Kontributet pensionale për afër 14 vjet punë, Myzahete Gashi nuk i gëzoi asnjëherë.
Ajo nuk arriti të përmbushë kriterin prej 15 vjetësh përvojë pune, ashtu siç e kërkonte Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili zbatohet që nga viti 2014.
“Vetëm për një vit e dy muaj nuk kam arritur ta përmbush stazhin prej 15 vjetësh punë. Nuk kam arritur të gëzoj pensionin kontribut-pagues, por gëzoj një pension të moshës, apo lëmoshës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Myzahetja, e cila punoi si arsimtare e Biologjisë në njërën nga shkollat fillore në Prishtinë.
Myzahetja është pensionuar në vitin 2020 dhe aktualisht merr 100 euro pension të moshës, pension ky i cili i takon secili qytetar të Kosovës pas moshës 65-vjeçare.
Ligji aktual për skemat pensionale parasheh të drejtën e përfitimit nga pensioni kontribut-pagues vetëm për ata persona që dëshmojnë se kanë kontribuar për 15 vjet në ish-Fondin Pensional.
Pas suprimimit të Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në vitin 1989, filloi vendosja e masave të dhunshme në ekonomi dhe institucione nga regjimi i atëhershëm serb dhe punëtorët shqiptarë u larguan dhunshëm nga puna.
Për personat që u larguan dhunshëm nga puna nga regjimi i atëhershëm serb, nuk u mundësua që të gëzonin pensionin kontribut-pagues, për shkak se nuk përmbushnin kriterin prej 15 vjetësh përvojë pune.
Por, Qeveria e Kosovës më 6 korrik 2023 bëri ndryshime në këtë legjislacion, duke iu mundësuar pension kontribut-pagues edhe atyre që u larguan nga puna në mënyrë të dhunshme në vitet ’90.
“U gëzova kur e pashë se është miratuar. Ne kemi kontribuar në kohë të vështira dhe jemi larguar padrejtësisht nga puna. Por, dyshoj që ky ligj do të nisë të zbatohet shpejt, mund të marrë vite kohë”, thotë Myzahetja, e cila pret që pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore, të marrë një pension në vlerë prej mbi 200 eurosh.
Ndryshimet në ligjin për pensionet
Personat që kanë kontribuar sipas Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor para datës 01.01.1999, por nuk e arrijnë stazhin pensional prej 15 vjet kontribute si periudhë kushtëzuese për shkak se janë larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme, mund të kualifikohen në skemën e pensionit parcial kontribut-pagues të moshës
Të drejtën për pension parcial kontribut-pagues të moshës e realizojnë të gjithë personat, të cilët kanë shtetësi të Kosovës dhe të cilët plotësojnë këto kushte:
- Kanë mbushur moshën 65-vjeçare
- Ofrojnë dëshmi të vlefshme mbi pagesën e kontributeve sipas dispozitave të Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor para datës 01.01.1999
- Janë larguar nga puna pas datës 01.01.1989 si rezultat i masave të dhunshme
- Shuma e periudhës së kontributeve të paguara si dhe periudhës nga data e largimit të dhunshëm nga puna, bashkërisht arrijnë nivelin prej 15 vjetësh
Sipas këtij projektligji, lartësia e pensionit parcial kontribut-pagues për secilin nivel përcaktohet duke marrë për bazë numrin e viteve të kontributeve të paguara
Për më shumë lexoni projektligjin duke klikuar KËTU
Pensionet në Kosovë sillen nga 100 deri në 265 euro.
Fondi Pensional, ku të gjithë të punësuarit kishin kontribuar deri më 1999, është përvetësuar nga Serbia.
Sipas Shoqatës së Pensionistëve, në periudhën kur në mënyrë joligjore është marrë Fondi Pensional nga ana e Serbisë, numri i pensionistëve ishte llogaritur të jetë më shumë se 89 mijë.
Sipas vlerësimeve të përafërta, thuhet se shuma e Fondit Pensional të Kosovës arrin vlerën deri në 2 miliardë euro.
