Memorandumi mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Britanike për emërime në pozita të larta është shkelur në mënyrë flagrante në rastin e përzgjedhjes së anëtarëve në Bordin e Trustit.
Kandidatja Mimoza Mustafa është emëruar anëtare bordi në Trust, ani pse emri i saj nuk figuron fare në listën e “kandidatëve të emërueshëm” të Ambasadës Britanike.
Lista e britanikëve në rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Bordit të Trustit përbëhej prej 10 kandidatëve, në mesin e të cilëve Komisioni përzgjedhës, në krye me U.D. së Guvernatorit, Bashkim Nurboja, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, do të duhej të përzgjidhte pesë prej tyre.
Mirëpo nga lista e britanikëve, Kuvendit i shkuan për votim vetëm katër prej tyre, dhe kandidatja Mimoza Mustafa, e cila nuk është pjesë e listës në fjalë.
Përkundër kësaj, Mustafa ka marrë votat e mjaftueshme për një mandat të plotë si anëtare e Bordit në Trust.
Ajo ka qenë edhe më herët kandidate për pozitën e një anëtari joekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Kosovës para dy vitesh, por që e njëjta nuk ishte përzgjedhur.
Në bazë të ligjit për FKPK-në, anëtarët profesionistë të Bordit të Trustit kanë për detyrë që ta udhëzojnë FKPK-në në çështjet që kanë të bëjnë me investimet e mjeteve për pensione dhe çështjet administrative të grumbullimit të kontributeve pensionale. Gjithashtu, ata duhet që të kenë edhe së paku 10 vite përvojë pune në ekpertizën e investimeve pensionale.
Pra, Bordi ka përgjegjësi ekskluzive për investimet e FKPK-së, si dhe është përgjegjës për vendimmarrjen mbi politikën e FKPK-së, pas këshillimeve paraprake me Drejtorin Menaxhues dhe stafin e FKPK-së.
Buletini Ekonomik i është drejtuar me pyetje Mimoza Mustafës rreth përvojës së saj me investimet pensionale dhe se pse nuk figuron emri i saj në listën e britanikëve, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani.
Buletini Ekonomik ka kërkuar sqarime edhe nga Komisioni përzgjedhës, që përbëhet nga Guvernatori i Bankës Qendrore, Ministri i Financave dhe nga Auditorja e Përgjithshme, se pse është përzgjedhur si anëtare Bordi një kandidate që nuk është vlerësuar si “kandidate e emërueshme” nga britanikët për këtë pozitë, por që deri në momentin e publikimit të shkrimit, asnjëra palë nuk kanë kthyer përgjigje.
Sipas aktivitetetit të saj në rrjetin social facebook, Mustafa shihet të jetë e afërt me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, përkatësisht Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, me të cilin janë edhe kolegë në Universitetin Amerikan në Prishtinë. Në këtë universitet, Mustafa ligjëron lëndën e Matematikës dhe Statistikës që nga viti 2006.
Të hënën që shkoi, ministri i Financave, Hekuran Murati, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca dhe ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja, kanë raportuar para Komisionit për Buxhet pikërisht lidhur me procesin e përzgjedhjes së bordit të Trustit.
Murati me këtë rast tha se intervistat për këta kandidatë kanë zgjatur nga një orë.
“22 të ftuar kanë qenë, intervistat kanë zgjat nga 1 orë, kanë zgjatë disa ditë. Mund të konsideroj që këta pesë persona janë më të mirët sipas poentimit. I plotësojnë kriteret” – ka thënë Murati shkurt.
Ndryshe, me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës më 13 korrik ka zgjedhur kryesuesin dhe anëtarët e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, në konkursin e dytë të shpallur për këto pozita. Kryesues i Bordit të FKPK-së është përzgjedhur Emanuel Bajra, ndërsa anëtarë janë zgjedhur Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Trim Shala dhe Cyril Demaria Bengochea.
Mandati i tyre do të jetë katër vjeçar.
Konkursi i parë ishte anuluar nga Komisioni për Buxhet për shkak se ishte vlerësuar se kishte mangësi në kërkimin e informacioneve të nevojshme për të siguruar një vlerësim dhe verifikim objektiv të kandidatëve.
Bordi aktual i Trustit është zgjedhur me konkursin e dytë të shpallur më 18 prill të këtij viti, përcjell Buletini Ekonomik.
Pjesë e këtij procesi kanë qenë edhe monitoruesit britanikë, sipas Memorandumit mes Qeverisë së Kosovës dhe Ambasadës Britanike për asistim për emërimet në pozita të larta në institucionet dhe ndërmarrjet publike në Kosovë. /Buletini Ekonomik/
Lista e kandidatëve të emërueshëm nga Ambasada Britanike.