Vazhdojnë të mbeten të larta çmimet në Kosovë, inflacioni për muajin prill ishte 6.3 për qind

Inflacioni i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin prill ishte 6.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, derisa ishte 0.3 për qind në muajin mars 2023.

Kështu thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për indeksin e çmimeve, duke shtuar se rritje ka pasur në disa nga produktet bazike të konsumit.

IHÇK ishte më i lartë në një mesatare prej 0.3 për qind në muajin prill 2023, krahasuar me muajin paraprak.

Reklama e sponzorizuar

“Ngritje të çmimeve të konsumit ka pasur te pajisjet telefonike dhe të telefaksit me 27.2 për qind, shërbime për transport me 5.6 për qind, veshje dhe këpucë me 1.5 për qind, pije alkoolike me 1.5 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 1.2 për qind dhe pemë me 0.8 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind”, thekson ASK-ja, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te qumështi, djathi dhe vezët me 1.4 dhe perimet me 0.6 për qind, me një ndikim prej minus 0.1 për qind në IHÇK.

Çmimi mesatar në euro për disa artikuj dhe shërbime të konsumit | Burimi: ASK

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill ishte 6.3 për qind.

“Çmimet e konsumit për lëndë djegëse ishin 18.7 për qind, mallra dhe shërbime të ekonomisë shtëpiake ishin 17.3 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 16.6 për qind, prodhime ushqimore me 13.9 për qind, shërbime për transport me 13.4 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 12.8 për qind, mish me 12.4 për qind, mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit me 11.8 për qind, bukë dhe drithëra me 11.7 për qind dhe peshq me 10 për qind”, pohon raporti.

“Kujdesi personal me 8.3 për qind, mjete të kuzhinës me 8 për qind, shërbime hoteliere me 7.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao dhe 7.9 për qind, këpucë me 7.8 për qind, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera me 7.2 për qind, pije alkoolike me 6.8 për qind, mobilie dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje me 6.8 për qind, pemë me 6.1 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 6 për qind, perime me 5.1 për qind, duhan me 5, blerje e automjeteve me 3.2 për qind, rekreacion dhe kulturë me 2.8 për qind dhe veshje me 1.9 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6.9 për qind”, shton ASK-ja.

Mirëpo, rënie e çmimeve vërehet te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal me 0.6 për qind me një ndikim prej minus 0.6 për qind në IHÇK.

Pyper dhe Valicon në një sondazh të realizuar gjatë muajit shkurt ka gjetur se rritja e çmimeve vazhdon të jetë shqetësimi kryesor i qytetarëve në Kosovë.

Sipas këtij hulumtimi, del se Kosova po përjeton më pak përmirësim financiar sesa vendet e tjera të rajonit.

“Kosova po përjeton më pak përmirësim financiar sesa vendet e tjera. Të anketuarit po blejnë më pak se gjashtë muaj më parë. Inflacioni ka pasur ndikim të madh në Kosovë, ku 73 për qind e të anketuarve e kanë përmendur atë si shqetësimin kryesor”, thuhet në hulumtim. /Telegrafi/