Forcimi i pazakontë i lekut veçanërisht gjatë muajve parazgjedhorë të këtij viti nuk po reflektohet vetëm te kursi i këmbimit me monedhën e përbashkët europiane, por edhe te dollari amerikan. Ky i fundit është zhvlerësuar veçanërisht duke nisur nga prilli me më shumë se 7% krahasuar me një vit më parë.
Këtë javë Dollari Amerikan ka rënë në vlerën rekord prej 101 lekësh, ndërkohë që edhe euro vijon nënçmimin duke u luhatur nën kursin mesatar të këmbimit prej 111 lekësh.
Dollari është kuotuar mesatarisht me 106.9 lekë dhe 103.1 lekë në muajt mars dhe prill, nga 108.0 lekë në dy muajt e parë të vitit dhe 114.5 lekë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Sipas analizës që i bën Banka e Shqipërisë ecurisë së kursit të këmbimit, kjo ecuri, përtej dobësimit të dollarit ndaj euros në tregun ndërkombëtar, reflekton në një masë të madhe edhe mbiçmimin e lekut kundrejt kësaj të fundit. Në muajin prill, një dollar është kuotuar mesatarisht 7.7% më poshtë se përpara një viti.
Ndërkaq, sa i përket monedhës së përbashkët Europiane, Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvlerësimi i saj është reflektim i ofertës se shtuar të valutës në tregun e brendshëm financiar. Ajo është diktuar nga përmirësimi i bilancit të pagesave si rrjedhojë e prurjeve të larta valutore, të cilat vlerësohet të jenë të pranishme edhe në muajt e parë të këtij viti. Si luhatshmëria e kursit eur/lek, ashtu edhe spread-i mes çmimit të kuotuar në shitje dhe atij në blerje, kanë qenë pranë vlerave normale të tyre. Ecurinë mbiçmuese të lekut, sipas Bankës së Shqipërisë, e përkrah edhe zgjerimi i diferencës pozitive mes normës së kthimit të fondeve në lekë dhe asaj në euro në tregun vendas.