Liridon Geci nga fshati Llaushë i Skenderajt u detyrua ta mbyllë fermën e tij të pulave, për shkak të dëmtimeve që i shkaktuan vërshimet në muajin janar. Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga ajo kohë, ai nuk ka marrë asnjë kompensim për dëmet, edhe pse autoritetet qendrore kanë premtuar se do t’i shpaguajnë ato.
Geci tregon se, si pasojë e vërshimeve, i kanë ngordhur 12 mijë pula nga 15 mijë sa kishte gjithsej.
Për shkak të dëmeve që i ka pësuar edhe inventari, ai thotë se është detyruar t’i shesë edhe pulat e mbetura dhe ta mbyllë fermën me pesë punëtorë.
Nga kjo pulari thotë se ka siguruar jetesën e familjes së tij, ndërsa vlera e dëmeve që ka pësuar thotë se është rreth 400 mijë euro.
“Biznesi ka falimentuar. Nuk kemi mundur të bëjmë riparime, sepse vlera financiare është e papërballueshme për biznesin tonë. Po presim kompensim të mjeteve… Kemi telashe edhe me banka, kemi kredi dhe nuk kemi pasur mundësi t’i paguajmë këstet e kredive”, thotë Geci.
Vërshimet e 19 janarit në Skenderaj kanë dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturë rrugore.
Sipas kryetarit të komunës, Fadil Nura dëmet kanë arritur vlerën e mbi 12.2 milionë eurove. Ai thotë se lista e dëmeve është dërguar tek autoritetet përgjegjëse, porse deri më tash nuk ka pasur përgjigje prej tyre.
“Komuna e Skenderajt, brenda afateve të parapara ligjore, ka dërguar dosjen për secilën familje të prekur – ekonomi familjare, rast bujqësor, biznes dhe infrastrukturë publike. Nga niveli qendror, deri më tani, nuk ka ndonjë lëvizje sa i përket kompensimit. A është çështje vullneti apo politike, nuk e di”, thotë Nura.
I vetmi kompensim që është bërë në këtë komunë, sipas tij, është ai nga Fondi Emergjent i Vërshimeve, i cili është themeluar menjëherë pas vërshimeve nga vetë komuna e Skenderajt.
“Gjatë kohës sa fondi ka qenë i hapur, janë grumbulluar nga njerëz të vullnetit të mirë, bashkatdhetarë, shoqata, fondacione dhe të tjerë, mbi 414 mijë euro. Ato janë ndarë në mënyrë proporcionale për 373 familje – nga mbi 1.100 euro”, shton ai.
Përveç Komunës së Skenderajt, vërshimet në janar kanë përmbytur edhe zona në Mitrovicë të Jugut, Klinë dhe Istog.
Sipas llogaritjeve që kanë bërë komunat përkatëse, mbi 7.8 milionë euro ka qenë vlera e dëmeve në Mitrovicë të Jugut, mbi 4 milionë euro në Klinë dhe rreth 2.8 milionë euro në Istog.
Derisa të prekurit në këto komuna janë po ashtu në pritje të kompensimit, përmbytjet përfshinë fundjavën që shkoi edhe rajonin e Pejës. Dy persona humbën jetën nga përmbytjet, që shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale.
Kryetari i Pejës, Gazmen Muhaxheri konfirmon se evidentimi i dëmeve ka nisur më 26 qershor.
Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga Qeveria e vendit që t’i kompensojë fillimisht dëmet e shkaktuara nga vërshimet e muajit janar.
Sazan Ibrahimi, kryetar i këtij asociacioni, thotë se është i domosdoshëm krijimi i një fondi emergjent, për t’iu shmangur vonesave në kompensim.
“Politikat, sa i përket kompensimit të dëmeve, duhet të rishqyrtohen, në mënyrë që të krijohet fondi emergjent për komuna. Këto mjete, pastaj, të barten në nivelin lokal, në mënyrë që ky nivel sa më shpejt ta bëjë kompensimin e dëmeve. E jo të kalojnë muaj të tërë – pesë, gjashtë apo më shumë muaj – e qytetari të mos kompensohet nga niveli qendror”, thotë Ibrahimi.
Në rast se nuk ka ndonjë fatkeqësi natyrore, Ibrahimi thotë se këto mjete do të mund t’i ktheheshin nivelit qendror.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh përmbytje në Kosovë.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave. /REL/