Mijëra fëmijë shfrytëzohen ekonomikisht në Kosovë duke iu ekspozuar kërcënimeve të ndryshme, rrezikuar shëndetin e tyre fizik e mental e duke rënë pre e abuzimeve nga më të ndryshmet që cënojnë të drejtën për një fëmijëri të rregullt.
Ngadhnjim Avdyli
Dikur kah pranvera e 2017-s, Burimi* nisi të punonte për herë të parë. Vëllai i tij punonte në një punishte të ndërtimtarisë dhe i ndihmoi të punësohet aty. Për pak kohë, ai u largua prej aty pasi gjeti punë në një pemishte pranë lagjes ku banonte. Puna iu duk më e lehtë dhe s’do t’i duhej të udhëtonte, prandaj pa u menduar shumë u zhvendos me punë aty.
Në pemishte punoi për tri vjet. Kur vinin koshat me fruta i shkarkonte nga kamioni dhe pasi i pastronte me ujë i rëndiste nëpër rafte. Për çdo gram e kilogram të blerë nga myshterinjtë ai bënte matjet. Gjendur në nevojë për para, arriti marrëveshje me pronarin që kurdo që objekti kishte nevojë të ruhej fizikisht, në mungesë të punëtorit tjetër, të bënte roje ai. Kur biznesi i pronarit u zgjerua me një kioskë në pazarin e gjelbër të qytetit, ai nisi gjatë fundjavave të shiste fruta aty.
‘’Bërtitsha: hajde myshteri, patlixhana taze, edhe u ofrojshin njerëzit edhe [këtë] pronari e pa [si metodë për të shitur më shumë]’’, thotë ai, përderisa sqaron zhvendosjen e vendit të punës gjatë fundjavës.
Ai asnjëherë pagesën s’e kishte fikse. Pronari i pemishtes ndonjëherë e paguante pesë euro në ditë, ditë tjera shtatë euro, e ditë tjera tetë euro.
‘’Kurrë ma shumë se 10 euro [në ditë] s’i kam marrë’’, thotë ai, përderisa thekson se pagesa ditore varej nga ajo se si pronari e vlerësonte pazarin e shitjeve të ditës për fitimin që mblidhej.
As orarin e punës kurrë s’e kishte të fiksuar. Niste punën në 13:30 dhe përfundonte herë në 22:00, e herë tjera pas orës 23:00. Ditëve tjera të nxehta të vitit, kur myshterinjtë preferonin të bënin pazarin në flladin e natës, Burimit iu deshte të peshonte gramët e kilogramët e pemëve e perimeve deri pas mesnatës.
Burimi ka mbështetur financiarisht vazhdimisht familjen e tij të varfër. Për gjithë këto vite, ai kujdeset për ushqimet ditore, herë-herë ndihmon babain në shlyrjen e këstit të kredisë për shtëpinë që kanë ndërtuar, tani u jep gati çdo ditë para të imëta motrave e nënës për nevojat e tyre. Biles ai arriti t’i japë para vëllait për festën e fejesës.
Në më pak se dy vite ai është larguar nga puna në pemishte.
Sot ai punon me tupan nëpër lloj-lloj ahengu që mbahet nëpër Ferizaj. Ahengjet ku së bashku me fqinjtë e tij ftohet nuk janë të përditshme. Ditëve tjera punon me kolicë në tregun e gjelbër, e herave tjera si punëtor krahu në çfarëdo pune që i ofrohet. Kohë-pas-kohe shet tekstil në tregun e Ferizajt për çdo të shtunë.
Burimi është vetëm 14-vjeçar.
Të gjitha ‘’vendet e punës’’ që Burimi ka pasë për moshën e tij janë të ndaluara në Kosovë. Fillimisht, çdo fëmijë nën moshën 15-vjeçare e ka të ndaluar të punojë në çfarëdo rrethane dhe angazhimi ekonomik i tyre cilësohet si abuzim dhe shfrytëzim ekonomik i fëmijëve dhe është i ndëshkueshëm; lehtësisht si kundërvajtje, e në raste tjera si vepër penale.
