Pajisja e shtëpisë me televizorë, frigoriferë, mikrovalë, lavatriçe etj., për apartamentet e reja, apo zëvendësimi i tyre për ato ekzistuese, është një dhimbje koke e vërtetë për familjet shqiptare.
Këto të fundit, ndonëse janë më të varfrat në Europë për të ardhurat, do të duhet të paguajnë shumë më tepër se të gjitha shtetet e Europës me përjashtim të Islandës, madje shpesh përballen dhe me produkte me cilësi të dobët.
Sipas Eurostat, në Shqipëri, pajisjet elektroshtëpiake kushtonin sa 122% e mesatares europiane për vitin 2022, që do të thotë që një pajisje që mesatarisht në Europë kushton 100 euro, në Shqipëri e gjen me 122 euro.
Shqipëria renditet e katërta pas Islandës, me 130.6 të mesatares europiane dhe Norvegjisë (124.%), – me të dyja këto shtete që kanë një nivel të të ardhurave për frymë shumë më të larta sesa të shqiptarëve – dhe Maltës (128.1%).
Sipas përkufizimit të Eurostat, pajisjet shtëpiake përfshijnë: frigoriferë dhe ngrirës; Lavatriçe; pjatalarëse; soba; furra me mikrovalë; fshesa me korrent; aparate kafeje; kazanët; tosteret etj (përjashtohen riparimet e elektroshtepiakeve).
Në rajon, pajisjet elektronike janë shumë më lirë se në Shqipëri, psh në Maqedoninë e Veriut janë sa 95.3% e mesatares së BE-së, në Mal të Zi 96.3%, në Bosnjë 101.4%, ndërsa në Serbi janë 6.1% më shumë se mesatarja europiane (106.1%).
Familjet italiane shpenzojnë 4% më pak se mesatarja europiane (96.1%), ndër më të lirat në Europë.
Ndërsa shtetet që i kanë më të lira pajisjet elektroshtëpiake janë Rumania (86.8%) dhe Polonia (84.6%).
Televizorët kushtojnë 22% më shumë se mesatarja europiane, e dyta më e shtrenjtë në Europë
Edhe në grupin tjetër, atë të pajisjeve elektronike për konsumatorët, Shqipëria rezulton e dyta më e shtrenjtë në Europë.
Këto pajisje kushtojnë 21.7% më shumë sesa mesatarja europiane, duke na e kaluar vetëm Islanda, me 139.6%.
Sipas përkufizimit të Eurostat, produktet elektronike konsumatorë përfshijnë: televizorë; DVD player; marrës; sisteme audio; MP3 player; kamera; kompjutera desktop dhe laptop; monitorues; printera; skanerë; softuer; CD muzikore; DVD filmash; CD dhe DVD bosh etj (përjashton riparimin e pajisjeve të tilla).
Në Itali, pajisjet elektronike kushtojnë sa 92% e mesatares europiane, të dytat më të lirat në Europë, pas Turqisë (78.9%). Në rajon, pajisjet elektronike kushtojnë mesatarisht 6-17% më shumë sesa mesatarja europiane.
Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se pijet alkoolike (125.3%), produktet elektroshtëpiake (122.2%), pajisjet elektronike (121.7%), komunikimi (116.2%), qumështi djathi e vezët (111.7%), pijet joalkolike (108.8%) dhe vajrat dhe yndyrnat (106.7%) kushtojnë më shumë sesa mesatarja euroopiane, ndërsa më i liri është duhani dhe cigarja (44%).
Ndërkohë, Shqipëria kishte në vitin 2022 të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë (pa përfshirë Kosovën) si në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, 34% të mesatares europiane, ashtu dhe për konsumin individual, sa 40% e mesatares europiane. /Monitor.al/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon