Kosovarët, të fundit në Evropë për edukim financiar

Çka është “Financial Literacy” – (Edukimi Financiar)?

Sondazhi Global i Shkathtësive Financiare S&P e përkufizon edukimin financiar si aftësinë për të kuptuar konceptet thelbësore financiare në marrjen e vendimeve të duhura në lidhje me kursimin, investimin dhe huazimin.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) “edukimi financiar ka për qëllim ngritjen e nivelit të njohurive financiare në mënyrë që t’iu shërbejë qytetarëve për marrjen e  vendimeve të duhura lidhur me produktet dhe shërbimet financiare, kursimet dhe investimet.”

Reklama e sponzorizuar

Në praktikë, edukimi ­financiar, sipas një manuali të BQK-së, do të thotë se personi ka njohuri themelore dhe mund të kuptojë termet ­financiare bazë, karakteristikat e shërbimeve dhe produkteve ­financiare si dhe të ketë qëndrim dhe sjellje pozitive në menaxhimin e ­financave personale, kursimeve, investimeve, etj.

“Në kontekstin e menaxhimit ­financiar personal dhe të përgjegjshëm, edukimi ­financiar bazik është vendimtar. Të ardhurat, shpenzimet, mbajtja e shënimeve të shpenzimeve, marrëveshjet, shpejtësia, çmimi, normat e interesit dhe siguria janë faktorë thelbësorë që duhet të merren parasysh kur përdorni produkte dhe shërbime ­financiare dhe kur menaxhoni me përgjegjësi ­financat personale. Ju mund të merrni vendime të mirë-informuara vetëm nëse jeni në gjendje të kuptoni veçoritë e produkteve dhe shërbimeve ­financiare”.

Por ku qëndrojnë kosovarët me edukim financiar?

Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria dhe Kosova janë të fundit në Evropë, sa i përket njohurive të qytetarëve për konceptet financiare.

Sipas sondazhit të Shkathtësive Financiare S&P, vetëm rreth 20 për qind e të rriturve në Kosovë kanë njohuri/shkathtësi financiare adekuate. Kjo është shumë ulët krahasuar me vendet e zhvilluara. Në shtete si Gjermania, Finlanda apo Suedia, këto njohuri i posedojnë mbi 70 për qind e të rriturve.

Shkalla kaq e ulët e njohurive adekuate financiare ka bërë që të ketë edhe përdorim shumë të ulët të shërbimeve dhe produkteve financiare online.

Kështu, Eurostat e rendit Shqipërinë dhe Kosovën si dy shtetet me përdorimin më të ulët të bankingut online në Evropë. Vetëm 5.2 për qind e qytetarëve në Shqipëri përdorin shërbimet bankare online, derisa në Kosovë vetëm 8.9 për qind e tyre.

Sipas Eursotat, preferencat kulturore dhe mungesa e besimit në shërbimet online, janë dy arsyet kryesore për këtë shkallë të ulët të përdorimit të shërbimeve financiare përmes internetit.

Këtë e konstaton edhe raport i Bankës Boterore “Findex” për vitin 2021, i cili thotë se “mungesa e njohurive financiare ka ndikuar që shumë qytetarë në Kosovë të mos i shfrytëzojnë mundësitë online për përdorimin e shërbimeve të ndryshme financiare”.

Sipas këtij raporti, vetëm 58% e qytetarëve në Kosovë kanë qasje në llogari bankare, duke shënuar rritje të madhe nga 44% sa ishte në vitin 2011. /Buletini Ekonomik/