Në anën tjetër, fëmijët prej moshës 15-17 vjeçare në Kosovë lejohen të angazhohen ekonomikisht, por nën kushte të veçanta dhe puna lejohet kur ‘’pjesëmarrja e fëmijëve [është] në aktivitete ekonomike që nuk janë të dëmshme për zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve’’, thuhet nën predispozitën e punës së rëndë apo të rrezikshme për fëmijë.
Edhe atëherë kur lejohet punësimi i një fëmije kërkohet procedurë e veçantë e punësimit.
‘’[…] çfarëdo lloj angazhimi tjetër ekonomik i fëmijës, mund të lejohet vetëm në bazë të lejes së prindit, kujdestarit apo të organit të kujdestarisë’’, saktësohet në Udhëzimin Administrativ (UA) për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve kur flet për fëmijët mbi moshën 15-vjeçare.
Aty (në UA) theksohet se në rastet kur lejohet angazhimi ekonomik i fëmijëve mbi 15 vjeç ndiqet procedura ‘’nën mbikëqyrjen përkatëse dhe pas një vlerësimi të dokumentuar të rreziqeve dhe masave për menagjimin e rreziqeve të cilave mund t’u ekspozohet fëmija’’.
Në anën tjetër, tek rasti i Burimit gjendja rëndohet pasi çdo ‘’profesion’’ që ka ushtruar ai është i ndaluar në Kosovë për secilin fëmijë të çfarëdo moshe në çfarëdo rrethane – në Kosovë çdo person prej moshës 0-18 vjeç cilësohet fëmijë.
Burimi si 8-vjeçar për disa muaj ka punuar në ndërtimtari, që është sektori me më së shumti vdekje të punëtorve përgjatë vitit. Ky sektor cilësohet si ndër sektorët që rrezikojnë më së shumti shëndetin e punëtorit, pavarësisht moshës. Në ‘’Listën e Aktiviteteve të përgjithshme dhe sektorëve me prioritet për t’u ndaluar’’ në udhëzimin administrativ puna e fëmijëve në ndërtimatari ndalohet specifikisht.
Puna e ndaluar për fëmijë, sipas udhëzimit administrativ, cilësohet çfarëdo ‘’pune apo aktiviteti, i cili dëmton sigurinë, shëndetin, moralin dhe zhvillimin psikofizik të fëmijës, si rezultat i mungesës së përvojës dhe njohurive për kryerjen e punëve dhe detyrave të punës’’, thuhet aty ndër të tjera.
Burimi në punën në pemishte është përballur çdo ditë me ngritjen dhe zhvendosjen e peshave të rënda. Tek udhëzimi administrativ në dy raste përmendet ngritja e peshave të rënda si punë e ndaluar për fëmijë. Po aty, puna e fëmijëve gjatë natës është e ndaluar, punë të cilën ai e ka kryer përderisa ruante nga mesnata deri në orën 6 a 7 të mëngjesit – shtuar se puna gjatë natës edhe për persona të rritur rregullohet në mënyrë të veçantë pasi cilësohet si punë që shkakton dëme fizike e psiqike.
Burimi gjithë këto ‘’punë’’ i ka kryer mes moshës 8-11 vjeçare.
Në ‘’listën e punëve të ndaluar për fëmijë’’ përmenden edhe punë tjera që Burimi i ka kryer.
Aty ndalohet puna mbi 2 metra lartësi, ekspozimi ndaj temperaturave ekstreme të larta apo të ulëta. Burimi tregon se në rastet kur punonte si rojtar gjatë natës, pos ftohtit të natës, ai flinte në objektin e pemishtes veç një orë a dy, para se të nisej për në shkollë. Apo përmend rastet e nxehtësisë së lartë sa punonte në pazar apo edhe në ndërtimtari.
‘’As s’e kom ngu çka po thotë [mësuesi/arsimtari]’’, përgjigjet ai kur pyetet se si arrinte t’i ndiqte mësimet me kaq pak gjumë, përderisa shton se ‘’kena flejt [në klasë]’’ dhe përmend se në pemishten ku ai punonte dikur punonin se paku edhe një shok moshatar i shkollës, i cili edhe e kishte ndihmuar të punësohej në pemishten që gjendet në atë që njihet si ‘’Rruga e Gremës’’ pranë lagjes Sallahane në Ferizaj.
