Statistikat: Më shumë se gjysma e kosovarëve s’kanë para për të shkuar në det

57 për qind e kosovarëve nuk kanë para për pushime njëjavore në bregdet apo diku tjetër.

Kështu ka deklaruar Hydi Morina nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas të cilit kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve.

“Rreth 57% e ekonomive familjare nuk mund ta përballojnë një javë pushim jashtë shtëpisë, në bregdet, mal apo kudo. Nuk kanë hapësirë buxhetore që të kenë pushim prej një jave”, ka deklaruar Morina në KTV.

Reklama e sponzorizuar

Morina tha se shpenzimet e ekonomive familjare janë rritur jashtëzakonisht shumë, por jo edhe të ardhurat.

Sipas tij, 55% të të hyrave të ekonomive familjare shkojnë për konsum.

“Kushtet e jetesës varen prej të ardhurave. Të ardhurat në ekonomitë familjare në Kosovë janë rritur jashtëzakonisht pak, ndërsa shpenzimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, veçanërisht në konsum. Konsumi merr 55% të të hyrave të ekonomive familjare. Raporti i fundit i kushteve të jetesës është bërë më 2021”, ka thënë ai.

Ai theksoi se ekonomitë familjare po kanë vështirësi edhe te pagesa e kredive e pagesa të tjera. Sipas tij, 63.3 përqind kanë vështirësi të mëdha për kthimin e kredive.

“63.3% janë në vështirësi të mëdha për kthimin e kredive, ndërsa për pagesa të ndryshme është një përqindje më e madhe, rreth 85%”, ka thënë Morina, i cili shtoi se ka familje që marrin kredi për të shkuar në pushime, por që nuk kanë statistika për këtë.

43 për qind e kosovarëve nuk janë në gjendje të kenë një shpenzim të menjëhershëm të shumës 100 euro, sipas ASK-së.