Qeveria e Kosovës ka lansuar ankandin e parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100 MW në vlerë 75 milionë euro. Ky investim u bë me përkrahjen e USAID-it dhe u konsiderua si pikënisje për një epokë të re të zhvillimit të Kosovës në burimet e ripërtëritshme.
Kryeministri Albin Kurti tha se hapja e këtij ankandi është shumë i rëndësishëm për Kosovën drejt investimeve në sektorin e energjisë.
Ai tha se duke pasur parasysh progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, presin të vijnë investitor për energji solare.
“Shpalljen e këtij ankandi tonë të parë po e bëjmë në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë kur po marrim një ndër hapat kryesor drejt tranzicionit tonë të gjelbër dhe investimeve më të mëdha në sektorin tonë të energjisë, ndër dekada… Ky është hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh progresin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, kushtet janë që të vijnë investitorët”, tha Kurti.
Në anën tjetër, shefja e USAID-it Samantha Power, e cila po qëndron në Kosovë, tha se Kosova ka të ardhme të ndritur në sektorin e energjisë. Ajo tha se vendi është në rrugë të mirë që të ardhmen të ketë 40 për qind të energjisë në bazë të burimeve të ripërtëritshme.
“Kosova e ka një të ardhme të ndritur dhe tani do të kemi një energji të së ardhmes. Nuk duhet të vihet në pyetje kjo. Nuk do të këtë ndërprerje të energjisë, s’do të kemi shqetësime të mëdha me ndërmarrësit e teknologjisë në mungesë të energjisë. Këto diskutime besoj se nuk do t’i kemi më”, tha ajo.
Pjesë e konferencës për medie të premten, ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se përmes shpalljes së këtij ankandi Kosova po hynë në një epokë të re të zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme.
“Ankandi shënon pikënisjen e një epoke të re për zhvillim të qëndrueshëm në vendin tonë. Zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë nuk është një nocion i largët në funksion të mbrojtjes së fëmijëve tanë nga ndryshimet klimatike të cilat mund të ndodhin ose jo. Tash është e qartë se burimet e ripërtëritshme të energjisë janë të domosdoshme për të garantuar energji me çmime të përballueshme”, deklaroi Rizvanolli.