Burimi nuk është fëmiu i vetëm që është i detyruar të punojë dhe që abuzohet e shfrytëzohet ekonomikisht në Kosovë.
Organizata Ndërkombëtare e Punës në nëntor 2022 ka publikuar raportin për Kosovën ku, sipas të dhënave të MICS (përpiluar në koalicion të disa institucioneve shtetërore me organizata ndërkombëtare), konsiderohet se 5.3 për qind e fëmijëve në Kosovë të jenë në punë – mbi 19,600 fëmijë. Kjo shifër është më e lartë për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku 7 për qind e fëmijëve janë të angazhuar në punë.
Raporti tregon se nëse në matje nuk llogariten punët e shtëpisë që fëmijët janë të detyruar të kryejnë atëherë numri i përgjithshëm bie në 3.8 për qind, ndërsa tek fëmijët që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian numri shkon tek 6.1 për qind.
Ama, raporti shpërfaqë se nëse llogaritjet marrin parasysh tregues tjerë atëherë shifrat e fëmijëve që punojnë në Kosovë rriten edhe më shumë.
‘’Një tregues tjetër i përdorur edhe nga anketa MICS – MICS6 – merr në konsideratë orët dhe kushtet e punës së aktiviteteve ekonomike dhe shtëpiake të fëmijëve. Bazuar në këtë tregues, prevalenca e punës së fëmijëve pothuajse u dyfishua nga 5.3 në 9.3 përqind për Kosovën në përgjithësi’’, thuhet në raportin e organizatës ndërkombëtare.
Kushte të rrezikshme e të veçanta, sipas matjeve, cilësohen: punën me mjete të rrezikshme ose përdorimin e makinerive të rënda; ekspozimi ndaj pluhurit, tymrave ose gazit; ekspozimi ndaj të ftohtit ekstrem, nxehtësisë ose lagështisë; ekspozimi ndaj zhurmës së lartë ose dridhjeve; punën në lartësi të mëdha; punën me kimikate ose eksplozivë; ekspozimi ndaj gjërave, proceseve ose kushteve të tjera të pasigurta ose të pashëndetshme.
E nëse merren parasysh këto llogaritje nga 19,642 fëmijë që konsiderohet që punojnë kjo shifër rritet në 34,467 fëmijë që punojnë.
VARFËRIA SI BURIM I ABUZIMIT
Bukurezë Surdulli, specialiste për Monitorim dhe Hulumtim nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), është e bindur se shifrat prej 5.3 për qind të fëmijëve nuk janë pasqyre e plotë.
‘’Kjo shifër [e detektuar] mund të jetë minimale, pasi numri i fëmijëve të përfshirë në punë të rënda mund të jetë shumë më i madh. Ka shumë fëmijë tjerë që nuk janë të identifikuar dhe nuk janë të raportuar’’, thotë ajo për Buletinin Ekonomik.
Surdulli thekson se të qenit dështimitarë për çdo ditë të fëmijë që jetojnë nëpër rrugë, që shesin nëpër sheshe e kafeteri, dalin për të pastruar xhamat e veturave tek semaforët, që kërkojnë lëmoshë nëpër sheshe e hapësira tjera publike dhe se ata vazhdojnë të dalin për çdo ditë tregon se gjendja është edhe më e rëndë.
‘’Fëmijët që përballen me punë të rëndë apo jetojnë në rrugë ju ekspozohen shumë rreziqeve; rreziku për jetën, e pastaj fëmijët mund të përballen me abuzim fizik e psiqik sepse tek këta fëmijë ka qasje çdokush që është në rrugë dhe mund të abuzojë me ta, qoftë edhe seksualisht, qoftë edhe t’i trafikojë’’, shton Surdulli.
UNICEF thekson se puna e fëmijëve është problem global dhe se afër 170 milionë fëmijë nëpër botë punojnë dhe shfrytëzohen e abuzohen ekonomikisht.
