Në Kosovë ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke e bërë real një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme.
Buletini Ekonomik
Kohëve të fundit, më saktësisht që nga fillimi i 2023-tës, në shumë vende të botës, politikat zhvillimore, me theks të veçantë investimet në energjetikë janë fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë solare, energjisë që përfitohet nga dielli. Këtë vit, siç transmetojnë mediet ndërkombëtare duke cituar kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (International Energy Agency, IEA), investimet në energjinë diellore do të tejkalojnë, për herë të parë, shpenzimet për prodhimin e naftës këtë vit. I gjithë ky investim, por edhe përqëndrim shtetëror dhe politik i shumë shteteve të botës në ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së pastër, po bëhet për të ndhmuar frenimin e emetimeve globale dhe dekarbonizimin atu ku është e mundur, gjatë proceseve të prodhimit të energjisë (duke zëvendësuar sa më shumë lëndët djegëse fosile me burime të energjisë së rinovueshme).
“Nëse këto investime në energji të pastër vazhdojnë të rriten, në përputhje me atë që kemi parë vitet e fundit, së shpejti do të fillojmë të shohim një sistem energjetik shumë të ndryshëm, si dhe do të mund të realizojmë objektivin 1.5 gradë celzius të rritjes së temperaturave globale”, ka thënë, siç transmetojnë mediat e botës, gjatë muajit të shkuar, Fatih Birol, drejtor ekzekutiv i IEA, duke iu referuar objektivit të Marrëveshjes së Parisit, për të kufizuar rritjen e temperaturës globale. Këtë vit parashikohet të shpenzohen 1.7 trilionë dollarë për teknologjitë e pastra, ndërsa 1 trilion dollarë, për kapacitete në bazë të lëndëve djegëse fosile.
Pesë vite më parë, siç transmeton The Financial Times, investimi vjetor i energjisë prej 2 trilionë dollarësh, u nda në mënyrë të barabartë midis lëndëve djegëse fosile dhe teknologjisë së pastër, si burimet e rinovueshme, automjetet elektrike dhe karburantet me emetim të ulët. “Po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke shtuar se “ ky është një ndryshim i mrekullueshëm dhe dramatik”. Rritja e shpenzimeve për energjinë e pastër, është nxitur nga një rikthim i fortë i rritjes ekonomike pas pandemisë Covid-19, si dhe shqetësimet për paqëndrueshmërinë e çmimeve dhe sigurinë e energjisë, të shkaktuara nga pushtimi i Rusisë në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar, sipas raportit vjetor të IEA për Investimet Botërore të Energjisë. Si rezultat, IEA pret që investimet vjetore të energjisë së pastër, të rriten me 24% krahasuar me vitin 2021, ndërsa shpenzimet për lëndët djegëse fosile do të rriten me 15 %.
Shpenzimet totale për energjinë diellore pritet të arrijnë në 1 miliard dollarë në ditë, duke tejkaluar shpenzimet për prodhimin e naftës. Edhe në shtetet e rajonit shohim potencial të madh te energjia e pastër, dhe sidomos te ajo solare, dhe thuaja në shumicën e shteteve të Ballkanit Perndimor janë rritur ndjeshëm investimet në ngritjen e kapaciteteve të prodhimit të energjisë solare. Që nga viti 2021, në Maqedoninë e Veriut, bie fjala, janë ndërtuar parqe diellore me kapacitet 139 megavat (MW), ndërsa deri në fund të vitit 2023, është planifikuar të prodhohen deri në 300 MW energji diellore, e cila është e mjaftueshme për të furnizuar me energji elektrike tetë qytete, ka thënë për Reuters Marko Bislimovski, president i Komisionit Rregullativ të Energjisë të këtij vendi.
Vendet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë një bum në investimet në energjinë diellore, gjë që mund të ndihmojë në zbutjen e një krize energjie për shkak të zhvendosjes nga qymyri, por zyrtarët e industrisë thonë se sistemet e transmetimit nuk janë të përgatitur për furnizime të reja të energjisë. Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka thënë për mediet ndërkombëtare se investitorët kanë filluar të investojnë “me vrull” në termocentrale diellore dhe se vendi i tij, i cili është një importues i energjisë, është bërë një qendër rajonale për burimet e rinovueshme të energjisë. Impiantet diellore janë rritur gjithashtu në të gjithë Bosnjën, i vetmi vend ballkanik që eksporton energji elektrike, veçanërisht në rajonin jugor të Bosnjë-Hercegovinës.
