Pse nuk ka mbrojtje në punë të punëtorëve në Kosovë?

Lajmet e dhimbshme, trishtuese dhe shqetësuese për lëndimet dhe vdekjet në vendet e punës, vazhdojnë të ndodhin në Kosovë, madje më shumë dhe më së shumti që nga paslufta. Nga Sindikata e punëtorëve të sektorit privat, thonë se ky vit është më i rëndi që nga paslufta, për nga numri i rasteve me fatalitet që kanë ndodhur në vendet e punës.

Buletini Ekonomik

“Një person ka marr lëndimet në vendin e tij të punës”, “Lëndohet rëndë aksidentalisht duke punuar…”, “Në Fushë – Kosovë, një 38 vjeçar humbi jetën derisa ishte duke punuar në një objekt”, dhe të tjera lajme, pak a shumë të ngjashme, dhe me përmbajtje përafërsisht të njëjtë, hasim shpesh tash e një kohë të gjatë në mediet e vendit.

Sivjet, edhe në bazë të të dhënave konkrete, lëndimet në punë, por edhe humbja e jetës gjatë angazhimit ditor në procesin e punës nuk është pakësuar fare. Lajmet e dhimbshme, trishtuese dhe shqetësuese, për lëndimet dhe vdekjet në vendet e punës vazhdojnë të ndodhin në Kosovë, madje më shumë dhe më së shumti që nga paslufta.

Reklama e sponzorizuar

Nga Sindikata e punëtorëve të sektorit privat, thonë se ky vit është më i rëndi që nga paslufta, për nga numri i rasteve me fatalitet që kanë ndodhur në vendet e punës. Deri në qershor, kanë ndodhur 15 raste me fatalitet në vendin e punës.

“Për nga numri i puntorëve të vdekur në vendin e tyre të punës, është ndoshta viti më famkeq, sepse vetëm për 6,5 muaj janë shënuar 15 raste të vdekjeve në vendet e punës”, kishte deklaruar Jusuf Azemi – kreu i sindikalistëve të sektorit privat, në fillim të qershorit, pas vdekjes së 38-vjeçarit në vendin e punës në Fushë-Kosovë. S’do mend që kreu i sindikatave të punëtorëve privatë nuk pranë së apeluari tek institucionet e Kosovës për të ndërmarrë masa për të përmirësuar gjendjen, duke i ditur dhe duke i pasur parasysh të dhënat për shkaqet që në të shumtën e rasteve kanë shkaktuar vdekjet aksidentale.

“Shkaqet e vdekjeve janë pothuajse të njëjta: mosndjesia e kompanisë për rreziqet e punës që iu kanosën shumicës së punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, dhe si rrjedhojë mosndërmarrja e masave për të evituar aq sa është e mundur këto rreziqe, që nënkupton mosdisiplinimi i kompanive nga ana e institucioneve shtetërore, në radhë të parë nga inspektorati i punës, të cilët në terren, siç shihet nuk bëjnë asgjë”, ka thënë Azemi për medie.

Ai ka vërejtje dhe e bënë të dikskutueshëm numrin e vogël të inspektorëve të punës. Por cilat janë shkaqet që shkaktojnë aksidentet e shumta në punë?

“Shkaqet që shkaktojnë aksidentet fatale, janë kryesisht mosrespektimi i ligjit për siguri dhe shëndet në punë nga kompanitë dhe ndërmarrjet e shumta. Skelet, në shumë raste, nuk vendosen sipas standardeve, nuk mbyllen dhe nuk bllokohen hapësirat me rrezikshmëri të lartë siç është hapësira para ashensorëve në ndërtim, hapësira para shkallëve dhe të tjera, si dhe mospaisja e punëtorëve me pajisje mbrojtëse”, ka thënë kryeinspektori i Punës.

