Punët tashmë të filluara rreth rinovimit të disa stabilimenteve të rëndësishme të termocentraleve Kosova B si dhe punët e pritshme të planifikuara gjatë 2024-s dhe 2025-shit, rreth instalimit të elektrofiltrave po në Kosovën B, paralajmërojnë ditë të zymta elektroenergjetike për Kosovën në këto tre vjetët e ardhshme.
Mehmet GJATA
Të dhënat reale rreth gatishmërisë prodhuese të kapaciteteve ekzistuese elektroenergjetike të Kosovës, por edhe punët tashmë të filluara rreth rinovimit të disa stabilimenteve të rëndësishme të termocentraleve Kosova B si dhe punët e pritshme të planifikuara gjatë 2024-tës dhe 2025-shit, rreth instalimit të elektrofiltrave po në Kosovën B, paralajmërojnë ditë të zymta elektroenergjetike për Kosovën në këto tre vjetët e ardhshme.
Realisht, vështirësitë rreth furnizimit të kosovarëve me rrymë, sipas njohësve të zhvillimeve elektroenergjetike në vend, do të fillojnë që nga ky vit, më saktësisht që në ditët e para të sezonit dimëror, kur shtohet ndjeshëm konsumi në vend dhe kur për shkak se njëri bllok i termocentraleve Kosova B, do të gjendet ende në rinovim të planifikuar. Thënë më shkurt, me ardhjen e të ftohtit, pritet të ketë mungesë të ndjeshme të energjisë elektrike, të prodhuar nga termocentralet e KEK-ut. Dhe kjo mungesë, nëse nuk sigurohet ndonjë sasi goxha e madhe e rrymës nga importi, dihet që tani do të jetë jo e vogël.
Më saktësisht, sistemi elektroenergjetik i Kosovës, diku kah muajt e vonshëm të vjeshtës së sivjetshme, do të ketë mungesë prodhimin e njërit bllok të termocentraleve Kosova B, respektivisht diku rreth 260 megavatë-orë, sa është kapaciteti i njërit bllok (qoftë të B1, qoftë të B2-shit) të këtij termocentrali.
Në fakt, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, që në pranverën e sivjetshme ka filluar modernizimi i detajuar i turbinave të termocentraleve Kosova B. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe kompania amerikane “General Electric” (GE) kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit. Kompania amerikane që kishte dizajnuar teknologjinë e turbinave të termocentralit Kosova B, do të bëjë edhe një punë të kushtueshme aty. General Electric do të bëjë modernizimin e turbinave, sipas marrëveshjës së nënshkruar, në vlerë prej 56.2 milionë euro.
Sipas autoriteteve të Kosovës, këto investime do të rezultojnë në prodhim të shtuar të përafërt me ndërtimin e një centrali të ri të energjisë elektrike. Ndërsa, sipas KEK, ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 MË për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient, si dhe do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave.
“Modernizimi do të zgjasë jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave për 20 vite të tjera dhe do të zgjasë ciklin e jetës së riparimeve kapitale të tyre nga çdo 5 vjet në çdo 8-9 vjet. Ky investim do të na lejojë të vazhdojmë me kërkesën në rritje për energji elektrike duke siguruar që termocentralet tona të bëhen më efikase dhe më të besueshme. Me këtë projekt modernizimi, në po prezantojmë përparimet më të fundit teknologjike në inxhinierinë e termocentraleve për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin e tyre, si dhe zbatimin e sistemeve të avancuara të kontrollit dhe monitorimit”, thanë zyrtarë të KEK-ut, pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Projekti për modernizimin e turbinave, tashmë, siç dihet, ka filluar që para përafërsisht më shumë se një muaj. Fillimisht, punët rreth rinovimit të këtyre stabilimenteve kanë nisur në bllokun B1, dhe ato sipas parashikimeve do të zgjasin diku rreth 3 muaj e më shumë, ndërsa me të finalizuar të gjitha punët në B1-shin, ky bllok do të rikthehet në prodhim, por do të nisin punët e njëjta në bllokun B2, të cilat përafërsisht do të zgjasin, po kështu rreth 3 muaj. Dhe, gjatë tërë kësaj periudhe, Kosova do të ketë minus 260 megavatë-orë energji elektrike, mungesë kjo që tani në muajt e verës edhe nuk vërehet aq shumë, për shkak të konsumit më të ulët në vend. Por, në muajt e vjeshtës së vonshme, dhe gjatë dimrit, nëse nuk përfundojnë të gjitha punët rreth modernizimit të turbinave në Kosova B, do të ndihet shumë mungesa e sasisë së rrymës që prodhon njëri bllok i këtij termocentrali.
