Si po ndryshon bota e punës

Kili së fundmi njoftoi planet për të ulur numrin e orëve të punës. Përgjatë pesë vitesh, kilianët do të punojnë vetëm 40 orë në javë, në vend të 45 orëve.

Së bashku me Ekuadorin, Kili do të ketë javën më të shkurtër të punës në Amerikën Latine – një rajon, që ka orët më të gjata zyrtare të punës në botë. Për krahasim, Argjentina, Meksika, Peruja dhe Panamaja kanë javë pune 48-orëshe, ndërsa në Brazil është 44 orë.

 

Reklama e sponzorizuar

Ligji kundër realitetit

Shumica e vendeve kanë orë pune të ligjshme, që i mbrojnë punëtorët nga detyrimi për të kryer shumë punë jashtë orarit. Por në të vërtetë, shpesh u bëhet presion për të punuar më shumë orë sesa kërkon ligji.

Shtetet e Bashkuara janë të famshme për kulturën e tyre, ku punojësit pritet të bëjnë disa orë punë jashtë orarit në javë. Disa sektorë të ekonomisë si ligji, financat dhe teknologjia, janë të njohur për grumbullimin e punës.

Punëtorët amerikanë punojnë mesatarisht 1,791 orë në vit, 442 më shumë se punëtorët gjermanë dhe 301 më shumë se punëtorët francezë, sipas statistikave nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (Organisation for Economic Co-operation and Development, OECD).

Jo të gjitha vendet po ndjekin shembullin e Kilit, për të shkurtuar orët e punës. Koreja e Jugut kishte planifikuar këtë vit, të rriste kohën maksimale të punës në 69 orë, pasi kompanitë u ankuan se 52 orë aktuale nuk ishin të mjaftueshme, për t’i ndihmuar ata të përmbushnin afatet.

Por, punonjësit më të rinj organizuan protesta masive kundër planit, duke e detyruar qeverinë të rishqyrtojë vendimin. Në vitin 2021, koreano-jugorët punuan zyrtarisht 1,915 orë.

Franca, u bë e famshme për futjen e një jave 35-orëshe në vitin 2000. Edhe pse u interpretua gjerësisht si përmirësim i balancës punë-jetë, masa ishte një përpjekje për të ulur papunësinë, e cila kishte arritur një nivel rekord, 12.5%. Java 35-orëshe ishte kufiri, ku duhet të fillonte puna e paguar jashtë orarit.

 

Sistemet politike, orari dhe cilësia e punës

Cilësia më e lartë e kushteve të punës – orët e punës, përfitimet, pushimet me pagesë, pensionet dhe sistemet shëndetësore – shpesh lidhet me demokracitë e vendeve të zhvilluara, ku kompanitë, sindikatat dhe shteti kanë zhvilluar një sistem të negociatave kolektive.

Megjithatë, kjo nuk shfaqet në të dhënat më të fundit, ku shumica e kombeve jo-europiane punojnë më pak orë në javë.

Në përgjithësi, vendet e zhvilluara kanë javë më të shkurtra zyrtare dhe më shumë ditë pushimi.

Burimi: International Labour Organization

Orari i punës i lidhur me argëtimin

Një nga vendet e OECD-së, në mesin e atyre me javët më të shkurtra të punës, është Danimarka, e cila renditet si një nga vendet më të lumtura në botë. Danimarka është e njohur për konceptin “hygge”, i cili përshkruhet si “krijimi i një atmosfere të ngrohtë dhe shijimi i gjërave të mira në jetë me njerëz të mirë”.

Në Francë dhe Gjermani, gjithashtu, shteti angazhohet për të krijuar ekuilibër punë-jetë. Njerëzit në Itali, ende gëzojnë balancën më të mirë punë-jetë, sipas OECD. Italianët e punësuar, kanë kohën më të madhe për argëtim dhe aktivitete personale, ndërsa vetëm 3% e punonjësve në vend punojnë me orë shumë të gjata (50 ose më shumë orë në javë).

Një tjetër faktor kryesor, që ndikon në kënaqësinë e punonjësve, janë të ardhurat e tyre. Klasa e mesme dhe klasa punëtore e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, kanë parë stanjacion ose rënie të pagave reale, që nga viti 1980, kur politikat monetariste – ose të ashtuquajturat neoliberale – u përhapën për herë të parë në ekonomitë anglo-saksone.

Me ardhjen e inteligjencës artificiale (artificial intelligence, AI), popullsisë në plakje dhe zhvendosjes në Azi të fuqisë prodhuese të botës, çështja e cilësisë së punës është përsëri në tryezën politike.

Ekuilibri më i mirë punë-jetë

Jeta e punës në një botë pas pandemisë

COVID bëri të mundur që dhjetëra miliona punonjës të punonin nga shtëpia, duke nxitur kërkesat për të mbajtur një ekuilibër më të mirë punë-jetë, duke shmangur udhëtimet e gjata në punë dhe kostot e kujdesit për fëmijët. Shumë kompani ende lejojnë stafin të punojë tërësisht në distancë, ose zbatojnë një sistem hibrid.

Consultancy McKinsey, llogariti se rreth 20% e fuqisë punëtore në ekonomitë e zhvilluara, mund të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia tre dhe pesë ditë në javë për një kohë të gjatë, pa ndikuar në produktivitet.

Futja e vizave të punëtorëve nomadë në shumë vende, u nxit nga kërkesat e punonjësve për të punuar nga kudo në botë, duke përfshirë Tajlandën, Spanjën dhe Kroacinë.

Vende të tjera po eksperimentojnë me javë pune katër-ditore, përfshirë Belgjikën, e cila tani i lejon punonjësit të zgjedhin, nëse do të bëjnë të njëjtin numër orësh gjatë një jave katër ose pesë ditore.

Në MB, dhjetëra kompani testuan ndikimin në produktivitet nga një javë 4-ditore. Pothuajse të gjitha firmat vazhduan me marrëveshjen e re.

Suedia dhe Islanda kanë kryer prova të ngjashme, ndërsa Spanja po ofron gjithashtu të subvencionojë pagat e kompanive, që do të marrin pjesë në eksperimentin e saj të ardhshëm.

Pavarësisht titujve të frikshëm, se qindra miliona vende pune do të zëvendësohen nga AI në të ardhmen e afërt, shumë përkrahës të teknologjisë i shohin platformat gjeneruese të AI si ChatGPT, si ndihmë për njerëzit.

Shumë argumentojnë se, do të duhen dekada për të zëvendësuar plotësisht njerëzit dhe deri atëherë, inteligjenca artificiale mund t’i ndihmojë ata, që ankohen për punë të tepërt, për t’u përqëndruar në detyra të tjera produktive. / Deutsche Welle