Situata elektroenergjetike në Kosovë: Më pak prodhim dhe më pak konsum se sa gjatë dimrit

Nga rikthimi i A5-shit në operim, KEK-u ka në punë tri njësi të termocentralit “Kosova A” (A3, A4 dhe A5) dhe një njësi të termocentralit “Kosova B” (B1) me gjithsej 650 megavatë orë rrymë, dhe dhjetëra megavatë nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme. Kjo sasi, pak a shumë, i përmbushë nevojat aktuale të konsumit të vendit, që është thuaja sa gjithsej prodhimi i këtyre ditëve.

Buletini Ekonomik

Situata elektroenergjetike në Kosovë nga e hëna e këtij muaji (22 majë 2023), kur është rikthyer në prodhim blloku A5 i termocentraleve Kosova A, është relativisht stabile, sado që aktualisht nga termocentralet e vendit prodhohet ndjeshëm më pak rrymë se sa në sezonin e dimrit. Stabilitetin relativ elektroenergjetik në vend e bënë të mundshëm, gjithsesi, rënia goxha e madhe e konsumit të energjisë elektrike në këtë muaj, por edhe huazimi i rrymës nga KESH-i në rastet kur te ne ndihet mungesë e rrymës.

Sipas KEK-ut, rikthimi i A5-shit që ka kapacitet 125-130 megavatë-orë, është bërë gjatë natës ndërmjet 21 dhe 22 majit, pas eliminimit të të gjitha mangësive teknike dhe vërejtjeve të evidentuara gjatë fazës testuese.

Reklama e sponzorizuar

“Pas fazës testuese njësia A-5 është rikthyer në operim. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ju njofton se njësia A5 pas përfundimit të remontit kapital dhe eliminimit të të gjitha vërejtjeve të evidentuara gjatë fazës testuese, kjo njësi është rikthyer në operim sot pas mesnate me datë 21 maj”, thuhej në njoftimin e KEK-ut.

Dhe, që nga rikthimi i kësaj njësie në operim, KEK-u ka në punë tri njësi të termocentralit “Kosova A” (A3, A4 dhe A5) dhe një njësi të termocentralit “Kosova B” (B1). Blloqet e Kosovës A, A3, A4 dhe A5 kanë kapacitetin prodhues diku rreth 130 megavatë-orë, që do të thotë se bashkarisht i japin sistemit elektroenergjetik të Kosovës, diku rreth 390 megavatë, ndërsa njësia B2 që është në punë nga Kosova B, ka kapacitet diku rreth 260 megavatë. Dhe, bashkarisht të gjitha termocentralet e KEK-ut, që aktualisht janë në punë, prodhojnë 650 megavatë.

Kësaj sasie, duhet shtuar, këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive, plus disa dhjetëra megavatë (në raste edhe 100 megavatë-orë) nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Në këtë mënyrë, sasia e prodhuar këto ditë, sidomos pak rikthimit të A5-shit në operim, pak a shumë është thuaja se e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit, i cili me nisjen e ngrohjes së motit, e sidomos gjatë majit ka shënuar rënie të ndjeshme.

Sipas të dhënave të distribucionit të vendit, konsumi këtyre ditëve sillet 650-700 megavatë-orë, që është pak a shumë i barabartë me prodhimin në kapacitetet vendore të energjisë elektrike. Ndërsa, në raste të mungesës së energjisë elektrike të prodhuar nga kapacitetet e vendit, duhet pasur parasysh edhe mundësinë që e ka KEK-u në bazë të marrëveshjeve reciproke për huazim të një sasie të rrymës nga KESH-i. Edhe më tutje, Shqipëria vazhdon të ketë goxha teprica të energjisë elektrike, që i kanë mundësuar reshjet e shumta të javëve të fundit. /Buletini Ekonomik/