Arrestohet dhe dërgohet në mbajtje pronari i VisaMetric

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se sot ka ndaluar për 48 orë drejtorin e kompanisë VisaMetric. Kjo kompani u kishte marrë qytetarëve të Kosovës nga 30 euro për një shërbim siç është kthimi i pasaportës në adresat përkatëse të klientëve, edhe pse në vendimin e Gjykatës Komerciale është cilësuar i jashtëligjshëm.

Pronari Ozdemir, është dërguar në mbajtje pikërisht për mosekzekutim të këtij vendimi gjyqësor.

Reklama e sponzorizuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes, ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore, derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.” – thuhet në njoftimin e lëshuar sot për media nga Gjykata Themelore e Prishtinës.