Njeriu i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, Valon Prebreza, është emëruar në krye të ndërmarrjeve publike në vend. Ai ka marrë postin e drejtorit të Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, që është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.
Prebreza është parë i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje qysh para ardhjes në pushtet të kësaj partie në vitin 2021, shkruan gazeta infokus.
Sipas fotografive të publikuara në profilin e tij, afërsi shihet të ketë me figura të larta të Vetëvendosjes, si deputeten Fitore Pacolli dhe zëvendësministrin Avni Zogiani. Në shoqërinë e tyre Prebreza shihet edhe në ndeja private e në ditelindje.
Në disa fotografi, ai shihet edhe brenda zyrave të Vetëvendosjes.
Nga Ministria e Ekonomisë nuk pati asnjë njoftim zyrtar se Prebreza ishte vendosur në këtë pozitë, dhe as në media nuk u dërgua ndonjë komunikatë nga ministria në krye me Artane Rizvanollin.
Mirëpo kjo u bë e ditur në një postim të bërë në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë në Facebook, ku është njoftuar për investime në disa ndërmarrje publike në vlerë prej më shumë se 1 milionë euro, në hekurudha dhe në ujësjellës.
“Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe drejtori i ri i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza kanë lidhur një varg marrëveshjesh për financimin e projekteve kapitale të hekurudhave dhe ujësjellësit”, thuhej në këtë njoftim. /Gazeta Infokus/