Rriten me 20% çmimet e pronave në vijën e parë në Durrës, rritje priten edhe në Sarandë

Zonat bregdetare vijojnë të jenë më të lakmuarat për blerje pronash, sidomos nga shtetasit e huaj.

Në fillim të sezonit të pranverës, çmimet e apartamenteve në bregdet, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, në Sarandë u rritën rreth 40% krahasuar me vitin e kaluar.

Në Durrës dhe Qerret, pronat u shtrenjtuan 15%. Aktualisht rritja e kërkesës dhe oferta e ulët te pronat në vijën e parë bregdetare ka sjellë tjetër shtrenjtim deri në 20% të apartamenteve në Durrës. Ndërsa në Sarandë, rritje të çmimeve do të ketë te pronat e reja që përfundojnë së shpejti së ndërtuari.

Reklama e sponzorizuar

Arian Gjuzi, broker i agjencisë imobiliare “Century 21 EON” në Durrës, nënvizoi për Monitor se çmimet në vijën e parë bregdetare të zonave të Durrësit janë rritur 300 euro më shumë.

Nga 1,500 euro që ishte çmimi maksimal ka arritur në 1,800 euro për metër katror. Gjuzi pohon se në raste të pakta çmimi i pronave luksoze arrin edhe në 2,000 euro për metër katror.

Sipas tij shkak i rritjes së pronave në vijën e parë të ndërtimit është kërkesa e lartë dhe oferta shumë e ulët. Më tepër këto prona blihen nga të huajt.

Në Sarandë pritet të ketë rritje tjetër të çmimeve të apartamenteve.

Çmimet e apartamenteve në ndërtimet më së fundmi në Sarandë sipas Eron Çumanit nga agjencia imobiliare “Saranda Property” variojnë nga 1,500 deri në 2,500 euro për metër katror. Krahasuar me vjet çmimet janë rreth 40% më të shtrenjta.

Drejtuesi i agjencisë imobiliare “Saranda Property” thotë se në këtë qytet janë drejt përfundimit të punimeve disa objekte të reja, me çmimi që priten të jenë mbi 2,500 euro për metër katror. Shkak i rritjes është cilësia e ndërtimeve sipas Çumanit, duke përfshirë komplekse me një sërë shërbimesh.

Por rritja e çmimeve pritet të sjellë rënie të kërkesës. Tendenca rritëse e çmimeve në Sarandë sipas Eron Çumanit pritet të stepë shtetasit e huaj për të blerë prona, pasi çmimet e konkurrueshme në raport me vendet e tjera bregdetare si Mali i Zi apo Kroacia është një ndër arsyet kryesore përse investohet në këtë sektor nga të huajt.

Sakaq për këtë vit çmimet e apartamenteve në resortet e jugut, siç pohuan më herët zyrat e shitjeve për Monitor ishin nga 2,000 deri 3,500 euro për metër katror. Kërkesa për blerje apartamentesh në jug është më e lartë se për vilat dhe kryesohet nga shtetasit e huaj.

Shitja e apartamenteve në ajër u zbatua edhe në jugun e vendit, si në resortin “Marina Bay Saranda” që pritet të fillojë së shpejti dhe investitori ka si referencë shitjeje çmimin rreth 3,200-3500.

Ndërsa në resortin “Marina Orikum” investim që ka ardhur në kohë e projektuar dhe zhvilluar nga ana e një investitori italian, sot është në plan-zhvillimi me Vila Marinë dhe Apartamente Marinë, të pozicionuara brenda një Marinë.

“Concord Investment” pohoi më herët se çmimi i apartamenteve ekzistuese varion në varësi të pamjes nga 2,000 deri ne 2,500 euro/m2. Ndërkohë në investimin e ri atë të godinave të reja me standarde bashkëkohore çmimet fillojnë nga 2,500 euro/m2 deri ne 2,800 euro/m2 dhe 3,000 euro/m2 në varësi të pamjes panoramike (pent-house).

Tendenca e re e çmimeve të apartamenteve në Golem

Tashmë prej disa vitesh blerësit kryesorë të pronave për vijën bregdetare të Durrësit janë shtetasit e huaj, kryesisht çek, polak, por edhe shqiptarë të diasporës.

Ndërsa numri i vendasve që blejnë prona në Durrës është i pakët. Agjencitë imobiliare shpesh herë kanë pohuar se shtëpitë e blera më parë në Golem me çmimeve të leverdishme nga banorë nga Tirana, Fieri dhe Elbasani po shiten, pasi nuk shfrytëzohen apo pronarët largohen në emigracion.

Arian Gjuzi broker i agjencisë imobiliare “Century 21 EON” në Durrës tha se ka bum kërkesë për prenotime blerje apartamentesh në Golem nga vendasit. Arsyeja kryesore sipas e kërkesës së lartë janë çmimet më të ulëta se tregu që po ofrohet për një projekt të ri që pritet të zhvillohet në rrethrrotullimin e Golemit.

“Për këtë projekt çmimet e apartamenteve janë 650 euro për metër katror në një kohë kur çmimet e tregut të zonës variojnë 800 deri në 900 euro për metër katror.

Theksoj që çmimet e larta shpeshherë janë përcaktuar nga kërkesa e lartë për prona nga të huajt. Ndërsa blerësit vendas ishin të painteresuar me këto çmime. Për shkak të çmimit të ulët, tani ka një numër të lartë rezervimesh për këtë projekt. Të gjithë janë vendas, kryesisht nga qytetet si: Tirana, Elbasani, Fieri, Korça etj”.

Projekti i ri në Golem parashikon në fazën e parë ndërtimin e 128 apartamenteve. Më tej, numri i tyre pritet të arrijë në 400 apartamenteve. Në fazën e parë për blerje janë prenotuar 61% e apartamenteve dhe të gjitha nga vendasit.

Arian Gjuzi tha se shkak tjetër i kërkesës së lartë është edhe ofrimi i mundësisë së pagesës me këste të ndarë në 20% të vlerës së shitjes së pronës me afat shlyerje 2 vjeçar. /Monitor.al/