Stolac, qyteti që nisi përdorimin e energjisë diellore 12 vite më parë, tani është bërë një kantier i madh ndërtimi. “Ne planifikojmë kapacitetin e prodhimit nga energjia diellore deri në 600 MW”, ka thënë kryetari i bashkisë Stolac, Stjepan Boshkoviq për Reuters, duke paralajmëruar se plani varet nga kapaciteti i linjave të transmetimit dhe gatishmëria e agjencive shtetërore për ta zgjeruar atë në përputhje me rrethanat. Sipas tij, kompanitë private dhe publike kanë bërë oferta për projekte me vlerë rreth 1 miliard marka boshnjake (559 milionë dollarë) në zonë.
Ndërsa Kosova, megjithë vizionet e mira dhe synimet goxha konkrete të parapara edhe me dokumente zhvillimore, ndër to edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, të miratuar tashme në të gjitha institucionet kompetente, ende ka mbetur goxha prapa sa i përket ngritjes së kapaciteteve të rinovueshme. Me fjalë të tjera , Kosova vazhdon të ketë shumë fjalë, të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Por, ka fare pak vepra. Praktikisht, pos ndërtimit të dy kapaciteteve që ia vlen të përmenden – ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 megavatësh, dhe disa minihidrocentraleve me fuqi prodhuese minimaliste, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacite të energjisë së rinovueshme, as duke u ndërtuar.
Ndërkohë, që fjalët e mëdha, premtimet e pandalura për dekarbonizimin e Kosovës vazhdojnë pa pra nga zyrtarët. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 maj , me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar (Ankandi Solar 100 MW) ka ripërsëritur të enjten se “ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtritshme. Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“.
Edhe në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj, Kurti vuri në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme.
“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet më shumë se 1300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, kishte deklaruar kryeministri Kurti me këtë rast.
Fjalë të mira dhe goxha vizione, pa veprimet e nevojshme institucionale për ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, kanë edhe deklarimet e stërpërsëritura dhe të bëra monotone, të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit’, të bërë po kështu, në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt këto ditë në Prishtinë. Dhe, me këtë rast, Rizvanolli i atribuoi merita Qeverisë aktuale, punës që është duke u bërë aktualisht, sipas saj, në “ndërtimin e parkut solar 100 MW në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese; Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”.
Por, Artane Rizvanolli, nuk e tha një fjalë të vetme konkrete, se ku kanë arritur realizimi i këtyre projekteve(ndërtimi i parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu). Ndërsa, siç dihet, ndërtimi i parkut solar në KEK, ende as që ka nisur. Tani për tani është shpallur vetëm ankandi për këtë projekt i cili do të ketë kapacitet 100 MW, dhe do të kushtojë përafërsisht 95-105 milionë euro. Po, dihet edhe e dhëna se parashihet të ndërtohet mbi kodrat e dheut, të krijuara prej hirit të qymyrit të djegur në termocentralet e KEK-ut. Nuk është bërë akoma përgatitja e dosjes së tenderit dhe as që bëhet fjalë për përzgjedhjën e punëkryesit të këtij parku solar.
Kurse, realizimi i projekteve të apostrofuara nga ministrja, siç është impianti i ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, dhe Investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që veçohet nga Rizvanolli, ”Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori”, janë projekte që nuk varen nga Qeveria jonë, por nga investuesit, ata të jashtmit, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të mbështesin financiarisht këto projekte.
Po e përsërisim: Në Kosovë ende as në vitin e kaluar, as në këta muajt e shkuar të 2023-tës, nuk është bërë asnjë nismë ndërtimore, nuk është vënë asnjë gurthemel për ndërtimin e ndonjë kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë së gjelbër, ndërkohë që në shumë shtete të botës “po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, por edhe përkundër se Kosova ka mundësi reale që 2-3 kapacitete 100 megavatësh të energjisë së rinovueshme t’i ndërtojë edhe me para vetanake, të cilat siç dihet, po qëndrojnë në stoqe dhe të pashfrytëzuara me muaj e vite, edhe pse janë të dedikuara për investime kapitale.
Në këtë mënyrë, duket e zymtë, e zbehtë dhe thuaja e parealizueshme perspektiva e premtuar për impiante të reja, dhe, patjetër, e vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga kryeministri Kurti se parashikohet “ për më pak se 10 vjet më shumë se 1.300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, sikundër që janë të diskutueshme premtimet e ministrës Artane Rizvanolli dhe parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë energjetike të Kosovës 2022 – 2023, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme. /Buletini Ekonomik/