Varfëria dhe nevoja që fëmijët të kontribuojnë në ekonomitë familjare janë faktor i madh. Pastaj mungesa e mundësive të shkollimit, e përcjellur me sistemet e dobëta shkollore veç e përforcojnë shfrytëzimin. Prejardhja e fëmijëve, sidomos e fëmijëve të pakicave kombëtare, dhe që vazdhohet me diskriminim, fëmijët janë të prirur të angazhohen në punë përderisa janë fëmijë.
Sipas UNICEF, formula është e thjeshtë:
Familje në varfëri+fëmijë të veçuar nga prejardhja+të diskriminuar+pa mundësi të arsimimit=fëmijët pa alternativë që nisin të punojnë/shfrytëzohen në moshë të hershme.
PA MONITORIM E TË PAMBROJTUR NGA SHTETI
Një sektor ku shpesh hasim fëmijë që punojnë është ai i gastronomisë. Shkëlqimi – i cili ka kërkuar të mos i përmendet mbiemri – ka nisur punën që nga klasa e 10-të. I riu nga Malisheva në vitin 2016 nisi të punonte në një kafeteri afër shkollës së tij. Kur mbaronte mësimet ai niste punën prej orës 13:00 deri në 19:00 të mbrëmjes.
‘’Krejt senet që i bënë një kamarier; me shërby pije, me pastru lokalin, e me shkep kafe jashtë lokalit’’, tregon Shkëlqimi për punën e bërë, duke shtuar se vetëm të dieleve e kishte pushim.
Për punën e bërë ai paguhej vetëm 150 euro në muaj, ndërsa gjatë verës në orar më të gjatë paguhej 200 euro dhe një shujtë gjatë ditës.
‘’Natyrisht se jam ni i shfrytëzaur, bile unë kam qenë më i riu edhe gjithë e hajsha edhe prej kamarierëve tjerë [më të rritur], ja me shku me ja u marr bukën ja qesi sene’’, kujton ai.
Ai thotë se me pronarin e lokalit raportet i ka pasur të mira, mirëpo ende mendon se pagesa kundrejt punës që ka bërë ka qenë shumë e ulët, në krahasim me fitimin e madh që merrte ai, pasi lokali ka qenë jashtëzakonisht shumë i frekuentuar me myshterinjë. Ai thotë se dëshira për shkollim e detyronte të punonte.
‘’Na jem katër fëmijë. Nuk i kam qaq kushtet e dobëta në shtëpi, por na fëmijët veç me ka dy vjet diferencë [në moshë] mes vete. Prindërit kanë pasë shumë shpenzime për me na shkollu, e tani unë mendova që duhet me punu sa me pagu mujoren e autobusit e kësi shpenzime’’, thotë Shkëlqimi që sot i ka 19 vjet dhe vazhdon të punojë ende si kamarier.
Një mënyrë tjetër e shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve që e hasim shpesh është edhe kërkimi i lëmoshës. Kjo dukuri cilësohet si punë e rëndë e fëmijë dhe është e ndëshkueshme. Mirëpo, pavarësisht rregullimeve ligjore vazhdimisht shihen fëmijë që detyrohen të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e qyteteve në Kosovë.
Gjatë këtij viti kane qenë disa raste kur janë ndaluar prindërit apo kujdestarët e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë, por që rrugëve vazhdohet të shihen fëmijë në këtë gjendje. Shtyer nga varfëria e familjeve një dukuri tjetër e punës së rëndë të fëmijëve është edhe shitjet e gjësendeve të ndryshme që fëmijët bëjnë nëpër rrugë e nëpër lokale.
Raporti i Organizatës Ndërkombëtare të Punës rekomandon që institucionet duhet të ndërmarrin urgjentisht disa hapa.
‘’Duke pasur parasysh korrelacionin negativ midis pasurisë së ekonomisë familjare dhe punës së fëmijëve, është jetike të zgjerohet mbrojtja sociale për fëmijët dhe familjet e tyre për të zbutur varfërinë dhe pasigurinë ekonomike që shërbejnë si bazë punën e fëmijëve. Raporti ofron informacion të bollshëm mbi profilin e fëmijëve të përfshirë në punën e fëmijëve dhe të atyre në rrezik. Kështu, politikat e mbrojtjes sociale mund të synojnë këto grupe për të rritur efikasitetin dhe ndikimin e skemave të tilla’’, thuhet aty.
