Banka Qendrore e Kosovës (BQK) sot në web faqen e saj zyrtare ka ripërsëritur konkursin për zgjedhjen e Guvernatorit të ri në krye të saj. Afati i fundit për aplikim të kandidatëve për këtë pozitë është data 21.06.2023, përcjell Buletini Ekonomik.
Rishpallja e këtij konkursi vjen pas dështimit të përzgjedhjes së guvernatorit nga Kuvendi i Kosovës me shpalljen e parë, ku si pasojë i gjithë procesi ishte kthyer në pikën zero me kërkesë nga Komisioni Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Sipas njoftimit nga BQK-ja, emërimi për Guvernator do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga data e emërimit.
Aktualisht, deri në përzgjedhjen përfundimtare, këtë pozitë është duke e ushtruar Bashkim Nurboja.
“Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë një individ. Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti/ja i/e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Në konkursin e parë që ishte hapur në muajin dhejtor të vitit të kaluar, patën aplikuar gjithsej 10 kandidatë, në mesin e të cilëve ishte edhe Fehmi Mehmeti, Guvernatori paraprak i BQK-së.
Përveç tij, për ta drejtuar institucionin më të lartë financiar në vend patën aplikuar edhe kandidatë të tjerë, si: Nexhat Kryeziu, Shkëndije Himaj, Emanuel Bajra, Mentor Nimani, Bezad Halilaj, Artan Ajazaj, Valdrin Krasniqi, Mentor Geci, Genc Rraci dhe Ardian Uka.
Për këtë pozitë, pikët maksimale nga Ambasada Britanike i kishin marrë katër kandidatë: Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli dhe Shkëndije Himaj. /Buletini Ekonomik/