Vetëm edhe sot afat për punëtorët e sektorit privat që të aplikojnë për 100 eurot shtesë

Punëtorët e sektorit privat kanë afat vetëm edhe sot për të aplikuar për shtesat prej 100 euro. Shtesat s’iu kanë dalë ende as atyre që kanë aplikuar, raporton Express.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, aplikimi mbyllet sot.

“Aplikimi për mbështetje nga kjo masë do të jetë i hapur nga data 𝟐𝟏 𝐩𝐫𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐞𝐫𝐢 𝐦𝐞̈ 𝟐𝟎 𝐦𝐚𝐣 𝟐𝟎𝟐𝟐”, kishte njoftuar Ministria, kur ishte hapur aplikimi.

Reklama e sponzorizuar

Por, për të marrë këto shtesa, punëtorët duhet të jenë të deklaruar si të punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022.

Ministria ka apeluar që punëtorët të kenë kujdes te plotësimi i të dhënave të kërkuara, meqë nëse të dhënat janë të pasakta, aplikuesi s’do të mund të përfitojë nga subvencionimi.

“Vlen të theksohet se të dhënat duhet të jenë të sakta, dhe llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit. Përndryshe, nëse të dhënat e plotësuara janë të pasakta, përfshirë numrin e llogarisë ankare, atëherë aplikuesi nuk do të mund të përfitojë nga subvencionimi.

Kusht për kualifikim për mbështetje nga kjo masë është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore shkurt 2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Për punëtorët që janë deklaruar në periudhën tatimore mars 2022, shtesat do të dalin tek në fund të qershorit, por që duhet të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj.

“Punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, që nënkupton se subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022”, thuhet në njoftim.

Mjetet s’kanë dal ende as për ata që kanë aplikuar.