Sipas të dhënave, 96 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në Kosovë, nga viti 2018 e deri më 2022. Sipas Inspektorati të Punës, gjatë vitit 2022, numri i aksidenteve në vendin e punës ka qenë 394, ndërsa 15 raste kanë përfunduar me fatalitet. Sipas Policisë së Kosovës, nga fillimi i vitit e deri në muajin mars, janë të evidencuara 39 raste që kanë të bëjnë me veprën penale “asgjësimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, e që në tërë vitin e kaluar kanë qenë 177 raste të tilla. Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë. Ndërsa, përfaqësuesit e sindikatave, por edhe njohës të çështjeve të sigurisë së punëtorëve në vendet e tyre të punës, theksojnë se aksidentet, thuaja se shumica absolute e tyre, sikundër edhe rastet me fatalitet për jetën e punëtorëve janë kryekëputë pasojë e kushteve jo të mira në vendet e punës dhe sigurisë së pamjaftueshme në punë. Çka dëshmojnë analizat e sindikalistëve? Sipas vlerësimeve të sindikatave të bazuara në analizat e tyre, tani ndër shkaqet e cenimit të sigurisë në vendet e punës dhe të rritjes së rasteve të lëndimeve dhe të vdekjeve, është edhe mungesa e përvojës së domosdoshme tek shumë punëtorë rishtarë, që kanë zënë të punojnë kohët e fundit shpejtë dhe pa përfillur fare përvojën e domosdoshme që do duhej ta kenë punëtorët e sapoangazhuar. Kjo dukuri dhe praktikë e shumë kompanive, e sidomos të atyre në ndërtimtari, ka nisë të jetësohet pas ikjes së madhe të fuqisë punëtore të kualifikuar jashtë vendit dhe nevojës urgjente të kompanive dhe ndërmarrjeve për të plotësuar vendet e punës të mbetura vakante.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, rreth këttij problemi thotë se “një numër i madh i punëtorëve të kualifikuar e me përvojë dhe që e kanë njohur më mirë natyrën e punës tashmë kanë ikur jashtë vendit, tani pronarët e kompanive po marrin punëtorë të pa kualifikuar, dhe ata po dëshmohet se jo gjithëherë dhe jo sa duhet e njohin natyrën e punës. Në këtë mënyrë ka jo pak raste të aksidenteve, edhe fatale ndër to”.

Prandaj, sipas njohësve të këtyre zhvillimeve dhe të përfaqësuesve të sindikatave, në këto rrethana janë të nevojshëm më shumë inspektorë dhe shumë më shumë kontrolle në vende të punës. Por, si të bëhen më shumë inspektimi vetëm me 33 inspektorë sa ka tash e një kohë të gjatë Inspektorati i Punës. Ky numër është fare i papërfillshëm kur dihet se sa punishte ekzistojnë anëkënd Kosovës vetëm në veprimtarinë e ndërtimit.

Një njohës i çështjeve të sigurisë, në kushte anonimiteti, thotë për Buletinin Ekonomik, se 33 inspektorë nuk majftojnë vetëm për një qendër komunale, dhe në asnjë mënyrë për kryeqytetin, ku aktualisht janë duke u zhvilluar me qindra punë ndërtimore (fushë kjo ku vazhdojnë të ndodhin më shumë aksidente në vendin e punës). Domosdoja për të pasur më shumë inspektime në Inspeksionin e Punës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave këmbëngulin se “ndonëse numri i inspektorëve është i pamjaftueshëm (vetëm 33 inspektorë në nivel vendi), ata kanë rritur numrin e inspektimeve”.

Mbi 455 mijë euro është shuma e gjobave të shqiptuara për 5 muaj, ndaj kompanive të ndryshme, për shkelje të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i punës. Edhe në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut vlerësojnë nevojën e domosdoshme për të pasur më shumë inspektime, të ketë gjoba më të larta, për ato kompani ose biznese, të cilat nuk u ofrojnë kushtet e domosdoshme dhe kushtet e nevojshme të punëtoreve. Sipas KMDLNJ-së, “ nuk është e qartë se edhe çka duhet për të ndodhë më e madhe, në mënyrë që institucionet të merren më seriozisht me këtë problem të mprehtë”.

