe nga ana e fermerit.

“Synimi dhe ambicia jonë është që të rrisim meritokracinë dhe për të instaluar meritokracinë nuk mjafton vetëm vullneti politik i ministrit apo zyrtarëve në Ministrinë e Bujqësisë. Meritokracia duhet me u jetësu edhe nga ana e fermerëve. Ne po duam që të shohim në aspektin e dyanshëm korrektësinë edhe aplikimin korrekt edhe nga ana e fermerëve, jo si në formë të kërcënimit por çdo cent i taksapaguesve të shkojë në adresë të duhur dhe në këtë rast angazhimi jonë është që buxheti i Ministrisë së Bujqësisë ta ketë adresën e vetëm 100 për qind fermeri dhe për këtë arsye ne kemi përzgjedhur shtatë komuna në të cilat do të inspektohen të gjitha të mbjellat por edhe nga sektori i blegtorisë”, tha tutje Peci.

Ndërsa fermeri Jeton Statovci, tha se është i kënaqur me përkrahjen që ka marrë nga Ministria e Bujqësisë. Tha se falë kësaj mbështetje, ka arrit t’i mbjellë afër tetë hektarë grurë.