Ndërsa, projekti për ndërrrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B”, që më në fund pritet të të nisë të implementohet më 2024 dhe do të zgjasë edhe më 2025, sërish do të “dërgojë në pushim” të planifikuar blloqet e termocentraleve Kosova B për një kohë të gjatë.
Sipas inxhinierëve të KEK-ut, që duan të mbesin anonim, ndërrimi i elektrofiltrave në njërin bllok mund të zgjasë deri në nëntë muaj, që i bie, se nëse fillon kjo punë më 2024, siç është parashikuar, praktikisht thuaja shumicën e tërë muajve të 2024-tës do të jetë jashtë prodhimit ky bllok (qoftë B1, qoftë B2). Po kështu do të ndodhë edhe më 2025, kur do të duhej të instalohën elektrofiltrat në blokun tjetër.
Instalimi I elektrofiltrave në termocentralin Kosova B, në një farë mënyre, ka qenë I kushtëzuar. Së pari, për ta mbrojtur më në fund sipas standardeve ambientin jetësor përrreth termocentraleve dhe së dyti për t’ua zgjatur jetën edhe ndonjë vit termocentraleve të stërvjetëruara.
Pas shumë analizave të bëra nga ekspertë të KEK-ut, është vlerësuar dhe konstatuar se Termocentralet Kosova B, përkundër vjetërsisë reale të tyre (rreth 40 vjet në prodhim të pandërprerë) mund të punojnë edhe disa vite të mira pa ndonjë problem, nëse u bëhen ca riparime të domosdoshme. Sipas ekspertëve, me dy- tre projekte riparuese, që parashihen të jenë goxha të mëdha “Kosovës B” mund t’i zgjatet jeta edhe për 25 vjet.
Më saktësisht, po qe se bëhen pa vonesa të mëdha riparimet e planifikuara, Kosova B mund ta shtyjë me prodhim deri më 2045. Ka dominuar, gjithsesi, pikëpamja e ekspertëve se për të rivitalizuar mirë Kosovën B dhe për t’i përmbushur standardet e BE-së për prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit, në Kosovën B, gjithsesi duhet të vendosen elektrofiltrat, të cilët që nga fillimi i punës nuk janë ndërruar asnjëherë. Me instalimin e filtrave fare të rinj, teknologji më moderne dhe fjalë e fundit e teknikës, do të bëhej reduktimi i tërësishëm i pluhurit në minimum, por edhe do t’i zgjatej jeta këtij termocentrali tashmë i vlerësuar si goxha i vjetër dhe relativisht i amortizuar.
Fondi prej 76, 4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për kryerjen e këtij projekti kompleks rivitalizues në Kosovën B, ishte siguruar tërësisht nga BE-ja qysh në vitin 2019. Më saktësisht, kontrata për implementimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të BE-së është nënshkruar më 2 dhjetor të vitit 2019. Me këtë kontratë ishte paraparë që ky projekt unik për të dy njësitë e Kosovës B (B1 dhe B2) të financohet nga Bashkimi Europian nëpërmes fondeve IPA. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes IPA III ndërmjet Kosovës dhe BE-së, në vlerë 64 milionë euro, në vjeshtën e vitit 2022, kishte thënë saktësisht se Projekti i ndërrimit të filtrave në termocentralin Kosova B, është shtyrë disa herë dhe se pritet të fillojë zbatimin në vitin 2024.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka nënshkruar marrëveshje me ambasadorin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, për programin e parë financiar vjetor IPA III, në vlerë prej 63.96 milionë euro. Siç dihet tashmë, projekti për ndërrimin e elektrofiltrave ishte planifikuar të fillojë në muajin qershor të vitit 2020 në bllokun B1, ndërsa më 1 mars të vitit 2021 në bllokun B2. Por, siç theksojnë në KEK, për arsye të pandemisë që në këtë periudhë përfshiu edhe Kosovën, ky afat u shty saktësisht për një vit. Kjo do të thoshte se në njësinë B1 të Kosovës B, punët në projektin për instalimin e elktrofiltrave ishin shtyrë të nisin më 1 mars 2021, kurse në B2 me 1 mars 2022. Dhe edhe ky afat, edhe pse ishin të siguruara pjesa dërmuese e mjeteve të nevojshme financiare nga BE-ja, u shty sërish për vitin pasues.