Po të kihen parasysh statistikat e rasteve fatale dhe numri i të lënduarve në vendet e punës, dalin të jenë joserioze deklarimet e bëra ditë më parë (12 korrik 2023) të ministrit të Financave, Hekuran Murati, “ se është rritur numri i kontrolleve nga Inspektorati i Punës dhe po ndëshkohen shkeljet e evidencuara.

“Shkeljet më të shpeshta të identifikuara nga inspektorët në terren kanë qenë: mungesa e kontratave të punës, moskompenzimi i punës jashtë orarit dhe pushimit vjetor, mungesa e skeleve apo vendosja e tyre në kundërshtim me ligjin për siguri dhe shëndet në punë dhe mungesa e pajisjeve personale mbrojtëse në veçanti tek punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë”, ka thënë Murati në një status në ‘Facebook’.

Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, një ditë më pas (më 13 korrik 2023), i alarmuar edhe nga temperarturat enorme të larta dhe jo të zakonshme edhe për muajin korrik, ka bërë thirrje pronarëve të kompanive private që të kenë kujdes për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve “në këto ditë që po mbizotërojnë temperaturat e larta në vend’. Ai, nëpërmjet një komunikate për media, po kështu, ka kërkuar nga kompanitë ndërtimore që të ndryshojnë orarin e punës dhe t’iu përshtaten temperaturave.

“Duke u nisur nga temperaturat e larta që po dominojnë në vendin tonë tash e disa ditë, e të cilat do të vazhdojnë si duket edhe për një kohë, thërrasim pronarët e kompanive private që të kenë kujdes me shëndetin e punëtorëve, pasi që dihet se punimi ne objekte te larta me temperatura ekstreme te mëdha rrezikojnë drejt për së drejti punëtorët që punojnë në hapësirat e jashtme. Andaj ju thërrasim që mund edhe ta ndryshoni orarin e punës që t’u përshtateni temperaturave më të ulëta, sidomos para dhe pas ditës, çdo pakujdesi e juaja kushton me jetë, dhe këtu mendoi se s’duhet pasur pardon”, ka apeluar Azemi.

Në anën tjetër, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” me anë të një reagimi publik kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës që të përfshijë direktivat e Bashkimit Evropian në Ligjin e ri të Punës. Sipas Institutit, mospërfshirja e këtyre direktivave në Ligj dëmton të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.

“Qeveria është dashur që të miratojë iniciativën për plotësim-ndryshimin e Ligjit të Punës dhe ta dërgojë atë për trajtim të mëtutjeshëm në Kuvendin e Kosovës. Vonesat në iniciativat legjislative shkojnë në dëm të punëtorëve, prandaj institucionet duhet ta trajtojnë këtë çështje me urgjencë”, thuhet në reagimin e institutit. IPS po ashtu vlerëson që Kosova ka nevojë për një Ligj të ri të Punës.

“Iniciativa për plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues lë shumë zbrazëtira dhe nuk adreson shumë probleme me të cilat përballen punëtorët sot në Kosovë”, vlerëson IPS.

Në fund, instituti inkurajon Qeverinë e Kosovës që të ketë qasje më progresive në vendimet që lidhen me të drejtat e punëtorëve. Kjo, pak a shumë, është gjendja aktuale në fushën e sigurisë së punëtorëve kosovarë në vendet e punës. Të dhënat, qofshin për të lënduar, qofshin për rastet që kanë përfunduar deri më atsh me fatalitet, janë shqetësuese dhe dëshpëruese dhe shkaktojnë dhembje jo vetëm ndër familjet familjarët e të cilëve pësojnë në fatëkeqësitë në vendet e punës.

Gjithsesi, këto raste do të ishin më të pakta numërikisht, po të zbatoheshin normat dhe standardet e domosdoshme të mbrojtjes së punëtorëve në punë. Dhe këto norma dhe standarde nuk ka kush t’i detyrojë t’i zabtojnë punëdhënësit, pos shtetit dhe institucioneve përkatëse të tij. /Buletini Ekonomik/