Surdulli nga KOMF thekson se institucionet kanë shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe një ndër mënyrat efikase që kanë përdorur shtetet tjera duhet të i shërbejë edhe institucioneve vendore.
‘’Në bazë të praktikave të shteteve tjera është e rëndësishme që të punojmë edhe me familjet. Bullgari është shembull që gati ka arritë të eliminojë qëndrimin e fëmijëve nëpër rrugë në 10 vitet e fundit, dhe kjo nisur nga ajo që familjeve u është siguruar vende të punës dhe jo skemë sociale. Është e rëndësishmje që familjes me ja siguru një burim të të ardhurave. Por kjo nuk është e mjaftueshme, pasi duhet të punohet në edukitim të familjeve’’ thotë Surdulli.
Në anën tjetër, ajo thekson mos kordinimin e institucioneve si dhe mungesën e monitorimit si pika ku duhet të intervenohet me urgjencë.
‘’Problemi tek ne është që bizneset nuk monitorohen [sic duhet]. Komunat nuk e kanë funksionalizu monitorimin si njësi primare. Ka ,mungesë të monitorimit të mirëfillt. Ne kemi rekomanduar që të fuqizohet monitorimi dhe të bëhet monitorimi nëpër secilën komunë. Nëse nuk ka gjoba dhe sanksione atëherë nuk ka përmirësim’’, shton ajo.
Po ashtu, thekson se është e rëndësishme që bizneset që shfrytëzojnë ekonomikisht fëmijët të ndëshkohen siç e parashesh Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve që ka hyrë në fuqi në vitin 2020, pasi pasojat për fëmijët e shfrytëzuar ekonomikisht janë të rënda.
Burimi në anën tjetër na tregon se në tetor të vitit 2021 ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në QKUK është dashur të bëhet operacion pasi kishte probleme serioze me veshkët dhe ku për dy javë ka qenë në kujdes inteziv, çka e kishte detyruar të largohet edhe nga puna në pemishte. Mirëpo, në më pak se dy muaj pas operacionit ai filloi prapë të punojë.
Puna e Burimit ka një histori më të gjatë familjare. Resul Nura nisi punën e parë në moshën 8-vjeçare. I riu nga lagjja Sallahane në Ferizaj është vëllai i madh i Burimit dhe ‘’rekrutuesi’’ në punën e parë të tij. Resuli, që sot punon si saldues, kujton se ai ishte 14 vjeç kur Burimi nisi të punonte për herë të parë dhe, përderisa qeshet me ironi e duhan në gojë, nuk heziton të thotë se edhe ai nisi punën e parë në moshën 8-vjeçare porsi Burimi, që sot është 14-vjeçar.
‘’Edhe baba jonë ka [nis me] punu qekaq [herët]’’, thotë Resuli, duke ironizuar prapë ‘’nashta jo qekaq rand; po çka me ba, ama e di që ka punu’’.
Resuli e ka shumë të rëndësishme të theksojë se jeta e tyre ishte dhe është shumë e vështirë, anipse ndihet me fat që sot si familje kanë arritur të ndërtojnë shtëpinë ku sot jeton me prindërit, Burimin dhe motrën binjake të tij, si dhe motrën tjetër. Dikur jetonin në një shtëpi të vogël me dy axhallarët dhe familjet e tyre. Babai i tyre duke punuar në një ndërmarrje publike në Ferizaj dhe me kontratë afatgjate iu mundësua marrja e një kredie për me ndërtu shtëpinë ‘’sa me hi në to’’.
‘’S’mundem me rrejt, ky [Burimi] na ka majt krejtve [përfshi kredinë], unë jam feju dhe jam tu kqyr me ikë në Suedi’’, thotë Resuli.
SHËNIM: Për shkak të moshës së mitur, emri i *Burimit është përdorur si emër fiktiv për të mbuluar identitetin e të intervistuarit por emri i tij është i njohur për Redaksinë tonë dhe intervista është bërë me lejen e prindërve.
(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)