Shteti, vetëm një soditës i rrënimit të gjendjes sociale të pensionistëve kosovarë

Në gjendjen e mjerë të pensionistëve kosovarë janë përgjegjëse të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës, pa dallim. Asnjëra nuk qe në gjendje kurrë që të aplikojë politika të përgjegjshme sociale, dhe me to të trajtojë sado pak dinjitetshëm pensionistët e këtij vendi. Dhe, siç po shihet, nuk bëri asgjë të vetme për pensionistët as Qeveria Kurti 2, sado që kryeministri aktual, gjatë fushatës së tij zgjedhore, kishte premtuar se Programi i tij qeverisës, që vitin e parë, do të përfshinte reforma për skemën pensionale edhe sociale.

Mehmet GJATA

Për pensionistët kosovarë (rreth 200 mijë sish sa ka Kosova sipas të dhënave zyrtare, prej tyre 49 mijë janë kontributpagues, ndërsa 149 mijë janë pensionistë “të pleqërisë”), që nga paslufta nuk pati asnjëherë asnjë vëmendje nga shteti, nga Qeveria, e as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Pensonistët në Kosovë janë totalisht të anashkaluar as nga qeveria aktuale, të “harruar” fare, sikur mos të ekzistonin. Nuk u bie ndërmend për ta as institucioneve të tjera që do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre.

Në këtë situatë të rëndë politike dhe të sigurisë në vend për shkak të zhvillimeve të ditura në veri të vendit, ndokujtë trajtimi i kësaj teme mund t’i duket edhe absurd, i pa akorduar shumë me momentumin që po kalon vendi. Por, po ua përkujtojmë lexuesve edhe një herë, se Buletini Ekonomik është medie e profilizuar që trajton qind për qind vetëm tema të zhvillimeve ekonomike, sociale dhe zhvillimore. Fundja, pak a shumë e njejta situatë politike ka mbretëruar edhe më më 24 maj, kur Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike në Kosovë që kanë pagë deri në 1 000 euro, duke anashkaluar dhe injoruar për të satën herë pensionistët e këtij vendi. Ne, thjesht, po e kryejmë detyrën tonë.

Dhe me këtë rast po përkujtojmë se në gjendjen e mjerë të pensionistëve kosovarë janë përgjegjëse të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës, pa dallim. Asnjëra nuk qe në gjendje kurrë që të aplikojë politika të përgjegjshme sociale, dhe me to të trajtojë sado pak dinjitetshëm pensionistët e këtij vendi. Dhe, siç po shihet, nuk bëri asgjë të vetme për pensionistët as Qeveria Kurti 2, sado që kryeministri aktual, gjatë fushatës së tij zgjedhore, kishte premtuar se Programi i tij qeverisës, që vitin e parë, do të përfshinte reforma për skemën pensionale edhe sociale. Por, Kurti jo vetëm që nuk solli ndonjë reformë të premtuar për skemën pensionale dhe sociale as pas dy vjetësh e më shumë qeverisjeje, por në periudhën e udhëheqjës së tij, si pasojë e krizës energjetike që përfshiu botën, dhe të luftës shkatërruese ruso-ukrainase si dhe pazotësisë së zyrtarëve të vendit për t’u përballur me këto pasoja (ngritjen e shfrenuar të çmimeve), u përkeqësua edhe më tej mirëqenia edhe ashtu e mjerë e pensionistëve të Kosovës dhe u bë thuaja e pamundshme jeta normale e tyre.

Qeverisja aktuale nuk qe në gjendje të përballet me shpërthimin e çmimeve të të gjitha produkteve të nevojshme, e sidomos të produkteve elementare ushqimore që patën ndikim të fortë në katandisjen e gjendjes së pensionistëve të Kosovës.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike dy herë brenda 13 muajsh dhe rritja enorme e çmimeve të prodhimeve ushqimore (qumështit, produkteve të bylmetit, vezëve, sheqerit, bukës dhe prodhimeve nga drithërat), mbështeti për muri pensionistët e varfëruar së tepërmi në shtetin më të varfër të Europës. Kurse, shteti, për këtë katandisje të tyre, ka zgjedhur rrugën më të lehtë të mundshme, duke mos ndërmarrë asnjë veprim të mundshëm për të ndihmuar këtë shtresë të popullsisë, të cilët me pensionet aktuale, nuk mund të përmbushin asnjë nevojë elementare të tyre, as blerjen e barnave të domosdoshme për shumicën e tyre. Shteti, vazhdon të mbetët një soditës margjinal i rrënimit të gjendjes sociale të pensionistëve, edhe në rastet kur preokupohet goxha shpesh për gjendjen materiale të nëpunësve dhe administratës së vet, të cilët, në vazhdimësi shquhen me paga 5-6 fish më të larta se pensionet shumicë në këtë vend.

Thënë me fjalë të tjera, pensionistët e Kosovës vazhdojnë të anashkalohen nga shteti e pushteti, të mos trajtohen fare, as si qytetarë të margjinalizuar madje. Ata thjesht sikur nuk ekzistojnë fare në Kosovën aktuale, për të cilën, shumica e tyre, e dedikuan një jetë të tërë. Nuk është se nuk pati rritje rrogash në këta muaj për kategori të tjera të përfituesve nga shteti. Disa herë u rritën rrogat e shërbyesve civilë, të punonjësve të sistemit arsimor dhe shumë të tjerëve. Por, për pensionistët nuk pati dhe vazhdon të mos ketë asnjë vëmendje nga Qeveria, e as nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, as nga autoritete e zyrtarë të tjerë, të cilët duhet ta dijnë se në këtë shoqëri ka edhe të moshuar që me vite të tëra punuan për këtë vend dhe tani në pleqëri nuk kanë mjaftueshëm as për të ngrënë, as për t’u mjekuar, e mos të flasim për të kaluar pleqëri të dinjitetshme. Nuk iu bie ndërmend për ta as institucioneve të tjera që do duhej ta kenë detyrë dhe obligim përkujdesjen ndaj pensionistëve dhe trajtimin më njerëzor të tyre.

