Funksionimi i Bursës Shqiptare të Energjisë – ERE nxjerr për konsultim rregulloren

Fotografi ilustruese

Enti Rregullator i Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik rregulloren që përcakton hapat për krijimin e Komitetit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike –ALPEX dhe funksionimin e këtij organizimi.

Dokumenti është përgatitur nga ALPEX, teksa sipas Entit ngritja e Komitetit të Bursës si një organ konsultativ i zgjedhur nga Anëtarët e Bursës është i nevojshëm për promovimin e Rregullave të Tregut të Energjisë Elektrike.

Kjo në mënyrë që ato të mbeten aktuale dhe të përditësuara me kalimin e kohës, nëpërmjet konsultimit dhe këshillimit me ALPEX-in për ndryshimin e tyre, nëse do të jetë e nevojshme. Referuar dokumentit, Komiteti do të përbëhet nga 10 anëtarë, 8 prej të cilëve emërohen nga anëtarët e bursës dhe 2 të tjerë nga ALPEX.

Reklama e sponzorizuar

Anëtarët do të duhet të kenë njohuri në rolin e prodhuesit, furnizuesit, tregtarit. Ndërkohë që disa nga anëtarët do të duhet të përfaqësojnë klientët si dhe shoqata të ndryshme që përfaqësojnë kategoritë e mësipërme. Aktualisht, ALPEX numëron 12 anëtarë, duke qenë se pas 5 kompanive publike të energjisë, 7 kompani private tashmë janë listuar pranë saj.

Rritja e numrit të kompanive private pjesëmarrëse në bursë është një hap përpara në zhvillimin e tregut të organizuar të energjisë, si dhe i shumë kërkuar nga ekspertët dhe sektretariati i Komuniteti të Energjisë. Kjo, me qëllim sigurimin e çmimeve transparente në transaksionet që kryhen, si dhe tërheqjen e investorëve. /Scan tv/