Tashmë pos pandemisë, si shkak për shtyrjen e sërishme zyrtarët e KEK-ut apostrofojnë edhe nevojën për intervenime-riparime shtesë në kazan (dilatimeve). Dhe tani, pas kësaj shtyrjeje të tretën me radhë, planifikohej që më në fund nisja e punëve për imlementimin e projektit për vendosjen e elektrofiltrave në bllokun B2 të fillojë në muajin prill të vitit 2023, ndërsa kjo punë në B1 të nisë në prill të 2024-tës.
Sipas njoftimeve të zyrtarëve të KEK-ut, intervenimet shtesë për riparimin (dilatimet) e kazanëve kanë një kosto goxha të kushtueshme për KEK-un dhe mjetet e parapara si të nevoshme për këto riparime (diku rreth 20 milionë euro) duhet t’i sigurojë vet KEK-u.
“KEK-u me rishikim të buxhetit ka dedikuar rreth 11 milionë euro për projektin e dilatimeve (riparimet shtesë në kazanët e Kosovës B)”, kanë theksuar kohë më parë për Buletinin Ekonomik, zyrtarë të KEK-ut.
Në këtë mënyrë, vendosja e elektrofiltrave parashihet të fillojë më 2024. Fillimisht do të bëhet zëvendësimi në njërin bllok, ndërsa gjatë kohës sa do të zgjatë zëvendësimi i elektrofiltrave do të operojë, respektivisht do të jetë në prodhim blloku tjetër, deri sa t’i vie radha për t’ia nisur punës për t’i vendosur elektrofiltrat edhe në të. Kjo do të bëhet me qëllim që mos të ndërprehet prodhimi në të dy blloqet gjatë kohës sa do të zgjatë vendosja e elektrofiltrave. Por, sido që të jetë, Kosova do të ketë më pak një sasi goxha të madhe të energjisë, ose diku rreth 260 megavatë-orë minus, aq sa është kapaciteti i blloqeve të Kosova B, veç e veç, gjatë tërë kohës sa do të zgjasin punët në vendosjën e elektrofiltrave në këto termocentrale. Dhe, për këtë mungesë të energjisë, duhet menduar që tani, respektivisht duhet të mendohet se si do të kompenzohen mungesat e rrymës në periudhën sa do të zgjatë implementimi i projektit të vendosjes së elektrofiltrave në Kosova B.
Të gjitha punët dhe mbikëqyrjen e punëve rreth instalimit të elektrofiltrave në Kosovën B, është paraparë t’i bëjë BE-ja me ekipe të veta të specializuara. Ky është, pra projekt i BE-së, ndërsa KEK-u është vetëm përfitues, kanë sqaruar zyrtarët e KEK-ut. Këto janë projeksione të planifikuara dhe të parashikuara në kohëra më normale dhe të situatës së qetë politike në Kosovë. Ndërsa, tash, pas situatës së ndërlikuar politike dhe paralajmërimeve për masa dhe sanksione të BE-së ndaj Kosovës, mund të ndodhë që sërish të ketë shtyrje të këtyre investimeve. Për shkak të parave të zotuara nga BE-ja, për instalimin e elktrofiltrave, realizimi i këtij projekti, nuk është në dorën e punonjësve të KEK-ut, as të Qeverisë së Kosovës. /Buletini Ekonomik/