Qeveria e Kosovës, sërish këto ditë, më saktësisht më 24 maj 2023 “harroi” fare se në këtë vend frymojnë edhe një shtresë e varfër, e katandisur dhe e varfëruar skajshmërisht, për shkak të moskujdesit shtetëror dhe shoqërorë ndaj tyre. Në këtë ditë, pra më 24 maj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për punëtorët e ndërmarrjeve publike në Kosovë që kanë pagë deri në 1 000 euro. Ministri i Financave, Hekuran Murati, siç transmetojnë mediet e vendit, me këtë rast tha se masat janë në vazhdimësi ose kanë rezultuar nga procedurat ankimore.

“Kemi të bëjmë me dy masa që janë në vazhdimësi, pra kemi të bëjmë me pagesa që kanë të bëjnë me vazhdimin ose që kanë rezultuar nga procedurat ankimore”, tha Murati.

Sipas tij, pika 1.4 e këtij vendimi parasheh ndarjen e 100 eurove shtesë në pagat e punonjësve të shtetit.

“Në kuadër të masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar, të gjithë punonjësit në ndërmarrjet publike që marrin pagë primare deri në njëmijë (1,000 €) e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shumen e njëhershme prej njëqind euro (100 €)”, thuhet në pikën 1.4 të masës 3.6 të pakos.

Dhe, prapë, për të satën herë, asnjë fjalë, dhe asnjë rritje as simbolike për varfanjakët e moshuar kosovarë. Kjo ndodhë vetëm në Kosovë, askund tjetër në botë, as në Europë dhe as në rajon. Kudo, edhe në vendet e varfëra, nuk margjinalizohen ata në këto përmasa, siç është bërë në vendin tonë në të gjitha vitet e pasluftës dhe nga të gjitha qeveritë. Dhe, heshtja dhe moskujtesa e institucioneve të vendit për pensionistët vazhdon. Shkoi edhe muaji maj i këtij viti dhe prapë asnjë fjalë për pensionistët. Asnjë zë i vetëm nuk u dëgjua në këta muaj të 2023-tës, as nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend, as nga opozita dhe krerët e saj, as nga prijësit e sindikalistëve të vendit, të cilët, së paku për obligim moral, do të duhej ta ngritnin zërin një herë të vetme për gjithë këtë injorim dhe mospërfillje totale ndaj brengave të pensionistëve të Kosovës.

Por, këta të gjithë të lartëpërmendurit, edhe përfaqësuesit e popullit, edhe krerët e opozitës edhe prijësit e sindikalistëve, nuk lanë rast, madje lanë namë me agresivitetin e tyre, gjatë insistimeve të parreshtura dhe të pamata fare për përcaktimin e koeficientit të pagave të tyre në Ligjin e Pagave. Nuk shquhen me ndonjë gjendje kushedi çfare financiare as vendet e rajonit, por të cilat, thuaja vazhdimisht, sidomos pas krizave të shkaktuara nga pandemia dhe ngritja e çmimeve, kanë ngritur pensionet, kanë ndarë mjete e donacione të ndryshme për pensionistë. Disa herë në muajt e fundit, varësisht nga shkalla e inflacionit, kanë ngritur pensionet Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Serbia e edhe Shqipëria.

Siç raportohet nga vendi fqinj, pensionet korrigjohen dy herë në vit, me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagës mesatare, që pastaj sigurohet edhe rritje e vazhdueshme e të hyrave pensionale. Në këtë tekst po prezantojmë edhe një të dhënë që flet për mungesën e përkushtimit të autoriteteve për pensionistët.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), këto ditë, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës në kundërshtim me afatet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, për Ligjin për skemat pensionale, ka marr vendim që Projektligji që adreson kërkesat e Kushtetueses sa i përket nenit që përcakton përmbushjen e kriterit të përvojës prej 15 viteve pune para janarit të viti 1999 për të gëzuar pensionin kontributdhënës, të shqyrtohet në Qeveri tek në fund të korrikut të këtij viti. Ndërkohë që Gjykata ka urdhëruar Kuvendin dhe Qeverinë, që jo më larg se data 15 korrik 2023, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji dhe se dispozita aktuale, për të cilën është konstatuar se është diskriminuese do të shfuqizohet po në këtë datë. Thënë më konkretisht, në Kosovë, sot e kësaj dite nuk po del të ketë kush të përkujdeset për pensionistët. Ata s’kanë kujt t’i shkruajnë dhe t’i ankohen për gjendjen e tyre. Vazhdon mospërfillja ndaj tyre, vazhdon të mos ketë rritje pensionesh, edhe pse ka, së paku deri tash, rritje çmimesh të produkteve elementare ushqimore, rritje çmimi të energjisë elektrike, paralajmërime për çmime të reja të ngritura, ka inflacion. /Buletini Ekonomik/