Vonesa në miratimin e projektligjit
Krijimi i një skeme të re pensionale nga Qeveria përmes ndryshimeve në Ligjin aktual për pensione, u bë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2022 shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 8 të Ligjit për skemat pensionale, pasi konstatoi se ky nen pa të drejtë iu mohoi mijëra qytetarëve të drejtën e pensionit kontribut-pagues.
Përmes aktgjykimit, Kushtetuesja obligoi Qeverinë dhe Kuvendin që deri më 15 korrik të këtij vitit, të miratojnë këtë ligj.
Por, Qeveria u vonua në ndryshimet e bëra. Për të hyrë në fuqi, ai duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.
Megjithatë, deri te hyrja në fuqi, këto ndryshime duhet të kalojnë përmes disa procedurave në organin ligjvënës.
Ai duhet të shkojë në Kuvend dhe t’iu shpërndahet deputetëve. Sipas rregullores së Kuvendit, Kryesia më pas cakton Komisionin funksional për shqyrtimin e projektligjit në parim.
Ky komision ka kohë dy javë pune nga dita e shpërndarjes që ta bëjë shqyrtimin e projektligjit në parim.
Përveç Komisionit funksional, i ngarkuar nga Kuvendi, projektligjin e shqyrtojnë edhe komisionet e përhershme – secili nga fushëveprimi i vet.
Komisionet e përhershme, raportet e tyre, duhet t’ia paraqesin komisionit funksional, në afat prej dhjetë ditë pune nga dita që pranojnë amendamentet nga komisioni funksional.
Shqyrtimi i parë i projektligjit në seancë plenare nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë nga dita e shpërndarjes së tij.
Sipas rregullores së Kuvendit, pas shqyrtimit të parë bëhet edhe shqyrtimi i dytë i projektligjit dhe më pas kalon në Kuvendin e Kosovës për miratim.
Në fund, ligji që miratohet nga deputetët, nënshkruhet nga kryeparlamentari dhe i dërgohet për shpallje Presidencës, jo më herët se tetë ditë nga miratimi në organin legjislativ.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se afatet e parapara me rregulloren e Kuvendit për ta shqyrtuar këtë projektligj tejkalojnë kohën e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Qeveria ka pasur vonesa të theksuara në miratimin e këtij projektligji. Por, për t’u shpejtuar miratimi dhe hyrja në fuqi e projektligjit, miratimi i tij në Kuvendin e Kosovës duhet të bëhet me procedurë të përshpejtuar përmes kërkesës për seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri ose 1/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, thotë Miftaraj.
Në këtë seancë, sqaron Miftaraj, duhet të votojnë për 2/3 e deputetëve të pranishëm për t’u shmangur nga afatet procedurale të rregullores.
Një seancë e tillë, sipas rregullores të Kuvendit mbahet jo më vonë se 72 orë nga momenti i dorëzimit të kërkesës.
Por, Miftaraj thotë se një praktikë e tillë e miratimit të projektligjeve duke shmangur afatet e përcaktuara me rregulloren e Kuvendit është kritikuar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2022.
“Ndryshimet e bëra me këtë projektligj nuk do të hyjnë në fuqi më 15 korrik 2023”, thotë Miftaraj.
Pensionistët nuk presin zbatim të shpejtë të legjislacionit
Ndonëse i janë gëzuar lajmit për ndryshimet e bëra në legjislacion, përfaqësuesit e pensionistëve thonë se nuk presin zbatim të shpejtë të tij.
“Kjo është një e dhjeta e shkeljeve që Qeveria ua ka bërë pensionistëve dhe e ka përmirësuar këtë shkelje vetëm pasi ndërhyri Gjykata Kushtetuese. Nuk është meritë e Qeverisë kjo. Janë afër 30 mijë pensionistë, të cilët kanë vdekur pa e gëzuar këtë pension kontribut-pagues”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi.
Sipas vlerësimeve të Qeverisë së Kosovës, aktualisht, në skemën e pensionit bazik duhet të jenë rreth 70.000 persona që realisht do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontribut-pagues të moshës.
Kjo skemë e re pensionale për personat që u larguan nga puna në vitet ’90 llogaritet se do t’i kushtojë shtetit rreth 60 milionë euro në vit. /REL/