Arabia Saudite, ka marrë vendim të ulë prodhimin e naftës me 1 milion fuqi në ditë për të paktën një muaj, duke filluar nga muaji i ardhshëm.
Nga 10 milionë fuçi në ditë, sa i ka prodhuar në maj, ajo tani do t’i prodhojë 9 milionë fuçi.
Por kësisoj edhe çmimi i naftës pritet të rritet.
Pjesëtarë tjerë të grupit të shteteve që prodhojnë naftë, OPEC+, janë pajtuar për zvogëlim të prodhimit, për t’i stabilizuar çmimet.
Sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut, Haitham Al Ghais tha se “kjo është një politikë, kjo është shtëpia jonë. Dhe kjo është mënyra se si ne vendosim të drejtojmë strategjitë tona”.
E ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman tha në një konferencë shtypi se objektivat e reja të prodhimit janë shumë më transparente dhe shumë më të drejta.
“Ne po përdorim bazat për të mbrojtur prodhimin. Dhe ne do të vazhdojmë të mbrojmë për aq kohë sa nuk shohim qartësi dhe stabilitet”, tha ai.
Ndërsa ministri për naftë në Emiratet e Bashkuara potencoi se kërkesat e tregut gjithmonë janë në plan të parë, transmeton tëvë.
“Ne gjithmonë i kuptojmë dhe i vendosim kërkesat e tregut mbi përfitimet tona. Dhe unë mendoj se ne falënderojmë Mbretërinë e Arabisë Saudite për bonusin shtesë ose shkurtimin shtesë vullnetar”.
Pas këtij lajmi, ngritja e çmimit të naftës vecse ndodhi.
Mëngjesin e së hënës, tregtia aziatike, nafta e papërpunuar Brent, standardi global, u rrit 1% në 76.9 dollarë për fuçi, ndërsa standardi i SHBA-së, u rrit 1.2% në 72.6 dollarë për fuçi.