Rritet prodhimi i energjisë elektrike, bie importi për muajin mars

Në muajin mars të këtij viti, prodhimi bruto i energjisë elektrike nga termocentralet ishte 539.65 GWh, prej tyre nga hidrocentralet ishte 38.3 GWh si dhe nga era dhe ajo solare 31.3 GWh.

Krahasuar me muajin shkurt të këtij viti, në mars ka pasur 54 GWh më shumë prodhim të energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 681.41 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 468.49 GWh, ose 7.46% më i vogël, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Reklama e sponzorizuar

Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 14.86%.

Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në mars 2023 ishte 264.47 GWh ose 38 GWH më pak import krahasuar me muajin shkurt 2023, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 192.31 GWh ose 49 GWh më shumë se në muajin shkurt.

Ndërsa, importi i energjisë elektrike në shkurt të këtij viti ishte 302.33 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 143.7 GWh.

Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 4.61 mijë ton, ose 27.56% më pak sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak./Telegrafi/