Zëvendësministri Arifaj inkurajon inovacionin financiar në Kosovë

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, vizitoi kompaninë Paysera Kosova, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sektorit të Fintech në vend.
Në këtë vizitë, Arifaj u prit nga CEO i Paysera Kosova, Bashkim Zeqiri, për të diskutuar përparimet dhe sfidat në industrinë Fintech të Kosovës, ku teknologjia ka një rëndësi të veçantë dhe themelore në përmirësimin e shërbimeve financiare.
Vizita e zëvendësministrit Arifaj në Paysera Kosova shënon përkushtimin e qeverisë në përmirësimin e sektorit të Fintech dhe promovimin e ndërmarrësisë në Kosovë. Ai shprehu interesin e tij për të mësuar më shumë rreth sfidave dhe mundësive në këtë sektor dhe për të gjetur mënyra se si qeveria mund të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e tij.
Në takimin me CEO-n Bashkim Zeqiri, Arifaj shprehu vlerësimin e tij për punën e Paysera Kosova dhe për inovacionet që ka sjellë në tregun financiar të vendit për avancimin e ndërmarrësisë dhe hapjen e mundësive te reja ne tregun digjital. Ata diskutuan mbi nevojën për bashkëpunim të ngushtë midis qeverisë dhe sektorit privat për të adresuar sfidat dhe për të identifikuar mundësitë e reja për rritjen e sektorit fintech dhe të tregtisë në Kosovë.
Paysera Kosova është një ndërmarrje e suksesshme që ofron shërbime financiare inovative dhe moderne, përfshirë pagesat elektronike, transferin e parave dhe shërbimet e-commerce. Paysera brenda 2 vjetëve të operimit funksional ka arritur që qytetarëve të Kosovës t’u kursejë më shumë se 2 milionë euro, nga tarifat më të lira të transfereve ndërkombëtare dhe hapje të llogarive pa mirëmbajtje dhe kosto shtesë.