Çmimet e paketave all-inclusive të pushimeve, janë rritur për destinacionet e njohura të Mesdheut, duke përfshirë Majorkën dhe Kretën.
Shifrat nga TravelSupermarket, faqja e përpunimit dhe krahasimit të çmimeve, treguan se çmimet mesatare për një javë pushime me ushqim të përfshirë në Majorka në Spanjë, janë rritur 21%.
Çmimet për Tenerife, janë rritur më shumë se 22%.
Kreta në Greqi, është 25% më e shtrenjtë se vitin e kaluar.
Në përgjithësi, destinacionet më të njohura, Spanja, Turqia, Greqia, Portugalia dhe Qiproja, janë rritur me 12%. Çmimet për vendet përtej Mesdheut janë rritur gjithashtu. Një javë në Marok është 27% më e shtrenjtë se vitin e kaluar. Bullgaria është rritur me 13%.
Mesatarja e pesë destinacioneve më të njohura për turistët në Mbretërinë e Bashkuar, është rritur me 11.9%, që nga viti i kaluar, por ka ndryshime midis vendeve. Çmimet mesatare të paketave janë rritur më shpejt në Spanjë, me gati 15%, por vetëm me 5% në Portugali.
Krahasuar me kohën para pandemisë, çmimi mesatar në pesë destinacionet kryesore, është rritur më shumë se 30%, shumë mbi normën e përgjithshme të inflacionit, që nga viti 2019.
Megjithatë, kërkesa mbetet e lartë.
Por, disa njerëz po shkurtojnë kohëzgjatjen e pushimeve të tyre, nga dy në një javë, për të kursyer para ose për të gjetur mënyra të tjera, për të “udhëtuar në mënyrë më të zgjuar”.
Një mënyrë e mirë, është të presësh deri në minutën e fundit, për të parë nëse çmimet bien, por, mund të mos funksionojë këtë vit, sipas Richard Singer, drejtues ekzekutiv i TravelSupermarket.
“Nuk ka gjasa, që çmimet të bien ndjeshëm këtë verë,” thotë ai, sepse pavarësisht çmimeve më të larta, kërkesa është më e madhe se oferta.
“Çmimet për vitin e ardhshëm janë në të njëjtin nivel me këtë vit”, shton ai.
Përtej udhëtimit dhe akomodimit, pushuesit do të duhet gjithashtu të shpenzojnë më shumë para, për të parkuar makinën në aeroport. Norma mesatare për një natë, u rrit me gati 10% këtë vit, nga pak më shumë se 13 paund në maj të vitit të kaluar, në më shumë se 14 paund.
Kostoja e sigurimit të udhëtimit, është rritur gjithashtu me rreth 10%.
Megjithatë, një kosto ka rënë: marrja me qira e makinave. Pasi u rrit verën e kaluar, marrja me qira e një makine këtë gusht, është bërë më e përballueshme. Për shembull, norma mesatare ditore për marrjen me qira të një makine në Irlandë, ra nga 203 paund në gusht të vitit të kaluar, në vetëm 48 paund këtë gusht.
Normat në Kroaci, Itali, Spanjë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, gjithashtu kanë rënë me më shumë se 40%. /BBC/